Vizat, më 15 prill KE publikon raportin teknik për Shqipërinë
Arta Tozaj, Bruksel
Komisioni Europian do të publikojë më 15 prill vlerësimet e ekspertëve mbi kriteret e përmbushura nga Shqipëria dhe Bosnja për çështjen e liberalizimit të vizave. Ndërsa propozimi ligjor për heqjen e vizave, siç rrëfeu një zyrtar i lartë i komisionit për “Top Channel”, do t’i dërgohet Parlamentit në javën e fundit të muajit maj. “Vlerësimi do të përmbledhë qëndrimin e ekspertëve europianë, si dhe qëndrimet e autoriteteve shqiptare e boshnjake”, tregoi zyrtari i komisionit. I njëjti burim rrëfeu se Ministria e Jashtme ka dërguar të hënën me shkrim vërejtjet e palës shqiptare lidhur me vlerësimin e ekspertëve, duke ofruar shifra të reja. Ndërsa të martën në Bruksel për këtë çështje është zhvilluar një takim konfidencial me ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha. “Për ne shqetësuese paraqiten lëvizjet e stafit në polici, ku personat e trajnuar për një punë nuk bëjnë atë, por diçka tjetër. Kjo është shumë e dëmshme për procesin. Po kështu kërkuam nga autoritetet shqiptare që të bëjnë fushata sensibilizuese, e jo politike, për t’u treguar qytetarëve detyrimet e procesit të liberalizimit të vizave”, u shpreh zyrtari i komisionit. Sipas tij, fushata duhet t’u tregojë qytetarëve se nuk kanë të drejtë punësimi dhe azili, por vetëm të drejtë qëndrimi për turizëm më pak së 90 ditë në zonën Shengen. Dy janë problemet për Shqipërinë, kriza dhe emigracioni shqiptar në BE gjatë 20 viteve të fundit, plus faktin që azilkërkuesit maqedonas e shqiptarë kanë deklaruar se kanë kombësi shqiptare. Të njëjtat burime thonë se Bosnja gëzon një besim më të lartë se Shqipëria edhe për përmbushjen e kritereve teknike, ndërsa e shohin përfshirjen e Shqipërisë në një grup me Bosnjën si një avantazh për vendin tonë. Por e kundërta është kërkuar nga Kryeministri shqiptar në takimin dypalësh me homologun e tij slloven në konferencën e Bërdos të shtunën e kaluar. Burime pranë kabinetit të Borut Pahor rrëfyen se ishin shtangur kur Sali Berisha kishte insistuar që Shqipëria të mos vlerësohet në një grup me Bosnjën, edhe pse homologu slloven i ka përsëritur se kjo gjë është në të mirë të vendit. Pavarësisht zërave për të ndarë dy vendet në këtë proces, zyrtari i lartë i Komisionit Europian tregoi se rekomandimi për Shqipërinë dhe Bosnjën pritet të jetë pozitiv, por njësoj si për Malin e Zi dhe Serbinë një vit më parë, kusht mbetet rishikimi në vjeshtë i përmbushjes së kritereve të paplotësuara ende. Për këtë arsye, parashikohet që në shtator një grup ekspertësh të vizitojnë sërish dy vendet e rajonit.
#