Abuzime me ndihmën ekonomike
Kryetari i Komunës së Liqenasit dhe disa punonjës të tjerë të kësaj komune janë çuar për ndjekje penale për shkak të abuzimeve me ndihmën ekonomike. Sipas policisë, kanë nisur hetimet ndaj kryetarit të komunës me minoritet maqedonas, Edmond Themelko, dhe ndaj shtetasve Ilia Themelko, Spase Vurmo dhe Sterjo Kotefski. Policia thotë se këta persona janë çuar për ndjekje penale dhe po hetohen në gjendje të lirë, pasi kanë abuzuar me detyrën, duke futur në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike persona që nuk i plotësojnë kriteret. Por sipas kryetarit të komunës, ai nuk është në dijeni të këtij hetimi. Por kryetari i Komunës Liqenas thotë se dokumentet e ndihmës ekonomike janë të rregullta dhe sipas tij nuk është vënë në dijeni për këtë hetim dhe nuk është marrë në pyetje. “Unë nuk kam dijeni për këtë hetim dhe që jam çuar për ndjekje penale. Në komunë trajtohen me ndihmë ekonomike 50 familje, që janë brenda skemës, ekzistojnë dokumente të rregullta dhe i plotësojnë kriteret si familje në nevojë. Nuk ka asnjë përfitues jashtë kritereve dhe ata persona që janë të përfshirë në skemë, nuk kanë të ardhura dhe janë të papunë”, tha Themelko.
#