Berluskoni: “E vleresoj Adrianon”

Silvio Berluskoni, presidenti i Milanit, ëndërron gjithmonë për të bërë të tijin Adrianon, pavarësisht formës së varfër të sulmuesit brazilian të Interit. Kampioni i Europës, që po vuan nga dështimi i rekrutimit të bomberit të Kaljarit, David Suazo, të transferuar te rivali lombard, është duke spekuluar ditët e fundit për një kalim të mundshëm të sulmuesit interist. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën sportive italiane "La Gazetta dello Sport", Berluskoni kujton se gjithmonë e ka dashur Adrianon dhe se brazilianët bashkohen gjithmonë rreth Milanit.
Padroni i "Kuqezinjve" pohoi gjithashtu se porta është e hapur për Andrij Shevcenkon, por deklaroi se pronari i Celsit, Roman Abramovic, kërkon shumë për të lënë yllin ukrainas. Berluskoni shton se "Sheva do të ishte një plotësues ideal për Ronaldon në vijën sulmuese". Jashtë vëmendjes së Berluskonit nuk ishin as emrat e tjerë të mëdhenj si Ronaldinjo dhe Samuel Eto. Ish-kryeministri pohoi: "E di që është një ëndërr e parealizueshme. Presidenti i Barcelonës më tha se nuk dilte dot më në Spanjë nëse do të shiste Ronaldinjon". Edhe për kamerunasin Eto'o tratativat janë të vështira. "Negociatat janë shumë të komplikuara", - shpjegoi Berluskoni, që shtoi se kurrë nuk do të lejonte që të largohej Kaka, i cili kërkohet me forcë nga Reali i Madridit. Milani ka në listën e kërkesave dhe sulmuesin Antonio Kasano si dhe mesfushorin brazilian Emerson, të dy të Realit të Madridit.