Zbulohen në Gjirokastër katër varre antike
Para pak ditësh, katër varre që i përkasin periudhës historike antike të shekullit IV – III Para Krishtit janë zbuluar krejt rastësisht nga një ekspeditë informative arkeologësh në qendër të Luginës së Drinos, në afërsi të ish-kompleksit të stallave të lopëve në Valare të Komunës së Lunxhërisë, në Rrethin e Gjirokastrës. Lajmin e pohon për gazetën “Albania” Zyra për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Varret e vjetra ndodhen në fund të një parcele në bregun e majtë të rrjedhës së lumit Nimica, një prej degëzimeve që zbret nga shpatet e Malit të Lunxhërisë dhe ushqen me derdhjet e tij lumin Drino. Zbulimi i grupit të varreve antike është bërë të dielën gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos, të drejtuar nga arkeologu prof. dr. Dhimitër Çondi. Sipas banorëve të zonës, fillimisht varret janë zbuluar në fillim të viteve ’80 gjatë punimeve të mjeteve bujqësore për sistemimin e parcelave përreth ish-kompleksit të mbarështimit të gjedhit, por prej asaj kohe askush nuk ka treguar interes për gërmimin dhe studimin arkeologjik të këtij objekti të rrallë të lashtësisë. Ndërsa sipas arkeologut Çondi, që kryesonte ekspeditën për fotografimin e siteve, kështjellave dhe objekteve monumentale në Luginën e Drinosit, bëhet fjalë për një varrezë antike me diametër rreth 30 metra, që si rezultat i ndërhyrjes brutale dhe shkatërrimit me buldozerë 25–30 vjet më parë tani i kanë mbetur vetëm katër varre, dy prej tyre të plotë dhe dy të dëmtuar pjesërisht. “Kemi të bëjme me katër varre të rregullt, të ndërtuar me pllaka monolite prej guri nga shtufi i zonës përreth, që janë pjesë e një varreze më të madhe në formë rrethore që i përket periudhës historike antike, të cilët, për çudi, as janë identifikuar nga strukturat e ruajtjes së monumenteve dhe as janë gërmuar deri tani nga ekspertët e arkeologjisë”, - shprehet Çondi.
6 Mars 2008