Zhgënjen Partizani, Dinamo dominon
Dash Frashëri
Rekordmeni i Kupës së Shqipërisë, Partizani, ruan ende shpresa për një kualifikim të mundshëm në gjysmëfinalet e kupës, kjo falë golit të realizuar me kokë nga mesfushori shkatërrues Bledar Devolli në minutën e 89-të, në humbjen 3-1 me Dinamon në “Selman Stërmasi”, në një takim ku pati jo pak nota nervozizmi dhe katër kartonë të verdhë (kjo falë edhe bujarisë së gjyqtarit Jareci).
KONTRAST I KUQ
I mësuar me tapetin e “Qemal Stafës”, atje ku mposhti 10 ditë më parë Dinamon, duket se stadiumi i dytë i kryeqytetit i “zë” lojtarët, pasi edhe në ndeshjen e parë kundër Dinamos në kampionat, Partizani humbi 2-0. Partizani, që të shtunën dhuroi një shfaqje të madhe futbolli dhe karakteri në fitoren 4-1 me Tiranën në “Qemal Stafa”, ishte tërësisht i zbehtë dhe pa karakter në lojën e tij, kjo edhe për shkak se Dinamo, tashmë në duart e Ilir Dajës, realizoi shumë shpejt.
ISHI-ALLMUÇA
Golin e parë për “blutë” e realizoi ish-mesfushori i Partizanit, Ilgi Allmuça, i cili i gjendur në zonën e vogël në kohën e duhur dhe në vendin e duhur mposhti Shehin në minutën e 5-të, edhe për një pakujdesi fatale të mbrojtjes së Partizanit. Allmuça, një ish-lojtar kampion i Tiranës, po shfaqet kështu në rolin e një goleadori, duke marrë parasysh edhe dy golat në fitoren 2-0 të Dinamos në kampionat.
MAGJIA “KOTORI”
Partizani ishte dy herë pranë golit. Muzaka ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë ballore nga 17 metra, por Kotori, portieri më i mirë i kampionatit, grushtoi mjeshtërisht. Në të 29’, mesfushori i avancuar, Elis Bakaj, u ndodh befasisht në zonën e vogël dinamovite, por gjuajtja diagonale e lojtarit të Kombëtares u devijua me një hedhje në ekstrem të portierit dinamovit.
RIKTHIMI I PEJIÇ
Sulmuesi Pero Pejiç, në krizë goli në kampionat, por jo në kupë, ishte në një ditë shumë të mirë në terrenin rrëshqitës të “Selman Stërmasit”, ku shirat e rrëmbyeshëm përpara fillimit të ndeshjes nuk e ndalën galopimin e gjigantit kroat. Në minutën e 31-të, Pejiç u bë “maja” e një aksioni të shpejtë të Dinamos, por kroati rrëshqiti në momentin e fundit brenda zonës, pavarësisht se ai i kërkoi gjyqtarit Jareci të akordonte penallti. Gjithsesi, Pejiç, i mbështetur fuqimisht nga mesfusha “blu”, arriti të mbyllte pjesën e parë 2-0, kur në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë realizoi me një gjuajtje të prirët.
ZËVENDËSIMET E LIKËS
Trajneri i Partizanit kuptoi qartë se lojtarëve të tij u mungonte forca e duhur për të qenë agresivë dhe në fillim të pjesës së dytë hodhi në fushë sulmuesin Malindi në vend të Abilaliajt dhe Karapicin në vend të kapitenit Dhëmbi (në ditë të errët dhe me karton të verdhë në këtë takim).
GAFA E SHEHIT
Kur pritej që Partizani të shkurtonte diferencën, erdhi edhe goditja e tretë. Ishka goditi nga larg, ndërsa portieri i Partizanit, Orges Shehi, nuk arriti ta zotërojë sferën, që pasi u përplas në duart e gjoksin e tij devijoi drejt shtyllës për të përfunduar në rrjetë në minutën e 68-të.
GOLI I NDERIT
I ndodhur befasisht në disavantazh 3-0 dhe thuajse i skualifikuar, Lika e orientoi skuadrën totalisht drejt sulmit, dhe në një prej aksioneve të shumta të 20 minutave të fundit gjirokastriti Devolli shënoi edhe golin e nderit për Partizanin pesë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt dhe katër minutave të kohës shtesë.
