SHBA: “Çka Shqipëria i bëri Rusisë, e papërsëritshme”
Autori i Lajmit: Androkli DraloSHBA - 29 mars 1964 – Më 20 shkurt Bashkimi Sovjetik njoftoi se ata do ti jepnin hua në rubla Bullgarisë deri në 333 milionë dollarë për zhvillimin e saj industrial në 5 vitet e ardhshme. Më 25 shkurt Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Din Rask, bëri një deklaratë të rëndësishme për të shpjeguar se “përse ne i trajtojmë vendet komuniste ndryshe”. Në mënyrë sipërfaqësore, marrëveshja e huas dhe fjalimi i Raskut nuk kishin shumë lidhje me njëri-tjetrin dhe koha në të cilën ato ndodhën ishte thjesht një koincidencë. Por në të vërtetë, ato përfaqësojnë përgjigjet e kundërta sovjetike dhe amerikane për një çështje të ndryshme, por me interes reciprok: Ndryshimet në Evropën Lindore. Ndryshimi në vendet e Evropës Lindore të dominuara nga sovjetikët si Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Gjermania Lindore, ka ardhur kaq shpejt, sa kërcënon tua kalojnë dhe politikave të Moskës dhe Uashingtonit. Dy superfuqitë e kanë kuptuar këtë në dy mënyra të ndryshme: Shtetet e Bashkuara me një kënaqësi të përmbajtur, ndërsa Bashkimi Sovjetik me një frikë pothuaj të fshehur – dhe të dyja janë përpjekur për të bërë diçka rreth kësaj. Domethënë, për huatë dhe fjalimin. Për analistët oferta sovjetike për hua mund të konsiderohet një e mesme mes shpërblimit dhe ryshfetit. Shpërblimi është për besnikërinë ndaj Moskës, ndërsa ryshfeti që të shmangen tundimet e së ardhmes për tu larguar nga gjiri i tyre. Huatë sinjalizojnë gjithashtu se Moska e ka braktisur planin e saj për të bashkuar Evropën Lindore në një njësi të ngushtë ekonomike të integruar me Bashkimin Sovjetik dhe për këtë ka vendosur ti mbajë këto shtete satelite të rajonit të lidhura mbas tij në një formë pak a shumë individuale. Rumania është shembulli i pengesave sovjetike dhe shfaqja e nacionalizmit të saj vitin e shkuar bëri që Bukureshti ti rezistonte skemës sovjetike të integrimit që do të kishte frenuar rritjen e saj ekonomike, ndërsa ekonomia e vendit do të prodhonte vetëm prodhime gjysmë të gatshme dhe ushqim. Duke marrë parasysh atë çka kishte kuptuar gjatë statusit kolonial të Perandorisë Sovjetike, Bukureshti ka tentuar me një seri lëvizjesh të shkojë drejt Kinës Komuniste, rivales kryesore të Rusisë në botën komuniste. Rumania mund ta bënte këtë për shkak se ndarja Moskë-Pekin u ka dhënë një shans vendeve të tjera komuniste që të vetëpozicionohen pas rënies së perdes së hekurt Lindje-Perëndim, tensioni i së cilës i lejoi Moskës të kërkonte protektoratin e saj evropianolindor. Këto zhvillime u dhanë të njëjtën mundësi dhe vendeve të tjera komuniste, edhe pse shumë pak vende të tjera e kanë shfrytëzuar situatën si Rumania. Arsyet për këtë janë komplekse. Një vend relativisht i pazhvilluar, Rumania ka pasur një arsye të veçantë ekonomike për të penguar planet sovjetike për të. Ky vend ka një lëvizje më të madhe dhe të sigurt në kufi me Jugosllavinë. Qeveria e Bukureshtit ka fituar një mbështetje në masë nga populli që bazohet tek krenaria kombëtare e të mosqenit një popull sllav, dhe premtimi për një jetë më të mirë. Rumania është mbështetur gjithashtu që të gjejë tregje dhe ndihma në Perëndim, veçanërisht në Evropën Perëndimore. Sidoqoftë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet ekzagjeruar kjo liri veprimi që ka fituar ky vend. Rumania është pjesë e Traktatit të Varshavës. Për shkak se Rumania dhe Rusia janë fqinje, secila ka arsye të forta për të siguruar se ato do të ruajnë marrëdhëniet miqësore dhe do të ndihmojnë njëra-tjetrën. Dy të tretat e shkëmbimeve tregtare të Rumanisë kryhen ende me vendet komuniste. Udhëheqësit e saj janë komunistë, ashtu si të Rusisë dhe, me sa duket, ndajnë të njëjtin besim. Çështë më e rëndësishmja, qeveria komuniste e Rumanisë është sjellë nga armët e Rusisë. Derisa të marrë ose jo një mandat nga populli, ajo duhet të mbështetet tek Bashkimi Sovjetik për të qëndruar në pushtet. Rumania e di këtë mirë, ashtu siç e di çdo regjim tjetër komunist në rajon. Për ta kompensuar varësinë, çdo regjim është përpjekur të marrë mbështetjen popullore. Sekretari i Parë i PKBS-së, Nikita Hrushov, në fakt, i ka nxitur këto përpjekje, edhe pse nuk është kënaqur gjithnjë nga rezultatet e tyre, sepse vendet më të suksesshme i kanë shkaktuar më shumë probleme. Përpjekjet e vendeve të Evropës Lindore për të fituar mbështetjen popullore, ose