E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia e radhës, leksione në kinoklub

Rektorati i UT-së, ofron 4 zgjidhje për fillimin e leksioneve në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka ofruar katër mundësi për zgjidhjen e problemit të krijuar pas pezullimit tri javor të leksioneve në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale. Dhori Kule, në cilësinë e rektorit, është shprehur se mundësia e parë për akomodimin e 4 mijë studentëve, është kinoklubi i Qytetit Studenti, i cili sipas tij ka salla të mjaftueshme për të zhvilluar në mënyrë normale leksionet. Zgjidhja e dytë është gjimnazi Petro Nini Luarasi në kryeqytet, fare pranë godinave të fakulteteve. Nëse përzgjidhet kjo shkollë, leksionet do të zhvillohen në orët e pasdites, pas përfundimit të mësimit. Opsioni i tretë janë sallat e Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Drejtues të rektoratit të Universitetit të Tiranës, pas bisedimeve me drejtues të rektoratit të Universitetit Politeknik, kanë rënë dakord që studentëve në fakultetet ku janë pezulluar leksionet, t’u jepet mundësi të ulen në auditoret e fakultetit në fjalë. Mundësia e fundit ku mund të akomodohen studentët, janë sallat e leksioneve në Universitetin e Kamzës. Ajo që dihet tashmë, është fakti se godinat e Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale, nuk do të jenë në shërbim të studentëve, deri në përfundim të vitit akademik. Rektori Kule, ka parë si të vetmen mundësi zgjidhje, ngritjen e kampusit universitar, i cili do të arrinte të ulte numrin e lartë të studentëve në auditore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›