DREJT GJYSMËFINALEVE
Dinamo duket më afër drejt pjesëmarjes për herë të 30-të në gjysmëfinale, ndërkohë që Partizani për të marrë pjesë për të 32-n herë në katër më të mirat e vendit duhet të fitojë pas një jave në “Qemal Stafa” me një diferencë prej tre golash.
SHENJA “+” E DINAMOS
Kjo ishte ndeshja e 36-të midis këtyre skuadrave në Kupën e Shqipërisë, ku “pjata” e fitoreve anon nga Dinamo, me 18 të tilla, kundrejt 11 të Partizanit (7 barazime) në 23 edicione ku ato janë përballur. Edhe kualifikimet kanë shenjën “+” për Dinamon: 11, kundrejt 10 të Partizanit.
Zekeria autoeurogol, Vllaznia shpreson
Një autogol i vonshëm i mbrojtësit të Besës, Zekeria Ramadani, i dhuroi një barazim të çmuar Vllaznisë (2-2) në ndeshjen e parë çerekfinale të zhvilluar të mërkurën (5 mars) në Kavajë.
Në të dy golat e skuadrës së Sulejman Starovës, merita i takon blerjes dimërore së kavajasve, Artim Shaqiri. Sulmuesi 34-vjeçar shqiptaro-maqedonas dha asistin e golit të parë të realizuar nga kapiteni i Besës, Parid Xhihani, në minutën e 40-të (me të cilin u mbyll dhe pjesa e parë), por edhe në golin e avantazhit të dytë (2-1) të kavajasve të realizuar nga mbrojtësi Andi Lila (70’).
Për skuadrën e Mirel Josës, me Grimën e rikthyer në portë, shënoi fillimisht sulmuesi i mirënjohur Vioresin Sinani (51’), ndërsa Zekeria Ramadani realizoi një autogol spektakolar dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Për t’u përmendur është edhe goditja e shtyllës pingule nga ana e lojtarit të Besës, Emiljano Veliaj.
Në ndeshjen e kthimit (12 mars 2008), Vllaznisë, 5 herë fituese e Kupës, i mjafton çdo lloj fitoreje, por edhe barazimet 0-0 dhe 1-1 për të kaluar për herë të 26-të në gjysmëfinale. Barazimi 2-2 brenda kohës së rregullt dhe shtesave do t’i çonte të dy ekipet te gjuajtjet e penalltive.
Besës, fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, i duhet patjetër fitorja apo edhe një barazim 3-3 apo më shumë për të qenë për herë të 11-të midis katër më të mirave të vendit në edicionin e 56-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Në 20 takime të zhvilluara midis dy ekipeve, shifrat favorizojnë Vllazninë: 10 fitore për kuqeblutë, 7 barazime (përfshirë edhe ndeshjen e së mërkurës) dhe vetëm 3 fitore për Besën.
Edhe raporti i kualifikimeve flet për skuadrën veriore: në 10 edicionet e mëparshme, 8 herë është kualifikuar Vllaznia dhe vetëm 2 herë Besa.
Laze falas për tifozët, Teuta barazon
Edhe pse presidenti i Elbasanit, Arben Laze, hapi dyert e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” për siguruar mbështetjen e “tigrave verdheblu” (4 mijë të pranishëm) për të motivuar skuadrën drejt një fitoreje kundër Teutës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, 90 minutat fiksuan barazimin 1-1. Për Elbasanin e Krenar Alimehmetit realizoi Roland Nënaj në minutën e 35-të pas krosimit të Arben Nuhiut. Për durrsakët e Kristaq Miles barazoi Ermal Gega në minutën e 77-të. Gjithçka mbetet e hapur në përballjen në “Niko Dovana”, ku më e favorizuar duket Teuta, së cilës i mjafton edhe një barazim pa gola 0-0 për të marrë për herë të 17-të në gjysmëfinalet e një Kupe të Shqipërisë.
