Berluskoni: “Ronaldinjo, tërë jetën te Milani”
Silvio Berluskoni prezantoi Milanin e ri. Pas kontestimit të tifozëve padroni kuqezi foli për objektivat që i ka vënë trajnerit Masimiliano Algeri. “Të fitojë gjithçka”. Për Ronaldinjon: “Për mua ai është lojtari më i mirë të gjithë kohërave. Do të qëndrojë më ne. Më ka dhënë fjalën. Shpenzimet e mia? Familja ime ka investuar 1.5 miliardë euro në 25 vjet”.
RONALDINJO – Përsa i përket së ardhmes të Ronaldinjos, Silvio Berluskoni i siguroi të gjithë: “Nuk kam folur tani së fundi me të, por gjatë sezonit të kaluar e kam telefonuar të paktën një herë në javë. Me të kam një pakt: derisa të luajë futboll do të qëndrojë më ne. Dhe për karakteristikat e tij jam i sigurt se do të vazhdojë të luajë në një moshë të avancuar. E konsideroj si futbollistin më të fortë të të gjitha kohërave”. Për të konfirmuar qëndrimin e Dinjos foli edhe administratori i deleguar, Adriano Galiani. “As Ronaldinjo dhe as vëllai i tij nuk kanë kërkuar kurrë asgjë. Dhe asnjë klub nuk e ka kërkuar”.
SKUADRA– “Grupi ynë i lojtarëve duket kompetitiv me çdo skuadër tjetër, - vazhdoi Berluskoni. “Fola pak më parë me Alegrin dhe i thashë se asnjë skuadër nuk ka lojtarë të klasit të Pirlos, Patos, Ronaldinjos dhe Sedorfit. Pastaj nuk mund të fitosh gjithmonë, pasi konkurrenca është e fortë dhe ne në Europë nuk kemi shkuar keq. Në dy kampionatet e fundit kemi qenë sipër Romës dhe prapa vetëm pas Interit që ka investuar një thes me para”.
INVESTIMET – “Prezantimi i kësaj skuadre është i rëndësishëm, pasi është skuadra me më shumë tituj ndërkombëtarë në botë. Jam presidenti që kam fituar më shumë. Pas meje, është vetëm i famshmi Santiago Bernabeu, të cilit në Madrid i kanë kushtuar një stadium, por ka fituar gjysmën e asaj që kam fituar unë. Tifozëve ju kujtoj se në vitet e fundit kam investuar 461 milionë euro, askush në vitet e kaluara në Itali ka bërë më shumë. Familja ime ka derdhur thuajse një miliard e njëqind milionë euro në 25 vjet te Milani. Janë para të një pasioni”.
ALEGRI – Berluskoni foli edhe për zgjedhjen e trajnerit të ri të Milanit, Masimiliano Alegri. “Pamë të ai identiktin e një trajneri që dëshironim te skuadra jonë. Misioni tij është gjithmonë i njëjtë: të fitojë. Dëshiroj një Milan gjithmonë sulmues”.
LEONARDO – Padroni i Milanit nuk e mohoi se kishte pasur divergjenca me paraardhësin e Algrit, Leonardon. “E vlerësoj shumë Leonardon. Ishte një person i zoti. Kam pasur me të vizione të ndryshme se si ta hidhnim në fushë skuadrën. Ta vendoste Paton në të djathtë nuk ia kam sugjeruar kurrë, por rezultatet nuk erdhën edhe për shkak të shumë dëmtimeve. Ronaldinjo? Duhet të luajë pas sulmuesve. Këto gjëra ia kam thënë Alegrit”.
Berluskoni fishkëllehet nga tifozët
Fishkëllima dhe sharje nga rreth 2 mijë tifozë për presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni, i arritur në Milanello për të qenë i pranishëm në ditën e parë të stërvitjes së kuqezinjve. Milani zyrtarizoi mbërritjen e Socratis Papasthopoulos. Qendërmbrojtësi 22 vjeç nënshkroi një kontratë pesë vjeçare. Ndërkombëtari grek u shit gati 5 milionë euro nga klubi i tij në Itali, Xhenoa.
SHKURT
Bekham zëvendëson Kapelon ?
