Halimi: Shqipëria, jashtë hartës problematike të krimit të organizuar

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se Shqipëria ndodhet jashtë hartës problematike të krimit të organizuar. Duke folur në konferencën “Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale”, Halimi theksoi se Shqipëria nuk është më një vendstrehim për bandat dhe krimin e organizuar.
"Sot është një ditë ku gjyqtarët kanë të drejtë të krenohen për një kontribut historik që kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar. Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartoj paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të” theksoi Halimi.
Gjithashtu Halimi, duke e vlerësuar si të suksesshëm zbatimin ligjit antimafia në kuadër të luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar ka deklaruar se që nga zbatimi i tij është rritur me 200% konfiskimi i aseteve kriminale në vlerë monetare.
“Pak vite më parë miratuam një nga ligjet më të rëndësishme ligjin antimafia, opozita e kundërshtoi me orë të tëra, por qeveria ishte e vendosur duke e cilësuar betejë me tolerancë zero këtë betejë ndaj krimit të organizuar dhe bandave. Që të luftosh krimin duhet ta godasësh atje ku i dhemb më shumë, tek pasuria. Vetëm vlera e pasurive të sekuestruarave nga Krimet e Rënda është mbi 20 milionë euro, dhjetëra apartamente banimi të sekuestrua çdo vit, njësi tregtare, biznese, troje, automjete luksoze që përbëjnë rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar”- tha ai.
Ministri Halimi ka falenderuar gjithashtu gjykatësit për punën e bërë në luftën kundër krimit të organizuar. “Sot kam kënaqësinë që një trupe gjyqësore ti drejtohem me një falënderim për punën, përkushtimin në të mirë të drejtësisë në luftën e pareshtur ndaj krimit. Jemi jashtë hartës problematike të krimit të organizuar, qytetarët e bëjnë gjumin e qetë, bandat janë brenda kangjellave të burgjeve” shtoi ai.
Nga ana e tij ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi se krimi i organizuar është sfidë për gjithë vendet e Ballkanit. Sipas tij janë bërë hapa konkrete në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri ndërsa shtoi se misionin Euralius do të vijojë të mbështesë Gjykatën e Krimeve të Rënda në luftën ndaj krimit të organizuar.