E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Do të ishte padrejtësi nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat”

30/03/2012  Meta intervistë për “Zërin e Amerikës”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se mosmarrja e statusit është një padrejtësi që po u bëhet qytetarëve shqiptarë. Meta ka folur dhe në lidhje me rikthimin e tij në qeveri dhe procesin gjyqësor me ish-deputetin Prifti.

- Në procesin që u hap ndaj jush gjykata ju nxori të pafajshëm, por për politikanin ka dhe një kriter tjetër të rëndësishëm, që është perceptimi që ekziston për të. Mendoni se është e saktë të thuhet se si politikan ju keni humbur në këtë rast?

- Unë këtë pyetje nuk arrij ta kuptojë për arsye se nuk besoj se ka pasur ndonjë që nuk e ka ditur se e gjithë kjo ka qenë vetëm një lojë politike, e paprovuar mbi legjislacionin shqiptar, legjislacionin europian dhe atë ndërkombëtar. Megjithatë, ishte qenë një lojë që unë e pranova pasi kam një përgjegjësi publike. Kjo do të thotë që, edhe pse isha i bindur për gjithçka të paligjshme e politike, dhashë dorëheqjen pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie që mund të ekzistojë në përgjithësi për politikanët për t’u paraqitur përpara ligjit pa funksione qeveritare, si çdo qytetar shqiptar. Ndërsa për sa i takon aspektit moral, ky aspekt ka përfunduar përpara gjyqit, sepse më 8 maj, në zgjedhjet e përgjithshme vendore, të cilat ishin më se politike për shkak të politizimit të qasjeve që iu bë, natyrisht jo nga ana ime apo e LSI-së, LSI pati një rritje prej 50% të votave, dhe rritja më e madhe u shënua në Tiranë, ku beteja ishte edhe më politike.

- A keni ndër mend të ktheheni përsëri në qeveri?

- Kjo nuk aspak një çështje e rëndësishme apo një prioritet për mua. Për mua rëndësi ka përshpejtimi i integrimit europian të Shqipërisë. Kjo është edhe një nga temat kryesore që kam diskutuar edhe këtu në Uashington në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në shumë institucione të tjera, edhe në Kongres, edhe në Senat, me drejtuesit më të rëndësishëm që merrem me marrëdhëniet e Kongresit dhe Senatit me Europën. Ajo që është e rëndësishme është se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përkrahjes së jashtëzakonshme që i dhanë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO tani gjithë prioritetin e tyre kryesor në raport me Shqipërinë, por dhe me rajonin, e kanë në drejtim të përshpejtimit të axhendës integruese.

- Për sa i përket reformës zgjedhore ju keni bërë dy propozime konkrete. A keni marrë mirëkuptimin e Partisë Demokratike, me të cilën jeni aleatë në qeveri?

- Për Lëvizjen Socialiste për Integrim çështja e reformës zgjedhore nuk është as çështje e dy partive, qofshin këto të mëdha, siç quhen. Unë mendoj se kjo është çështje e qytetarëve shqiptarë, sepse bëhet fjalë për respektimin e së drejtës së votës së tyre. Në këtë drejtim qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar për të respektuar këtë parim kushtetues, që ka të bëjë me barazinë e votës dhe që është shprehur në mënyrë shumë të qartë, e cila praktikisht është cenuar dhe cenohet nga i ashtuquajturi “model spanjoll” i sistemit tonë proporcional rajonal. Ne kemi bërë disa propozime dhe partitë e tjera kanë bërë propozime të ndryshme. Shpresoj që ky proces të ecë përpara pa paragjykime.

- A mendoni se Shqipëria në fund të vitit do të marrë statusin e vendit kandidat?

- Për mendimin tim, do të ishte një padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat.

- Padrejtësi ndaj kujt?

- Padrejtësi ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj raportit Shqipëri-Bashkimi Europian, ndaj asaj që Shqipëria ka bërë dhe bën për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit përmes një politike shumë të vlerësuar.

- Nuk besoj se po ia hidhni fajin Bashkimit Europian?

- Nuk është ky qëllimi im, pra t’ia lë fajin dikujt, aq më tepër në drejtim të paditur. Por Shqipëria për sa i takon kriterit ekonomik i ka përmbushur thuajse të gjitha detyrimet dhe është një vend që është vlerësuar e vlerësohet sa u takon të gjitha këtyre reformave. Shqipëria dhe për sa i takon përafrimit të legjislacionit ka bërë një punë të jashtëzakonshme, dhe kjo është vlerësuar. Për sa u takon disa çështjeve të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik, kuptohet se nuk ka qenë vullneti këtu për të miratuar disa gjëra që u miratuan ditët e fundit, por që mund të ishin miratuar edhe para dy vjetësh, apo dhe gjëra të tjera që pritet të miratohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›