Berlini-Serbisë:Të implementohen marrëveshjet me Kosovën

I mandatuari për krijimin e qeverisë së re serbe, Ivica Daçiç, gjatë vizitës në Gjermani ka marrë mesazhin e qartë se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian varet nga implementimi i marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Kushtet janë ato që kanë qenë, do të thotë të realizohen marrëveshjet e arritura, të implementohet ajo që është rënë dakort në Bruksel, të arrihet marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjetikën, të shmangen incidentet dhe të ruhet paqja e stabiliteti në Kosovë. Pra, sa u përket çështjeve të përgjithshme rreth progresit tonë për në Bashkimin Evropian, kjo nënkupton se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Daçiç.
Ai ka shtuar se është e domosdoshme që bisedimet të udhëhiqen jo vetëm në nivel teknik, por edhe në nivelin më të lartë politik. “Është e nevojshme të bisedohet jo për atë nëse duhet Serbia ta njohë Kosovën, sepse këtë sigurisht nuk do ta bëjmë, por për atë se si të mundësojmë paqen dhe stabilitetin në Kosovë, ndërsa Serbia të ketë rrugën evropiane pa u kushtëzuar vazhdimisht me çështjen e Kosovës” shtoi ai.