Takimi i tre krerëve Topi, dialogu ka nisur, do të ketë një tryezë tjetër
Autori i Lajmit: RedaksiaPrej afro 6 muajsh deputetët e PS-së kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë, duke pretenduar transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit me hapjen e kutive të votimit.
Takimi i djeshëm i negociuar nga Presidenti Topi mes Ramës dhe Berishës nuk ishte vendimtar, ashtu siç edhe pritej. Kryeministri Sali Berisha ishte i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Kryetarit të opozitës, Edi Rama, i cili shoqërohej nga Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Pas përfundimit të tryezës ka ardhur dhe deklarata e Presidentit Bamir Topi.
Presidenti Topi
Kreu i shtetit është treguar i kujdesshëm për të mos mbështetur asnjërën nga palët që u ulën në tryezë, por i ka falënderuar njëkohësisht për vullnetin e rifillimit të dialogut. Sipas Topit, ky është edhe momenti më pozitiv, dialogu ballë përballë dhe jo në distancë. “Momenti më i mirë është rifillimi i dialogut politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Të dyja palët dhanë një angazhim shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut të vazhdojë, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre si individë”- theksoi Topi. Duke u fokusuar tek tryeza politike, Topi deklaroi se përfundimi i saj nuk ishte pozitiv, por nënvizoi se dialogu mes palëve do të vazhdojë. “Tryeza nuk doli në përfundime pozitive, kuptojmë se rifillimi i një dialogu të drejtpërdrejtë, jo nga distanca lë të kuptohet se bashkëpunimi do të vazhdojë në të mirë të së ardhmes dhe politikës shqiptare” – u shpreh kreu i shtetit.
Roli i Presidentit në negociata
Presidenti Topi sqaroi edhe rolin që do të vazhdojë të ketë në lidhje me dialogun mes opozitës dhe maxhorancës. Kreu i shtetit u shpreh se, “Ramë dakord që Presidenti të vazhdojë, të eksplorojë, të kërkojë konvergjencën, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën e përbashkët. Kjo jep shpresë që kjo tryezë mbi bazën e vullnetit politik të japë sigurinë se në Shqipëri demokracia funksionin”- përfundoi Topi duke falënderuar edhe medien për ndjekjen e situatës hap pas hapi. “Unë besoj që momenti më pozitiv i ditës së sotme është predispozicioni për tu ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik midis dy elementëve substanciale të demokracisë, mes mazhorancës dhe opozitës”, tha Topi.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010