E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Më mirë të dalim nga Afganistani

Vdekja e 6 ushtarëve italianë në Afganistan e cilësuar si goditja më vdekjeprurëse për vendin që nga viti 2004 ka ndezur debate në politikën italiane mbi pasojat e kësaj lufte. Nga Brukseli, kryeministri Silvio Berluskoni një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara deklaroi se do të ishte e udhës që ushtarët italianë të ktheheshin sa më parë në shtëpi. Megjithatë pavarësisht kostos politike dhe financiare të luftës ai u tregua i kujdeshëm të deklaronte se ushtarët e vrarë një ditë më parë në Kabul nga sulmi kamikaz, ranë për lirinë e demokracinë, duke shtuar se Italia nuk do të tërhiqte e vetme 3100 trupat e saj por në bashkëpunim me forcat aleate. Sidoqoftë deklarata e tij është më e forta që vjen nga rradhët e liderëve europianë, të cilët indirekt kanë ngritur shpesh dyshime të forta për efikasitetin e misionit të Natos në Afganistan. Por një tërheqje e mundëshme e tyre, ndoshta do të çonte në një dobësim të marrëdhënieve me Uashingtonin. Presidenti Barak Obama e ka vënë Afganistanin në krye të listës së prioriteteve dhe një largim i nxituar i aleatëve nga ky vend ndoshta mund të konsiderohet edhe si lënie në baltë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›