E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytja në Plazh, ujësjellës-kanalizimet pastrojnë kolektorin

08/01/2009  Pësojnë dëme materiale një numër i madh familjesh

DURRES- Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka vendosur të ndërhyjë në pastrimin e kolektorit të ujërave të zeza që ka shkaktuar përmbytjen në një pjesë të banesave në Plazh. Shirat e shumtë të muajit dhjetor kanë sjellë shumë probleme për banorët që kanë shtëpitë në anën e majtë të rrugës së Plazhit, tek stacioni i quajtur “Hekurudha”. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë nisur punën për zhbllokimin e kolektorit kryesor dhe pusetave në lagjen 13 të Durrësit. Prej një muaji kjo lagje është përmbytur nga uji, ndërkohë që mjaft banesa dhe lokale qëndrojnë ende në këtë situatë. Mjetet e ndërmarrjes së Ujësjellësit janë vënë në lëvizje për të zhbllokuar tek Rrota e Kuqe dhe stacioni Hekurudha pusetat qendrore. Bllokimi i tyre ka ardhur për shkak të nivelit të lartë të reshjeve si dhe shtimit të popullsisë dhe ndërtimeve të shumta në këtë lagje, e cila ndryshe njihet si lagjja e Plazhit. Bashkia e Durrësit ka bërë të ditur se do të mbështesë financiarisht nevojat për karburant të mjeteve të ujësjellësit si dhe pagën e punëtorëve që janë përfshirë në këtë aksion. Nga ana tjetër zyrtarët e bashkisë janë shprehur se përgjegjësia për përmbytjen e kësaj zone bie mbi Ujësjellës-Kanalizimet dhe jo mbi bashkinë e qytetit. Shtabi i emergjencës civile pranë qarkut dhe prefekturës kanë konstatuar se një numër familjesh kanë pësuar dëme serioze për shkakun e mësipërm. E vetmja zgjidhje për këtë pjesë të zonës së Plazhit është ndërtimi i një kolektori të ri që do të grumbullojë ujërat për t’i përcjellë drejt kanalit të madh tek Ura e Dajlanit dhe që atje në Porto Romano tek hidrovori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›