E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo vetëm "Facebook", vendi i parë i takon "QQ"

Jo vetëm "Facebook". Faqja e internetit e krijuar nga Mark Zuckerberg e ka përfunduar pothuajse veprën e kolonizimit të Perëndimit, por nuk është rrjeti social më i klikuar në botë. Një surprizë e vërtetë kjo pasi vendi i parë, ose palma e artë i takon "QQ", faqes së internetit kushtuar miqve në Kinë që u takon 300 milionë përdorues aktivë, ku një pjesë e mirë tërhiqet nga shitja e të mirave virtuale për qëllime personale (një lloj mikrotregtie e nisur fillimisht nga "Facebook").

Harta

Kjo është një nga të dhënat më interesante që del nga harta e rrjeteve sociale në botë, një projekt i realizuar nga një bloger italian, ku çdo komb ngjyroset në bazë të rrjetit social më të përdorur. Diçka e tillë ishte bërë nga Valleywag në vitin 2007, por harta e re ka shkuar përtej, duke u shtuar të dhënave të sakta numerike një analizë globale dhe lokale, fryt edhe i eksperiencës së punës së autorit italian. Që aty del se ngjyra jeshile që përfaqëson "Facebook"-un mban rekordin në numrin më të madh të shteteve, por nuk arrin të jetë lidershipi i padiskutueshëm në asnjë kontinent. Në Evropë, për shembull, "Facebook", duhet t‘i bëjë "llogaritë" me rrjetet ruse të tilla si "VKontakte" dhe "Odnoklassniki". Pa marrë në konsideratë enklava të tjera të vogla si "HI5", që kryeson në Portugali dhe Rumani, "Nasza-klasa" në Poloni dhe "Hyves" në vendet e ulëta. Më e dukshme është epërsia e "Facebook"-ut të Zuckerberg në të dyja Amerikat, por në atë Latine bën përjashtim Brazili me "Orkut" (që përdoret shumë edhe në Indi) dhe sërish "Hi5" në Peru, Ekuador, Kolumbi dhe Amerikën Qendrore. Po Afrika? "Në kontinentin e zi mbretëron pasiguria. "Në Afrikë, është e vështirë të arrish të marrësh të dhëna të sakta drejtpërdrejt nga operatorët. Ndërkaq, aty është shumë i përhapur navigimi përmes telefonit dhe shpesh një telefon i vetëm përdoret nga i gjithë fisi", shpjegojnë specialistët. Ndërkaq, vendin e parë në vendet arabe e mban "Maktoob". Ndërkaq, studimi ka hartuar edhe një tabelë me rrjetet sociale më të frekuentuara në disa vende me interesa të veçanta. Kështu për shembull në Itali dhe Francë, pas pushtetit të "Facebook" qëndron "Netlog" dhe "Badoo".

Metoda

Një pjesë e të dhënave të mbledhura është bërë përmes "Alexa"-s, që merret me statistikat për sa i përket trafikut në internet dhe

"Google Trends for Websites", për sa u përket vizitorëve të sajteve sipas kombeve. Aty vihet re se çdo komb ngjyroset sipas rrjetit social më të përdorur. Atyre që ankohen për besueshmërinë e statistikave të përdorura, autorët u përgjigjen: "Nuk na interesonte të kishim të dhëna të sakta 100 për qind, por fakti mbi përdorimin e rrjeteve sociale në çdo vend të vetëm. Për më tepër edhe të dhënat e sajtit edhe shifrat e comScore, Institutit të Analizave konfirmojnë plotësisht të dhënat e hartës".

Suksesi

"Qëllimi është që të arrish të marrësh sa më shumë feedback të jetë e mundur, sidomos nga shtetet më të vogla, ku të dhënat e mbledhura nuk mund të jenë shumë të sakta", vazhdon më tej autori i hartimit të kësaj harte, që është një italian. Harta është shpërndarë në qindra sajte ndërkombëtare. Në fakt, rrjetet sociale nuk përdoren vetëm për ata që dëshirojnë të çatojnë, të krijojnë miqësi të reja apo të gjejnë dashurinë e vërtetë. Kohët e fundit, ato po përdoren edhe prej mjekëve, me qëllim që të kenë informacion mbi efektin e ilaçeve dhe për të nxjerrë online terapi të reja (si "PatientsLikeMe.com"). Ka rrjete sociale që tregojnë rrugët pa barriera arkitektonike (http://twitter.com/accesscity) si dhe ato që japin mendime mbi të ardhmen ekonomike të botës (www.we20.org). Sot, rrjetet sociale të lejojnë që të japësh në kohë rekord lajme të vërteta dhe shumë të rëndësishme. Të lindura 14 vjet më parë, gjatë kohëve të fundit, rrjetet sociale kanë pasur një rritje të rrezikshme. Sot, numri i të regjistruarve në rrjetet sociale është shumë i lartë dhe personat që e përdorin internetin i kushtojnë të paktën 30 minuta kohë në ditë. Pra, rrjetet sociale kanë bërë për vete çdo qenie njerëzore. Vitin e kaluar, disa kompani celulare, për t‘i shitur më shumë telefonat e tyre, u kanë instaluar "Facebook", "MySpace" dhe "Twitter". Për disa sociologë, rrjetet sociale kanë një meritë të madhe, sepse largojnë vetminë. Kjo vlen në veçanti për njerëzit që janë të mbyllur dhe kanë vështirësi të krijojnë shoqëri me të tjerët. Rrjetet sociale lehtësojnë miqësitë, por është e vërtetë gjithashtu se në internet konfliktet përhapen më shpejt dhe janë më të dhunshme se ballë për ballë: mund të arrihet tek ofendimet më të rënda ose te publikimi i fotove të sikletshme të ish të dashurit/të dashurës. Në fakt, pas ekranit të kompjuterit, ndihemi më të mbrojtur, por edhe pse është një publik shumë i madh, thuhen gjëra që nuk do të thuheshin kurrë përballë. Por emocionet mbeten të forta: për shembull të zbulosh se shoku i zemrës nuk të ka vënë në listën e "miqve të ngushtë", është e sigurt se menjëherë do të zhgënjehesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›