E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi shet centralin bërthamor në Shqipëri për zgjedhjet në Itali

Deklarata Kryeministri italian: “E kemi diskutuar mundësinë e centralit në Shqipëri”

Ideja për një central bërthamor që disa politikanë në Itali besojnë se mund ta ndërtojnë në Shqipëri, u kthye sërish dje në qendër të vëmendjes së medias, për shkak të një deklarate që Kryeministri Silvio Berlusconi bëri në Pulja në një intervistë për “La Gazzetta Del Mezzogiorno”.

“Ministri Claudio Scajola këmbëngul për rikthimin e Italisë tek energjia bërthamore. Ju vetë keni hedhur hipotezën për ndërtimin e një centrali në Shqipëri. Por në këtë mënyrë, a nuk po rrezikoni që të dorëzoni thelbin e sistemit energjetik kombëtar te duart e një shteti tjetër? Në të gjitha rastet, në Pulja centralin nuk e duan as e majta dhe as e djathta. çfarë po mendoni të bëni?” Kjo ishte pyetja e gazetarit Giuseppe de Tomaso.

“Fillojmë nga Pulja për të sqaruar se ky rajon nuk ka nevojë për një central bërthamor, për shkak se ka burime të mjaftueshme energjetike për të mbuluar konsumin”, iu përgjigj Berlusconi. “Gjithsesi besoj se Italia duhet të punojë për të ulur kostot e energjisë elektrike; kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi ynë vijon me ndërtimin e centraleve që na largojnë nga varësia e importimit të naftës. Sot energjia i kushton sipërmarrjeve tona së paku 30 për qind më shumë se sa mesatarja e Europës. Kjo do të thotë se prodhimet tona dalin nga fabrika me një ngarkesë kostosh që nuk mund t’i përballojmë. Referimi im për krijimin e centraleve në Shqipëri qe një reflektim më i gjerë dhe përfshihej në projekte bashkëpunimi me një vend mik. Shtoj se hipoteza të tilla janë përpunuar sakaq në nivel teknik edhe nga Banka Europiane e Investimeve”, tha Kryeministri italian.
Berlusconi gjendet në Pulja këto ditë për të mbështetur kandidatin e vet si president i rajonit.

Italia ndërtoi tre centrale bërthamore në vitet ‘80 me synimin për të konkurruar në kostot e prodhimit të energjisë Francën, e cila është vendi që përdor më shumë nga të gjithë energjinë bërthamore. Por pas aksidentit të çernobilit, italianët votuan në një referendum kundër kësaj energjie. Që nga ajo kohë, Italia importon një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike nga Franca, ku centralet bërthamore janë ndërtuar me shumicë përgjatë kufirit italian. Italianët paguajnë 25.5 cent të euros për kilovat/orë ndërkohë që francezët paguajnë 13.2 cent.

Që prej tre vjetësh, në Itali, Shqipëri, Kroaci, Slloveni dhe Malin e Zi, qarkullojnë thashetheme në rang politik mbi projekte për centrale bërthamore në këto vende. Por asnjë projekt konkret nuk është diskutuar. Të pyetur nga agjencia “Reuters”, zyrtarët e kompanisë “Enel” kanë deklaruar se “ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri është një ide shumë-shumë afatgjatë”.

Në Shqipëri, ideja e centralit bërthamor u deklarua për herë të parë nga Kryeministri Sali Berisha në verën e vitit 2007, kur shqiptarët po vuanin krizën më të rëndë energjetike që nga elektrifikimi i vendit në vitet ‘70, me ndërprerje në furnizim deri në 10 orë në ditë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›