E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Kaka të pres! Leonardo? Nuk na tradhtoi

ROME-Silvio Berluskoni ka folur sërish dje për titullin kampion të fituar pas 7 vitesh, duke i dhënë fund hegjemonisë së Interit në Serinë A italiane. Padroni i Milanit është shprehur i lumtur me këtë trofe, që i mungonte skuadrës kuqezi që prej vitit 2004, kur ajo drejtohej nga Karlo Ançeloti. "Ka qenë një titull i merituar, - tha ai për Radion Kiss Kiss. - Ne të Milanit jemi të lumtur, sepse jemi konfirmuar si skuadra më e titulluar e botës. Gjatë sezonit kemi kaluar momente dramatike, me shumë dëmtime, sidomos te sulmuesit, por në fund kemi arritur të fitojmë", shtoi Berluskoni. Numri 1 i Milanit ka cituar edhe njëherë Santiago Bernabeun, si "numri 2 në historinë e futbollit", duke kërkuar që stadiumit t'i vihet emri i tij. "Atij, tifozët i kanë dedikuar një stadium, ndërsa mua do të më mjaftonte edhe vetëm njëri krah, një mbishkrim i vogël në stadiumin "San Siro", ku të thuhet: "Milani i ka fituar të gjitha këto gjëra nën drejtimin e Silvio Berluskonit". Do të më pëlqente, do të kënaqesha shumë me këtë. Të fitosh nuk është e lehtë. Duhet të bësh shumë sakrifica ekonomike dhe të kesh me vete edhe fatin", deklaroi Berluskoni.
Leonardo
Berluskoni ka përfituar edhe nga rasti për të sqaruar temën Leonardo, që 5 muaj më parë u bë trajner i Interit edhe pse dikur ishte një legjendë e Milanit. "Nuk kam menduar kurrë keq për Leon. Të gjithëve atyre që flisnin për tradhti, u kam shpjeguar se futbolli është një sektor profesionist dhe se Leo bëri mirë që pranoi ofertën e Interit", tha presidenti i Milanit. Por, pasi shprehu simpatinë e tij për kapitenin e Romës Françesko Toti, Berluskoni foli edhe për merkaton e sidomos për Kakanë, që dy vjet më parë u largua drejt Realit të Madridit për shifrën e 66 milionë eurove. "Rikardo është një njeri i jashtëzakonshëm, jemi të gatshëm ta presim me krahëhapur nëse do të dëshironte të kthehej te Milani. Hamshik? Nuk mendoj se Napoli ka ndërmend të shesë një yll, kjo edhe për shkak të objektivave që ka për të ardhmen", deklaroi më tej Silvio Berluskoni.
Sedorf
Por, dita e djeshme ishte edhe ajo e Klarens Sedorf. Pas shumë vitesh si futbollist i Milanit, holandezi duket në fund të karrierës me këtë klub, për shkak të skadimit të kontratës. E në fakt, Milani nuk ka ndërmend të rinovojë me të. "Raporti im me Milanin? Për të gjithë besoj se është e rëndësishme të bëhen disa qartësime, - tha mesfushori për Sky Sports. - Për fat të keq unë jam në një situatë, ku pyetjeve që më bëjnë për të ardhmen time, u them që kam një takim me Milanin. Unë nuk dua që diskutimi të lidhet me idenë, nëse unë do të qëndroj apo jo. Nuk dua të dëgjoj zërin e mediave, sepse kam një raport të shkëlqyer me Galianin dhe nëse ai ka diçka për të më thënë, do ta bëjë këtë. Akoma nuk ka ndodhur, ndërsa unë jam duke marrë oferta prej 6 muajsh. Deri më tani gjithsesi nuk kam marrë asnjë vendim, kjo edhe për shkak të respektit që kam për Milanin", shtoi Sedorf.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›