Fabio Kapelo bëri të ditur se një trajneri i ri anglez do të jetë në stafin e tij teknik përpara shtatorit. Njeriu që do të marrë punën do të jetë David Bekham, i cili mund të pasojë italianin pas Euro 2012, për një numër arsyesh.
Lëv, trajner edhe për dy vjet
Joachim Lëv do ta drejtojë Gjermaninë edhe për dy vitet e ardhshme. Lajmin e dha gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Lëv është në Kombëtaren gjermane nga 12 korriku i vitit 2006, kur ishte së pari ndihmës i Jurgen Klinsmann.
La Liga, Barça-Real, më 28 nëntor
Derbi i parë i Spanjës për sezonin 2010-2011, Barcelona-Real Madrid, do të luhet më 28 nëntor në “Camp Nou”. Takimi i kthimit në “Santiago Bernabeu”, më 27 prill 2011.
Domenek kërkon 2 milionë euro
Ish-trajneri i Francës, Rajmond Domenek, i kërkoi Federatës Franceze të Futbollit 2 milion euro dëmshpërblim për prishje të imazhit, pasi kjo e fundit emëroi Laurent Blank përpara se kontrata e Domenek të përfundonte më 31 korrik.
Arsenali ndalon vuvuzelat
Arsenali dhe Totenhemi vendosën të ndalojnë hyrjen e vuvuzelave të famshme në stadiumet e tyre. Sipas tyre, ato përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e shikuesve në stadiume.
Ribery dhe Benzema para gjyqit
Frenk Riberi dhe Karim Benzema, të dyshuar se kanë pasur marrëdhënie me pagesë me një prostitutë minorene, do të dalin para gjyqit. Nëse shpallen fajtorë mund të dënohen me 3 vjet burg dhe 45 mijë euro gjobë. Dy futbollistët francezë Karim Benzema dhe Franck Ribery, u pyetën nga policia e Parisit. Lajmin e konfirmoi radio RTL. Dy lojtarët janë të akuzuar për kryerjen e raporteve seksualen me minoren Zahia Dahar.
Spanjë-Portugali, organizatore të KB 2014?
Spanja do të bëjë gjithçka për të organizuar Botërorin e vitit 2018 në bashkëpunim edhe me Portugalinë. Kandidatët e tjerë janë Belgjikë-Holandë, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Australia. Vendimi përfundimtar do të bëhet i ditur, më 2 dhjetor, nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s.
Xherard: “Do të qëndroj te Liverpuli”
Kapiteni i Liverpulit, Stivën Xherard, konfirmoi se ai do të qëndrojë te “Reds”, duke deklaruar se është i nxitur nga dëshira për të luajtur pranë blerjes së re Joe Cole. Xherardi shprehu admirimin e tij për trajnerin e ri Roy Hodgson.
Santosi refuzon Çelsin për talentin Nejmar
Klubi brazilian i Santos refuzoi ofertën e bërë nga Çelsi për yllin e ri, Nejmar. Mediat braziliane thanë se oferta ishte rreth 20 milionë euro. Sulmuesi 18-vjeçar, që sipas Santos kushton rreth 35 milionë euro, është më përfoluri në Brazil për momentin.
Europa “luan” në merkato
Drogba - Klubi i sheikut Al Mansour tenton të blejë sulmuesin e fuqishëm të Çelsit, Didier Drogba, duke i ofruar lojtarit nga Bregu i Fildishtë 20 milionë euro për tri vitet e ardhshme.
Eduardo- Sipas “Skysports”, sulmuesi kroat me origjinë braziliane, Eduardo, do të largohet nga Arsenal për t’u angazhuar në Ukrainë me Shahktar Dontesk
Zeman - Klubi italian, Foxhia, përzgjodhi Zdenek Zeman si trajnerin e ri. Tekniku dhe stafi i tij do të prezantohen të mërkurën.
Jol - I afruar nga Fulham për të zëvendësuar Roy Hodgson (tashmë trajner te Liverpuli), Martin Jol refuzoi të shkonte në Angli. “Do të qëndroj te Ajaksi”, - tha trajneri holandez për “De Telegraaf”.
Toti- Kapiteni i Romës, Francesko Totti, falënderoi pronarët aktualë të klubit verdhekuq, familjen Sensi, për gjithçka kanë bërë për skuadrën romane.
21 Korrik 2010