Berluskoni dhe Merkel konfirmojnë gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë, në këtë situatë emergjence
Gjermani dhe Italia, mesazhe solidaritetiKryeministri italian Silvio Berluskoni po ndjek me vëmendje emergjencën e përmbytjeve në Shqipëri dhe ka konfirmuar gatishmërinë e qeverisë italiane për të ndihmuar popullsinë e dëmtuara. Kështu thuhet në një komunikatë të kryeministrisë italiane ku përmendet edhe fakti që në Shqipëri është dërguar profesor Roberto Guercio, komisar i jashtëzakonshëm për emergjencat e digave. “Presidenti i Këshillit të Ministrave Brluskoni po ndjek me vëmendje zhvillimet e emergjencës së përmbytjeve në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë rrezikun në zonat në jug të Shkodrës në të cilën banojnë qindra mijëra vetë”, thuhet në komunikatën për shtyp të zyrës së shtypit pranë Këshillit të Ministrave të Italisë.Edhe gjatë telefonatës që zhvilluan ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Ilir Meta dhe Franco Frattini, pala italiane ka bërë të ditur se do të japë çdo ndihmë të nevojshme për kapërcimin sa më të shpejtë të situatës. Përveç ndihmës materiale, ndihma teknike italiane është shume e vyer, sepse Italia ka vuajtur dhe vuan problemin e përmbytjeve, rrjedhojë e konformacionit hidro-gjeologjik të vendit dhe të ndërtimeve në zonat në rrezik. Sipas shoqatave për mbrojtjen e mjedisit ndërtime të tilla ekzistojnë në 80 për qind të komunave italiane.Edhe Gjermania ka reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit për situatën e përmbytjeve në veri të Shqipërisë. Përmes një njoftimi për shtyp të ambasadës së Gjermanisë në vendin tonë, thuhet se “Gjermania merr përsipër në kuadër të BE-së, të japë çdo lloj mbështetje për të ndihmuar zonat e dëmtuara nga përmbytjet e këtij fillim viti, në rrethin e Shkodrës”. “Shqipëria i drejtoi ditët e fundit BE-së një kërkesë për ndihmë ndërkombëtare, për shkak të përmbytjeve të rënda në rrethin e Shkodrës. Në përgjigje të kësaj kërkese, Organizata gjermane për Asistencë Teknike, ka dërguar ekspertët e saj, që do të jenë pjesë e ekipit të ekspertëve të BE-së, që vepron përmes strukturës së Qendrës Monitoruese dhe Informuese për Mbrojtjen Civile. Ndërkohë autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat koordinojnë asistencën dhe mbështetjen për Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Sipas këshilltares për kulturën dhe marrëdhëniet me mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë, Irene Eidemüller, mbështetja gjermane ka edhe një përmasë tjetër, ajo synon shmangien në të ardhmen të përsëritjes së përmbytjeve të tilla në zonat përreth hidrocentraleve, të ngritura mbi kaskadën e lumit Drin. “Një projekt i madh ndërkombëtar, i financuar me 20 milion euro nga qeveria gjermane dhe organizata të tjera ndërkombëtare financiare, ka nisur rrugën e realizimit. Projekti quhet ‘Mbrojtja e digave të hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe Mat’”, saktëson këshilltares për kulturën dhe marrëdhëniet me mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë, Irene Eidemüller....