E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Laçi mposht 3-2 Flamurtarin, ndizet ëndrra evropiane

Autori i Lajmit: RedaksiaLaçi triumfoi 3-2 ndaj Flamurtarit në ndeshjen hapëse të javës së 21-të të Kategorisë Superiore, në një takim ku të pestë golat u realizuan në 45 minutat e para. Një trepikësh tjetër i çmuar i kurbinasve të Stavri Nicës, në fitoren e 8-të sezonale e që konsolidon vendin e katërt befasues të Laçit (31 pikë) të ardhur nga Kategoria e Parë. Takimi nisi me dy gola të shpejtë në harkun e gjashtë minutave të para, ku në të 2realizoi mbrojtësi Ervis Kaja e katër minuta më pas, Emiljano Veliaj me një gjuajtje mbresëlënëse. Sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli, me golin e tij në minutën e 26-të rihapi takimin, por dy minuta më pas afrimi dimëror i Laçit, Eduart Tanushi, i çoi shifrat në 3-1.
Për Memellin, golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar (22 gola) e kampion me Tiranën, ky ishte goli i katërt sezonal dhe i treti rresht me fanellën e Flamurtarit, pas atyre të shënuar kundër Besës dhe Apolonisë. Fraksioni i parë i lojës ka kohë edhe për një gol tjetër, kësaj radhe nga mbrojtësi i Flamurtarit, Elton Grami, (42), edhe ky në golin e dytë rresht me kuqezintë vlonjatë. Shifrat 3-2 rezistuan deri në përfundim të takimit, që solli edhe fitoren e 8-të sezonale të Kastriotit, por dhe barazimin midis dy skuadrave në 17 ndeshje historike kundrejt njëra-tjetrës: 7 fitore Laçi, 7 fitore Flamurtari (3 barazime).
Flamurtari, nga ana tij, pas dy fitoreve rresht shijon sërish humbjen, e 10-ta sezonale, duke mbetur në kuotën e 21 pikëve.

Kronika

Një parullë e tifozëve kurbinas, në të cilën shkruhej “Para Laçi! Evropa është pranë”, ka qenë deviza e ndeshjes së parë të javës së 21-të të superligës, luajtur të premten në Laç, mes skuadrës vendase dhe Flamurtarit të Vlorës. Plot 5 gola të shënuar, një lojë e bukur dhe e fortë, ku vendasit kanë dalë fitimtarë, duke mundur vlonjatët me rezultatin 3-2. Të pesë golat janë shënuar në pjesën e parë, ndërkohë që 45 minutat e dyta janë përshkruar nga një lojë e kujdesshme e vendasve, në mbrojtje të epërsisë, dhe vlonjatëve, që pak kanë guxuar drejt portës së Llanit. Ndeshja ka nisur me gol, pasi qysh në minutën e dytë, pas një lëmshi në zonën vlonjate, Brahja devijon me kokë një top të ardhur nga këndi, të cilin e shtyn për në rrjetë mbrojtësi Kaja. Kjo, edhe falë një hezitimi të mbrojtjes vendase. Nuk ka ku të shkojë më bukur për vendasit, që duken të karikuar për të marrë 3 pikët në këtë ndeshje. Por, nuk do të vononte dhe, në minutën e 6-të, mesfushorit beratas i Laçit, Veliaj, lëshon një silurë, nga rreth 30-35 metra largësi, duke befasuar portierin Moçka. Topi përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Flamurtarit, aty ku Moçka nuk ka çfarë ti bëjë. Rezultati shkon në 2-0, duke dhënë përshtypjen se gjithçka ka mbaruar në kaq pak kohë dhe vendasit nuk do të kishin probleme. Por trajneri Magani nuk dorëzohet, përkundrazi, i udhëzon lojtarët e tij të luftojnë fort dhe lirshëm, sepse nuk kanë asgjë për të humbur. Duke shfrytëzuar edhe terrenin e shkëlqyer të fushës së Laçit, ata rrisin presionin në prapavijën e bardhezinjve. Mesfusha vlonjate dominon ndaj asaj kundërshtare, kështu që mbrojtja e Laçit ka shumë punë për të bërë, që të evitojë rrezikun e dyshes Memelli-Roshi. Përmes një kombinimi mes këtyre dy lojtarëve, Flamurtari gjen golin e parë në minutën e 27-të. Topi i futur pas krahëve të mbrojtësve laçianë, nga Odise Roshi, gjen Memellin të lirë, përballë Llanit, i cili se ka të vështirë të konkludojë. Ankthi shtohet. Flamurtari merr zemër, ndërsa vendasit, që kishin humbur raste të tjera të pastra për shënim, nuk u besojnë syve. Megjithatë, fati nuk i braktis ata, sepse vetëm dy minuta më vonë, pas golit të Memellit, është sulmuesi vendas, Tanushi, ndër më të mirët në fushën e lojës, që devijimin me grushta të portierit Moçka, e shtyn në rrjetën e tij, i gjendur fare pranë. Laçi fiton sërish “terren” në rezultat, duke kapërcyer edhe ndonjë goditje psikologjike, të mundshme. Minutat e lojës vijojnë të rrjedhin me sulme dhe kundërsulme, derisa në të 42-tën, pas një krosimi në zonën e Laçit, Grami godet bukur me kokë, duke e dërguar topin në këndin e majtë të Llanit. Rezultati ngushtohet në 3-2, i cili përmbyll pjesën e parë, por në fakt nuk ndryshoi as në pjesën e dytë. Pas pushimit mes dy pjesëve, kur pritej që Flamurtari të rriste përpjekjet për të barazuar, nuk ndodh kjo. Ndoshta lojtarët vlonjatë kanë humbur diçka nga freskia e tyre fizike, ndërkohë që të besuarit e trajnerit Nica i thyejnë sulmet e tyre që në mesfushë. Nuk kanë munguar rastet për gol edhe në pjesën e dytë, por rezultati nuk ka ndryshuar, edhe pse Laçi, me anë të Marashit, ka goditur edhe një shtyllë. Dy përforcime cilësore të janarit këto për Flamurtarin, që i japin më shumë garanci skuadrës vlonjate për të mbijetuar në superligë. Zona evropiane, edhe pse këtë se përflet asnjeri në radhët e lojtarëve dhe drejtuesve kurbinas, ka nisur të ëndërrohet nga tifozët e Laçit, të cilët, dje, bashkë me të gjitha detajet e tjera të një ndeshjeje futbolli, por edhe të dy skuadrat, që dhuruan emocione e luftë burërore sportive, meritojnë “notën 10”. Natyrisht, “dhjetë me yll” për Laçin, që po i befason të gjithë me ecurinë e tij. Ndërkohë, sot do të luhen dy ndeshje të tjera të javës së 21-të të superligës, Vllaznia-Skënderbeu dhe Kastrioti-Apolonia, kurse të dielën, do të luhen ndeshjet Shkumbini-Tirana dhe Teuta-Gramozi. Java e 21-të do të mbyllet ditën e hënë, me ndeshjen e fundit, Shkumbini-Dinamo.

