E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi emëron negociatorin e ri për emrin



Negociatori i ardhshëm në bisedimet mes Athinës dhe Shkupit do të jetë ambasadori i Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zoran Jolevski. Ai do të zëvendësojë ambasadorin Nikolla Dimitrov, të cilin kohë më parë e shkarkoi nga kjo detyrë presidenti maqedonas Branko Cërvenkovski. Me kërkesë të negociatorit të ri, në bisedimet e ardhshme do të vazhdojnë të marrin pjesë edhe dy bashkëbiseduesit e deritashëm, Nikolla Dimitrov dhe Martin Protugjer. Qeveria maqedonase njoftoi dje edhe ndërmjetësin ndërkombëtar në bisedimet Athinë-Shkup për çështjen e emrit të Maqedonisë, Metju Nimiç.

BE-ja, pa datë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë

Bashkimi Europian ende nuk e ka vendosur datën përfundimtare të fillimit të operimit të misionit EULEX në Kosovë. Deklarata u bë nga Kristina Galak, zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së Havier Solana. Megjithatë, Galak tha se misioni i BE-së gjithsesi do ta fillojë punën e tij gjatë kësaj jave. Ajo u shpreh: “2 dhjetori nuk është i garantuar, por data do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim”. “Gjithsesi, kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave”, - tha Galak për gazetën “Novosti”. Dje, në Prishtinë u zhvillua një protestë kundër planit gjashtëpikësh të Ban Ki Munit dhe inplementimit të këtij plani në Kosovë. “Kundër 6-pikëshit për sovranitet”, kjo ishte motoja e kësaj proteste, e cila u organizua në mesditë nga organizatat joqeveritare në Prishtinë. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, është shprehur se qytetarët kanë qenë të shqetësuar pas konfuzionit të krijuar në lidhje me vendosjen e EULEX-it. Por ai theksoi se strukturat vendore do ta përkrahin shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e vendit. “Ne do të bashkëpunojmë me EULEX-in derisa i përmbahen parimeve që janë caktuar në shkurt të këtij viti për vendosjen e këtij misioni”, - tha Rexhepi. Gjendja e sigurisë në Mitrovicë gjatë fundjavës ishte e qetë dhe pa ndonjë incident që do të reflektohej në aspektin e përgjithshëm të sigurisë, - u tha në takimin e Komitetit të Sigurisë.

Jansha merr ofertë për t’u bërë sekretar i Përgjithshëm i NATO-s

Aleanca Euroatlantike i ka ofruar ish-kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Lajmi u bë i ditur nga mediat sllovene, të cilat më pas sqaruan se Jansha nuk ka ndërmend të kandidojë për këtë post, por as të pranojë një vend më të ulët se sekretar i Përgjithshëm apo komisionar europian i BE-së. Sipas burimeve, në ambientet e NATO-s mbizotëron ideja që postin e sekretarit ta marrë një nga politikanët e vendeve të reja anëtare për të arritur kështu edhe një kompromis mes SHBA-ve dhe BE-së. Burimet sqarojnë se duke qenë se Çekia dhe Polonia janë vende shumë proamerikane, kandidatët e tyre nuk do të mbështeteshin nga vende si Gjermania dhe Franca, ndërkohë që një kandidat nga Sllovenia vlerësohet si një kompromis i mirë. Mandati i sekretarit aktual të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, skadoi sivjet, por Aleanca e zgjati deri në maj në mënyrë që të përgatisë kremtimin e 60-vjetorit të organizatës më 4 prill.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›