Të dënuarit VIP aplikojnë për masa lehtësuese
Autori i Lajmit: Redaksia
Në faqen elektronike të Gjykatës së Tiranës ka disa persona të ashtuquajtur VIP, të cilët kanë aplikuar për masa lehtësuese. Ish-kreu i firmës piramidale “Kambo Marshall”, Ylli Kambo, i është drejtuar gjykatës për të disatën herë për ulje dënimi. Kërkesa ndodhet në duart e gjykatës dhe në javët në vazhdim do ti jepet një vendim përfundimtar. Një kërkesë tjetër për lirim nga burgu është realizuar nga Aleksandër Kuqo, i arrestuar në Berat për disa krime të rënda. Ai pretendon se “gjykata e vendit mund të vendosë lirimin e të burgosurit, kur vazhdimi i burgimit mund të rrezikojë jetën e tij”. Një masë tjetër lehtësuese e personave nën hetim, nën gjykim dhe të dënuar, është edhe vendosja e masës së sigurisë qëndrim në shtëpi, ose me punë të detyruar, si edhe dënimi i copëzuar. Në rastin e fundit, në Kodin Penal parashikohen të gjitha rastet kur i dënuari mund të përfitojë. “Për dënimet deri në një vit burgim, gjykata, kur vëren rrethana të rënda familjare, mjekësore, profesionale apo shoqërore, vendos që dënimi të ekzekutohet me copëzime jo më të vogla se dy ditë në javë. Në çdo rast, ekzekutimi i vendimit duhet të përfundojë brenda tri vjetëve”, thuhet në Kodin Penal.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010