KATEGORIA SUPERIORE
Java e 21-të
(12.02.2010)
LAÇI-FLAMURTARI 3-2
Shënues: Kaja 2′, Veliaj 6′, Tanushi 29 / Memelli 27, Grami 42
Gjyqtarë: A.Janku, G.Qirici, D.Salaj
(13.02.2010)
VLLAZNIA - SKENDERBEU
KASTRIOTI - APOLONIA
(14.02.2010)
SHKUMBINI - TIRANA
TEUTA - GRAMOZI
(15.02.2010)
DINAMO – BESA

Kategoria I

Lushnja - Elbasani "luhet" në transfertë

Lushnja dhe Elbasani, dy ekipet e mëdha të Kategorisë së Parë e që ndajnë bashkërisht vendet 2-3 me pikë të barabarta, nga 35, do të përballen në transferta diametralisht të kundërta.
Lushnja e Artan Banos është përballë një sfide shumë të vështirë në Velipojë kundër Adës së vendit të katërt (31 pikë), ndërsa Elbasani i Muharrem Dostit në një vizitë në Cërrik kundër Turbinës modeste. Në fazën e parë, të dyja skuadrat i fituan takimet respektive, Lushnja fitoi 2-0 me Adën në “Roza Haxhiu” (golat u shënuan nga Dorian Bubeqi dhe Klodian Arbri), ndërkohë që Elbasani mori tri pikët në “Ruzhdi Bizhuta” falë një goli të realizuar nga Jasmin Rraboshta në minutën e 30-të. Duke folur për takimin kundër Adës, sulmuesi beratas i Lushnjës, Klodian Arbëri, autori i një prej golave në fitoren e fazës së parë dhe pesë golave sezonalë, tha: “Ndaj Adës do ti shprehim të gjitha cilësitë tona, duke luajtur futbollin më të mirë që ka skuadra. Kundërshtari është një skuadër interesante dhe shumë i fortë në shtëpi”. Në fakt, Ada ka fituar 8 nga 9 takimet e luajtura në Velipojë (1 barazim), duke qenë njëherësh një makinë e frikshme golash: 31 të tillë, aq sa ka realizuar Lushnja në total gjatë 17 javëve. Lushnja do të jetë pa sulmuesin Dorian Bubeqi (të skualifikuar), golashënuesin më të mirë të saj dhe të kampionatit të Kategorisë së Parë (12 gola), por edhe pa mbrojtësin Alert Alcani, autorin e golit të fitores 1-0 kundër Turbinës një javë më parë. Ada nga ana e saj nuk ka asnjë futbollist të skualifikuar. Elbasani, pas fitores 3-0 kundër Sopotit një javë më parë, duket se sdo ta ketë dhe aq të lehtë ndaj librazhdasve, të cilët humbën me vetëm një gol me Lushnjën në javën paraardhëse. Ndeshja në Cërrik do të zhvillohet në masa të rrepta sigurie, por ajo që vendos nën stres kampin elbasanas janë masat e pritshme drastike në rast dështimi ndaj Turbinës. Elbasani shpesh herë shfaqet i brishtë në ndeshjet jashtë shtëpisë, 4 humbje në 8 takime, përfshirë edhe atë në javën e parë të fazës së dytë me Besëlidhjen në Lezhë (3-2).

Ky lajm është publikuar: 13/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›