E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni "mbahet fort" ndërsa zgjerohet skandali i vajzave me pagesë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, tha dje se do të mbahet fort ndaj skandalit gjithnjë në rritje mbi rekrutimet kundrejt pagesës së vajzave që merrnin pjesë nëpër festat e tij private. Tashmë në skenë ka dalë një bukuroshe e tretë, e cila konfirmon detaje nga një festë e zhvilluar nëntorin e shkuar gjatë së cilës, sipas mediave italiane, Berluskoni ka kryer marrëdhënie seksuale me një prej vajzave shoqëruese.

Berluskoni këmbënguli dje se nuk kishte ndër mend të lejonte që skenat e stisura kundër tij ta shpërqendronin nga përmbushja e detyrave si Kryeministër i vendit. Por po dje, një tjetër vajzë nga qyteti i Barit, Luçia Rosini, konfirmoi detaje pikante nga një darkë e zhvilluar në rezidencën e Berluskonit më 4 nëntor të vitit të shkuar.

Ndërkaq, e përditshmja italiane "Corriere Della Sera" bënte me dije se vajzat shoqëruese nuk u nënshtroheshin asnjë lloj kontrolli përpara se të hynin në pallatin "Gracioli", rezidenca e Berluskonit në kryeqytetin italian. Një fakt të tillë e pranuan vetë vajzat që kishin marrë pjesë në festën e 4 nëntorit përpara magjistratëve barezë, të cilët flasin tani për "akses të pakontrolluar" të këtyre shoqërueseve në ambientet e rezidencës së Berluskonit. Nga prokuroria italiane, një rrethanë e tillë konsiderohet "tepër shqetësuese" dhe tani po hetohet për të mësuar nëse të ftuarit e tjerë - përveç Patricia Adarios (një prej vajzave që ka pranuar se ka marrë pjesë kundrejt pagesës në festat e Kryeministrit dhe shoqeve të saja - kanë bërë fotografi apo xhirime në brendësi të pallatit "Gracioli". Në fakt, shqyrtimi i fakteve të reja, sipas prokurorisë italiane, ka të bëjë me zbulimin e "episodeve të reja të prostituimit".

Bëhet gjithashtu me dije se sipërmarrësi Xhanpaolo Tarantini, njeriu që kontaktonte vajzat dhe bënte me to marrëveshjet për oraret dhe pagesat, nuk qe i vetmi në këtë rol. Prokurorët mendojnë se një rol kyç në rekrutimin e vajzave të shoqërimit ka luajtur edhe Terri De Nikolo, 40-vjeçare, me origjinë nga Bari dhe me banim në Milano. Edhe kjo tani është nën hetim nën të njëjtat akuza si ato të sipërmarrësit Tarantini. Detyra për zbardhjen e rrjetit të 40-vjeçares, kontakteve, parave të derdhura për t‘i shpënë vajzat e reja në Romë dhe në vilën "Çertoza", u është besuar hetuesve lombardezë.

Emrat e bukurosheve që kanë marrë pjesë në festat e Kryeministrit po shumëfishohen, ashtu si edhe rrethanat për t‘u zbardhur nga autoritetet hetimore. Barbara Montereale, e cila për herë të parë kishte qenë në pallatin "Gracioli" më 4 nëntor, ka treguar se në mesin e janarit ka shkuar në Sardenjë, në vilën "Çertoza", bashkë me katër vajza të tjera dhe e vazhdon dëshminë duke pohuar se aty ka gjetur edhe shumë bukuroshe të tjera. "Berluskoni më dhuroi 10 mijë euro", u tregoi vajzave prokurorëve. E më pas është festa e Vitit të Ri në të cilën mori pjesë Noemi Leticia (një prej protagonisteve më të hershme të skandalit) me shoqen e saj, Roberta, bashkë me të paktën 20 vajza të tjera.

Flitet për vajza të rekrutuara kundrejt pagesës në shumë qytete të Italisë, Milano, Padova, Bolonja, Leçe, Barleta. Njëra prej vajzave, pasi ka pranuar përpara hetuesve se është paguar për të marrë pjesë në rezidencën e Berluskonit në Romë, u ka kërkuar magjistratëve leje për t‘u larguar jashtë kufijve të Italisë "për pak kohë, pasi kam frikë për sigurinë time".

Sipërmarrësi Tarantini nuk pranon në asnjë mënyrë se paratë që u janë paguar bukurosheve qenë çmimi për pjesëmarrjen e tyre në festa. Betohet se bëhet fjalë vetëm për mbulimin e shpenzimeve, por në prokurorinë italiane thonë se duke iu referuar përgjimeve telefonike është krejt e kundërta - fakt i konfirmuar edhe nga dëshmitë e vetë vajzave.

Disa prej të rejave kanë pranuar se janë paguar me para në dorë. Sipas dëshmisë së Patricia D‘Adarios mësohet se për herën e parë që ka qenë në pallatin "Gracioli" - më 15 tetor të vitit 2008 - kishte rënë dakord të paguhej 2 mijë euro. Vajza u ka treguar hetuesve se "më dhanë vetëm 1 mijë euro, pasi nuk ndenja deri në fund të festës".

Në dokumentacionin e procesit hetimor, sipërmarrësi Tarantini rezulton si personazh i joshur së tepërmi nga pushteti e mbi të gjitha tepër i interesuar për mbështetjen e kompanive të tij përmes favorizimeve që i sillnin kontaktet me politikanët e lartë, por edhe me ata lokalë. Një seri telefonatash përfshijnë në skandal edhe Alesandro Frizulon, eksponent i Partisë Demokratike italiane dhe me post kyç në nivel rajonal. Të dy kanë folur gjatë telefonatave mbi festat ku kishin ndër mend të ftonin edhe vajzat. Në një rast, sipërmarrësi e kishte ftuar në një shtëpi ku do të zhvilloheshin disa festa.

Hetimet e zhvilluara e të kryera gjatë ditës së djeshme u shtrinë edhe më tej drejt shumave të parave që Tarantini, i vënë nën përgjim për shkelje në fushën e shëndetit publik, ka derdhur në formën e ryshfeteve për të marrë në këmbim favorizime për kompanitë e tij. Dyshohet se e ka maskuar rolin e tij, duke financuar disa evente politike. Po hetohet nëse ka qenë ai njeriu që ka paguar një darkë elektorale në fundin e marsit të vitit 2008 në Bari. Gjatë asaj mbrëmjeje u bë prezantimi zyrtar i kandidatëve për në Parlamentin italian, por merrnin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm titullarësh nga kompani që operojnë në sektorin farmaceutik, industri ku sipërmarrësi është tepër aktiv.

Në atë darkë merrte pjesë Alesandro Frizulo, por për pak minuta të pranishmëve iu bashkua edhe Masimo D‘Alema - i cili nuk ka njohje personale me Tarantinin. Dje, Patricia D‘Adaroi u dorëzoi autoriteteve hetimore italiane edhe disa kaseta të tjera me regjistrime të kryera ndërsa merrte pjesë nëpër festa, por për prokurorët edhe vetëm dëshmia e saj do të mjaftonte për të zbardhur gjithçka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›