E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishujt Maldive njohin zyrtarisht Kosovën

Ishujt Maldive kanë njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës. Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shahed përmes një letre që i ka dërguar homologut kosovar Skënder Hyseni. Më herët gjatë ditës edhe kryetari i AKR-së Bexhet Pacolli njoftoi për njohjen nga ishujt Maldive. Ministri Hyseni deklaroi se meritat për njohjet që i bëhen Kosovës i kanë qytetarët dhe institucionet e vendit.Ishujt Maldive bëhen shteti i 55-të që njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Përmes një letre të dërguar në adresë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, shefi i diplomacisë së shtetit Maldive njofton homologun kosovar Skender Hyseni se vendimi u mor pas shqyrtimit të rrethanave që i përkasin Kosovës dhe faktit se një numër i madh i vendeve e kanë njohur atë. Ministri Hyseni komentoi edhe vizitën e shefit të UNMIK-ut Lamberto Xanier në Beograd. Sipas tij qëndrimi i Prishtinës tashmë është i njohur se nuk e pranon planin gjashtë pikësh të Kombeve të Bashkuara dhe me Serbinë bisedon vetëm si dy shtete të barabarta. Shefi i diplomacisë kosovare tha se Serbia nuk do të ketë sukses me fushatën e saj për të penguar Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Së shpejti sipas Hysenit Kosova do të pranohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›