Tryeza me aleatët: Negociatat, vetëm mes Ramës dhe Berishës
Opozita nuk do të pranojë asnjë format tjetër negociatash përvec atij të realizuar nga vetë kryetarët, Berisha dhe Rama. Ky ka qenë konkluzioni në të cilën ka dalë, pas 2 orësh diskutime, tryeza e aleatëve të majtë, thirrur nga kryesocialisti Rama, për t’i informuar pikërisht për mbledhjen e një dite më parë me kryeministrin në Presidencë. Theksi vihet sërish tek hapja e kutive të votimit, i cili sipas PS duhet të përfshihet në ngritjen e Komisionit Parlamentar. Aleatët deklaruan se në rast se negociatat nuk japin rezultat, atëherë përgjigja do të jetë protestë.
“Kjo është demokraci perëndimore, që përkrahim, janë kryeministri aktual
dhe kryeministri në hije. Nëse se zgjidhin krizën ajo ka dy rrugë, o në
tryezë o populli kërkon të drejtën kushtetuese si e shkelur nga
qeveria. E drejta që komisioni i hetimit parlamentar ka te drejte te bej
rinumerimin e votave dhe hapjen e kutive”, deklaroi Spartak Ngjela.
“Tani nuk ka bisedë të drejtpërdrejtë të paktën për ditët e ardhshme,
midis dy drejtuesve por tashmë “topi” është në zyrën e Topit, tek
presidenti i Republikës. Dhe une gjej rastin që ti bëj thirrje
Presidentit të Republikës që të respektojë të drejtën kushtetuese të
opozitës për hapjen e kutive. Ky nuk do të jetë një favor që dikush mund
ta interpetojë që presidenti po bën ndaj opozitës, por është një e
drejtë kushtetuese e Presidentit që në përputhje me Kushtetutën dhe
ligjin ti japë rrugëzgjidhje ashtu sic dëshirojnë të gjithë krizës
politike”, tha Paskal Milo, kreu i PDS-së.
“Kishte ardhur koha që dikush tia thoshte në sy Berishës që jo vetëm që
doli i pabesë, po dhe burrë i padrejtë se shkeli ligjin. Sot zoti
Berisha mundohet të largojë vëmendjen. Berisha të dashurohet me
transparencën, jo vetëm me vjedhjen, me drejtësinë, jo me korrupsionin.
Besoj që eshte e kotë që të kemi negociata deri në pafundësi”, u shpreh
Erion Veliaj, kreu i G99.
“Ajo që ishte më e rndësishmja, bashkëpunimi me opozitën. Shkelja e
kodit zgjedhor ku thelbi ishte dy anëtar të KQZ të hapin kutitë në cdo
vend, është e vetmja pengesë e krizës poltike që ka zhytur vendin. Sot
opozita nuk ka kërkesa ndaj maxhorancës, po thjesht kërkon transparencën
e zgjedhjeve”, deklaroi Nard Ndoka, kreu i PDK.
Anisa Braho
Azhornuar së fundi ( e diel , 14 shkurt 2010 )
< I mëparshmi