E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlin, tre agjentët e BND-së do të pyeten nga deputetët gjermanë



Pasi u larguan nga Kosova, ku u mbajtën nën arrest si të dyshuar për pjesëmarrje në atentatin me bombë ndaj zyrës së BE-së, tre agjentët e shërbimit informativ gjerman BND do të dalin këtë javë përpara zyrës së kontrollit të Parlamentit Gjerman. Kryetari Thomas Operman, nga Partia Socialdemokrate (SPD), tha për gazetën “Süddeutsche Zeitung” se nga tre agjentët do të kërkohet të paraqesin versionin e tyre të ngjarjes. Edhe një tjetër anëtar i zyrës së kontrollit parlamentar, liberali Maks Stadler, kërkoi marrjen në pyetje të tre agjentëve. Operman ka këshilluar që çështja të mos fryhet pasi, sipas tij, nuk është rasti të flitet për një skandal shtetëror. Shërbimi informativ BND dhe të majtët akuzuan qeverinë gjermane për angazhim të pamjaftueshëm për lirimin e tre agjentëve. Tre agjentët gjermanë u liruan të premten në mbrëmje nga një trup gjykatësish ndërkombëtarë të Gjykatës së Prishtinës. Gjykatësit pranuan kërkesën e avokatëve për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj klientëve të tyre me pretendimin se nuk ka prova të mjaftueshme se tre agjentët gjermanë mund të ishin përfshirë në sulmin e 14 nëntorit.

Ramush Haradinaj rizgjigjet kryetar i AAK-së

Partia AAK ka rizgjedhur, me shumicë dërrmuese votash, në krye të saj Ramush Haradinajn. Ky është mandati i tretë i tij në krye të partisë kryesore opozitare, e cila në vitet e kaluara ka udhëhequr me qeverinë e Kosovës. Aleancës i është bashkuar edhe zyrtarisht publicisti dhe botuesi i të përditshmes “ZERI”, Blerim Shala, ndërkohë që ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk, është zgjedhur këshilltar politik i kryetarit të partisë.
Ramush Haradinaj bëri me dije se partia e tij po bëhet gati për zgjedhjet e reja parlamentare, që, sipas tij, do të duhej të mbaheshin në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Autoritetet kosovare kanë thënë se zgjedhjet do të mund të mbahen vetëm pasi të jetë kryer mandati pas katër vjetësh.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›