të paktën tolerancën e tyre, kanë përfshirë lëshime të ndryshme – ekonomike, fetare, kombëtare dhe kulturore. Kështu, Rumania i dha fund mësimit të detyruar të gjuhës ruse. Polonia bëri një marrëveshje me kishën katolike, duke shkëmbyer diçka nga toleranca fetare me mbështetjen politike të kishës. Hungaria lëshoi shumicën e të burgosurve politikë të 1956-ës. Çekosllovakia po liron disa nga stalinistët më besnikë. Sovjetikët janë përpjekur që ta vazhdojnë stalinizmin, por me vdekjen e udhëheqësit sovjetik dhe diskreditimin e kultit të tij, ata nuk janë më të organizuar. Reagimi ushtarak do të ishte krejtësisht jashtë çdo përpjesëtimi me llojin e sotëm të provokimit. Kontrolli politik është tensionuar: Moska në vitin 1961 ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, spiunin evropian të Kinës, por sot nuk mund të gjejë asnjë “satelit” tjetër të shkojë deri në atë pikë. Tani ekspertët mendojnë se disa “satelitë” po pengojnë përpjekjen sovjetike për të kontrolluar Kinën. Atyre u pëlqen rebelimi pa komplekse i Kinës. Presioni ekonomik është po aq i vështirë për tu aplikuar nga Evropa Lindore sa edhe gjetja e partnerëve të rinj ekonomikë gjetkë. Në këtë kontekst, huatë sovjetike për Bullgarinë duket për shumë vetë si një shpërblim për sjelljen e mirë të Sofjes në të shkuarën dhe në të ardhmen. Regjimi i Sofjes është stalinist dhe jopopullor, nga standardet rajonale, por dhe nga mënyra e pakëndshme se si varësia ndaj Moskës nuk i ka lejuar të marrin një “çmim” nga rusët për besnikërinë e tyre. Ironikisht, duke iu bindur Moskës, ata e kanë marrë çmimin – ndihmë për rritjen industriale – të njëjtën ndihmë Rumania e mori duke e sfiduar Rusinë se do të niste shkëmbimet tregtare me Perëndimin. Shteteve të Bashkuara gjithashtu, u është dashur të luftojnë për të qenë në garë, edhe pse më me pak ngut, pasi dihet se Evropa Lindore është më pak e rëndësishme për Uashingtonin se Moskën. Politika e saj e jashtme, e krijuar për ti shërbyer tradhtisë jugosllave më 1948 dhe ndryshimit të pozicionit polak më 1956, ka qenë për të ofruar një alternativë për varësinë e plotë ndaj Bashkimit Sovjetik. Kjo politikë ka pasur parasysh ndihmë ushtarake dhe ekonomike për dy njerëz të shquar dhe zgjidhjen e problemeve bilaterale – pretendimeve, krenarisë kombëtare, borxheve, konsullatave dhe çështjeve të tilla. Vlerat e vërteta dhe simbolike të ndihmës amerikane u kanë lejuar dy superfuqive që të ruajnë shkallën e pavarësisë që kanë arritur. Politika dhe mënyra se si ajo është zbatuar, është përputhur me atë amerikane në Evropën Lindore deri në vitin 1963. Më pas u panë të hapeshin mundësi të reja, ndërsa u vu re se opinioni publik, mendimi i kongresit dhe prirjet administrative po vepronin si pengesë në fleksibilitetin e Amerikës për tiu qasur këtij rajoni. Kur përmirësimet e situatës së brendshme në Hungari detyruan SHBA-në të lehtësonte presionin e saj mbi këtë vend në Kombet e Bashkuara vitin që shkoi, 60 kongresmenë i shkruan Departamentit të Shtetit për ti kërkuar shpjegime. Bojkotet në masë të qytetarëve të mallrave që vijnë nga Evropa Lindore dhe mbajtja e tarifave specifike më të ulëta për vende si Polonia dhe Jugosllavia, ka shërbyer gjithashtu për të bindur Departamentin e Shtetit që po vepronte shumë afër cakut të tolerimit nga opinioni publik dhe Kongresi. Me ligjin e sotëm, asnjë vend tjetër nuk pranohet të ketë një trajtim të diferencuar të tarifave siç e kanë Polonia dhe Jugosllavia. Këto ishin në vëmendjen e deklaratës së Sekretarit të Shtetit, Rask, në fjalimin e tij të 25 shkurtit: “Përse ka dallime në trajtimin e vendeve të ndryshme komuniste”. Zëvendëssekretari i Shtetit, U. Everel, Harriman, u përqendrua tek idetë e Raskut për Evropën Lindore në një deklaratë për Shtëpinë e Bardhë më 10 mars. Këto deklarata theksuan ndryshimet në Evropën Lindore. Çelësi i tyre ishte sipas fjalëve të Tajlerit: “Nëse forcat e historisë, gjeografisë dhe ndryshimeve janë duke u përpjekur për të pasur me këtë apo atë Evropë Lindore kontakte më normale me jetën evropiane, pavarësisht kontrollit komunist, është në interesin tonë që të ndihmojmë me sa të mundemi”. Rasku, duke folur në Kapitol Hill, tha se çfarë nënkuptohej kur thuhej “të ndihmojmë sa të mundemi”. Ai tha se “do të ishte frytdhënëse marrja parasysh e organit aktual legjislativ” në përputhje me shkëmbimet tregtare Lindje-Perëndim.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010