E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohet kalendari për “Vitin Nënë Tereza” në Kosovë



Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, ka publikuar kalendarin e ngjarjeve dhe të aktiviteteve, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Përpos disa ngjarjeve të cilat tashmë janë mbajtur, si botime të ndryshme dhe orë letrare, gjysma e dytë e këtij viti do të përcillet me aktivitete të tjera. Sekretari të përhershëm i Ministrinë e Kulturës, Salih Morina, ka thënë se publikimi i kalendarit tregon të gjitha aktivitetet të cilat do të ndodhin gjatë këtyre muajve. Disa prej aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtyre muajve janë koncerti i Filarmonisë dhe i Operës së Kosovës që do të mbahet më 5 shtator, me rastin e manifestimit qendror, i cili mbahet në kuadër të përurimit të Katedrales së re në Prishtinë. Sipas Morinës, ky organizim do jetë njëkohësisht njëri ndër më të mëdhenjtë e këtij viti. Kalendari i ngjarjeve vazhdon me ekspozitën e foto-dokumenteve dhe Katalogun e botimeve të librave, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, pastaj “Botimi i veprës poetike të Nënë Terezës” në gjuhën shqipe, angleze dhe gjermane dhe disa botime të tjera. Promovimi i librave të botuar për Nënën Terezë dhe botimi i veprës së Don Lush Gjergjit, “Nëna e dashurisë” , po ashtu kanë zënë vend në kalendar. “Përpos meshës qendrore në Katedralen e re në Prishtinë, do të ketë edhe koncert vokalo-instrumental me vepra muzikore kushtuar Nënës Terezë në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Fakulteti i Arteve, më pas spektakli televiziv i organizuar nga organizata “Ura e Solidaritetit” dhe koncerti i Filarmonisë së Operës së Kosovës”, ka treguar Morina. Ndërsa viti do të përmbyllet edhe me aktivitete siç janë: konkursi për artin pamor me temë jetën dhe veprën e Nënës Terezë, dhe ndarja e disa çmimeve “Medalja Humanitare Nënë Tereza”. Ndërsa në Prizren do të bëhet përurimi i shtëpisë përkujtimore “Nënë Tereza - Gonxhe Bojaxhiu”.

Shkëlqim Kokonozi me tre gjini në “DidArt”

Peisazhe, portrete, kompozime janë punët e piktorit Shkëlqim Kokonozi në galerinë “DidArt”. Me këto tri gjini të pikturës ka vendosur të bëjnë për vete artdashëisit e pikturës në kryeqytet piktori Shkëlqim Kokonozi. Në këto ditë të nxehta korriku ai do të prezantohet në galerinë Didart me një ekspozitë vetjake. Pas disa ekspozitash të përbashkëta dhe të suksesshme, Shkëlqim Kokonozi ka vendosur t’u flasë vetëm me gjuhën e tij të artit qytetarëve të Tiranës. Në ekspozitën që çelet sot, në galerinë “DidArt”, ai do të prezantohet me 14 tabllo, të realizuara me vaj mbi kanavacë. Kokonozi spikat për stilin e tij të veçantë në realizimin e portreteve, ku ai abstragon fort me figurën e njeriut, duke shprehur një këndvështrim krejt personal të tij. Kokonozi njihet për stilin e tij të veçantë në realizimin sidomos të portreteve, ku figura vjen e abstraguar dhe shpreh një pikëvështrim ndryshe të autorit. Të 14 pikturat janë realizuar gjatë këtij viti dhe i prezantohen për herë të parë publikut të kryeqytetit. Ekspozita hapet sot dhe do të qëndrojë e hapur për publikun gjer më datë 10 gusht.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›