Elbasanit, 2 herë fitues i kupës, i duhet patjetër fitorja ose edhe një barazim 2-2 për të kaluar për herë të 9-të mes katër më të mirave. Dy skuadrat janë ndeshur midis tyre 18 herë: 5 fitore për Teutën, 4 për Elbasanin dhe 9 barazime. Raporti i kualifikimeve: 5-4 për Elbasanin.
Autokritikë shembullore, formalitet bardheblu
Tirana përsëriti sërish fitoren 3-0 në transfertë me Kastriotin, por kësaj radhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, në takimin e zhvilluar në fushën sportive të qytetit të Laçit.
Një autokritikë e pastër e formacionit bardheblu pas humbjes fatale 4-1 me Partizanin në javën e fundit të fazës së parë.
Skuadra e Sulejman Memës është e vetmja për të cilën mund të thuhet me 100 për qind siguri se është qysh në përfundim të 90 minutave të para në katër më të mirat e Shqipërisë, arritje që do të ishte edhe 29-ta herë për 13 herë fituesit e Kupës.
Klodian Duro shënoi golin e parë në limitin e pjesës së parë (45’), ndërsa Daniel Xhafaj dyfishoi rezultatin në minutën e 52-të. Florenc Arapi me golin e tij në njëzet minuta përpara përfundimit të takimit vulosi shifrat 0-3. Në anën e Tiranës janë edhe statistikat: në 14 ndeshje me formacionin krutan, 13 fitore u përkasin kryeqytetasve dhe vetëm 1 Kastriotit. Kualifikimet i përkasin të gjitha Tiranës: 5 të tilla.
Turi i Tretë
5 mars 2008
Takimet e para
1.Kastrioti–Tirana 0-3
K. Duro 45’, D. Xhafaj 52’,
Arapi 70’
2.Elbasani-Teuta 1-1
Nenaj 35’ / Gega 77’
3.Besa-Vllaznia 2-2
Xhihani 40’ Lila 67’ /
Sinani 51’, Ramadani (aut) 88’
4.Dinamo-Partizani 3-1
Allmuça 5’, Pejiç 45+2’,
Ishka 68’ / Devolli 89’
12 mars 2008
Takimet e kthimit
1.Tirana - Kastrioti
2.Teuta - Elbasani
3.Vllaznia - Besa
4.Partizani - Dinamo
Ndeshjet fillojnë në orën 14:30
Disiplina e ashpër, e pëson Elbasani dhe Flamurtari
720 mijë lekë është shuma e gjobave që vendosi Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pas vendimeve të marra për dukuritë dhe incidentet e ndodhura në fundjavën e kaluar në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Kategorisë Superiore.
KF “Elbasani” për hedhje të sendeve të forta në fushë, me dëmtim të gjyqtarit e ofendim të drejtuesve të klubit kundërshtar, u dënua me 300.000 lekë gjobë. Lojtari i KF “Elbasani”, Aldo Bello, për goditje me grusht të kundërshtarit u dënua me pesë ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë gjobë. Drejtuesit e KF “Flamurtari”, trajneri Eqerem Memushi, zëvendëstrajneri Ardi Behari e shefi i klubit Geri Çipi, për hyrje në fushën e lojës pa lejen e gjyqtarit dhe protesta ndaj veprimeve të gjyqtarit (Jareci), u dënuan respektivisht Ardi Behari me një ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit, Eqerem Memushi e Geri Çipi me nga 30.000 lekë gjobë secili. KF “Flamurtari” për hedhje të sendeve të forta në fushë e ofendim të gjyqtarit nga publiku u dënua me 100.000 lekë gjobë.
Lojtari i KF “Besëlidhja”, Gilson Da Silva, për gjest fyes ndaj publikut u dënua me 30.000 lekë gjobë.
Edhe kategoritë inferiore nuk shpëtuan nga ndëshkimet. Lojtari i KF “Pogradeci”, Fabian Molla, për goditje me grusht të kundërshtarit u dënua me pesë ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë gjobë. Trajneri i Sopotit, Luan Deliu, për hyrje në fushën e lojës pa leje të gjyqtarit e ofendim të gjyqtarit u dënua me një ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit dhe 30.000 lekë gjobë. Lojtari i Sopotit, Mario Koçia, për ofendim të gjyqtarit u dënua me një ndeshje pezullim dhe 30.000 lekë gjobë.
6 Mars 2008