Berlini: Integriteti nuk diskutohet, veriu pjesë e Kosovës
BERLIN- Për Qeverinë gjermane është shumë e qartë: Integriteti i Kosovës nuk vihet në diskutim. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Gjermane, Andreas Peschke. Në një intervistë për Deutsche ëelle, Peschke ka thënë se, “ata që kanë një qëndrim tjetër përpiqemi t'i bindim që Kosova tashmë ka zënë vend në bashkësinë e popujve dhe se ne e mbështesim atë që të luajë rolin e duhur në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”. Ndërkaq Peschke i ka bërë apel Serbisë për më shumë pragmatizëm në lidhje me Kosovën ndërsa për Kosovën ka sugjeruar më tepër shpejtësi në reforma. “Kjo nuk është një çështje e lehtë për Serbinë. Ne për këtë kemi mirëkuptim. Por apelojmë vazhdimisht tek qeveria e Beogradit që çështjet e hapura në lidhje me Kosovën t’i trajtojë në mënyrë sa më konstruktive dhe pragmatike”, theksoi ai. Peschke i ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës se rruga e demokratizimit dhe e reformave nuk ka përfunduar. “Shpejtësia e reformave duhet të rritet. Kosova duhet të bëjë hapa përpara edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne do ta shoqërojmë atë në këtë rrugë me simpati dhe miqësi dhe do ta mbështesim edhe më tej”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Gjermane, Andreas Peschke. (e.n/DW/BalkanWeb)