Berluskoni në Tiranë për t’i dhënë fund krizës energjetike
Kryeministri italian premton mbështetje për integrimin në BE. Berisha: “Të gatshëm për ndërtimin e centralit bërthamor”
Eljona Ballhysa
Qeveria shqiptare dhe ajo italiane firmosën dje në Tiranë gjashtë marrëveshje bashkëpunimi, katër prej të cilave synojnë zhvillimin e sektorit energjetik. Marrëveshjet në fjalë u nënshkruan në prani të dy kryeministrave, atij italian Silvio Berluskoni dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Megjithëse krerët e të dy shteteve u shprehën entuziastë për këtë nivel të ri bashkëpunimi, shtypi i huaj i ka komentuar investimet prej 2.5 miliardë eurosh të qeverisë italiane si investime që janë kundërshtuar nga komuniteti italian, ndërkohë që qeveria shqiptare i ka pranuar për dy arsye: për të dalë nga kriza e tejzgjatur energjetike si dhe për të marrë mbështetjen e Italisë për integrimin në BE. Investimet italiane në sektorin e energjetikës nuk janë pritur mirë edhe nga grupe të ndryshme interesi në Shqipëri të cilët kanë protestuar dje për mbrojtjen e mjedisit. Kryeministri shqiptar, edhe gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e djeshme për shtyp, ka përsëritur se është i hapur për zhvillimin e energjisë bërthamore në Shqipëri dhe se sheh te qeveria italiane një partner për arritjen e këtij qëllimi. Ndërsa Berluskoni ka theksuar se Italia do të vazhdojë të mbetet avokat i Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE si dhe u shpreh pozitivisht për zbatimin e marrëveshjes së lehtësimit të vizave midis dy vendeve. Por ajo që ka mbetur pa u diskutuar midis dy kryeministrave është nëse Shqipëria do të mbështesë ose jo kandidaturën e Italisë për në OKB. Kryeministri Berisha u shpreh dje se kjo çështje nuk është diskutuar mes palëve dhe se do të diskutohet në të ardhmen.
Mbështetja
Kryeministri italian gjatë fjalës së tij u shpreh se Italia do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në të ardhmen. “Kjo ngushtësi marrëdhëniesh midis dy vendeve dëshmohet edhe nga prania në Itali e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh që jetojnë aty. Janë rreth 85 mijë nxënës shqiptarë të regjistruar në shkollat italiane dhe, krahas tyre, janë edhe rreth 18 mijë studentë shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane”, - është shprehur Berluskoni. Berluskoni gjithashtu vlerësoi mbështetjen e investimeve italiane në Shqipëri, ndërsa theksoi mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Firmat italiane do të kenë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe do të gjejnë një garanci për thjeshtëzimin e procedurave burokratike. Tashmë kemi një arritje shumë të rëndësishme të Shqipërisë, besoj edhe falë mbështetjes italiane, që është ajo e hyrjes së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, - është shprehur kreu i qeverisë italiane. Berluskoni gjithashtu u shpreh se Italia do të jetë avokati i Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. “Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Europian”, - theksoi Berluskoni. Në përfundim të fjalës së tij, duke uruar fitoren e Berishës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Berluskoni e ftoi kryeministrin shqiptar të mbajë një leksion mbi demokracinë në Universitetin e Demokracive dhe Lirive që do të hapet vitin e ardhshëm. “Do të përfundoj fjalën time, duke i bërë një ftesë publike kryeministrit Berisha që, pasi të ketë fituar zgjedhjet e ardhshme këtu në Shqipëri, të marrë pjesë në leksionet javore pranë Universitetit të Demokracive dhe Lirisë që do të hapet në marsin e vitit të ardhshëm, në Itali”, - u shpreh Berluskoni.
Kërkesat
Kryeministri Berisha bëri publike kërkesat që i kishte parashtruar kryeministrit italian për financime nga qeveria italiane, duke filluar nga energjetika, bujqësia, arsimi etj. “Me kryeministrin Berluskoni diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat, së pari, në atë energjetike. Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjetike në Ballkan. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe te Italia unë shikoj partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor”, - u shpreh Berisha. Ai i ftoi investitorët italianë të investojnë në fushën e turizmit si dhe në ndërtimin e parqeve industriale. Berisha gjithashtu kërkoi mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri dhe veçanërisht zhvillimin e sektorit të agrikulturës duke bërë të ditur projektin e qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj në një periudhë 4-5 vjeçare. “Unë kërkova gjithashtu ndihmën e qeverisë italiane për mbështetjen e nismës së qeverisë shqiptare për arritjen në moshën e internetit. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë fuqishëm edhe në sektorin e arsimit, kulturës dhe të shëndetësisë. Lufta e përbashkët kundër kriminalitetit mbetet një detyrë e qeverive tona. Ramë dakord për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi në këtë fushë”, - është shprehur Berisha.
Berisha, kryeministër me përkthyes në gjuhën shqipe
Kryeministri Berisha ka preferuar të zhvillojë dje një konferencë për shtyp në gjuhën italiane. Megjithëse është kryeministri i Shqipërisë dhe konferenca për shtyp u zhvillua në kryeqytetin shqiptar, Berisha i është drejtuar publikut shqiptar në gjuhën italiane. Pikërisht për këtë mori dhe vlerësimin e kryeministrit italian Silvio Berluskoni. “Më informojnë se rreth 80 për qind e popullsisë shqiptare flet dhe kupton italishten dhe unë përfitoj nga rasti për të falënderuar kryeministrin Berisha, i cili zgjodhi të përdorë gjuhën e vendit tim, italishten, si gjatë takimit, ashtu edhe në këtë konferencë për shtyp, faleminderit”, - është shprehur Berluskoni. Por një praktikë e tillë mësohet se është shkelje e protokollit pasi kryeministri i drejtohet publikut të vendit të tij dhe jo publikut të homologëve të tij. Me këtë veprim, Berisha tregoi se është një kryeministër që ka nevojë për përkthyese në gjuhën shqipe. Madje, edhe këtë e ka vënë në dukje kryeministri Berluskoni, i cili u shpreh se do të fliste gjatë meqenëse përkthyesja ishte shumë e zonja. Përveç këtij momenti, konferenca u karakterizua edhe nga batuta të tjera humori të krijuara nga kryeministri italian.
Berluskoni drekon në një tryezë me Berishën e Ramën, shkëmbejnë batuta humori
Për nder të kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas takimit me të, shtroi një drekë në Pallatin e Brigadave. Të pranishëm në tryezë ishin kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. Burime nga kjo drekë bënë të ditur se palët kanë shkëmbyer gjatë gjithë kohës batuta humori. Në qendër të vëmendjes ka qenë pikërisht kryeministri Berluskoni që shquhet për humorin e tij, të cilin e ka shfaqur hapur edhe gjatë drekës me krerët e shtetit shqiptar. Burimet kanë bërë të ditur se dreka është zhvilluar në një atmosferë miqësore, pavarësisht se në tryezë ndodheshin dhe kundërshtarë politikë.
Berisha lidh kontratën miliardere që ia anuloi Nanos dy vite më parë
Marrëveshja e lidhur dje mes qeverisë shqiptare dhe grupit “Falcioni” (prej 1 miliard eurosh) është një projekt i trashëguar nga qeveria “Nano”, të cilin Berisha e anuloi dy vite më parë. Madje, ky lajm u komentua asokohe gjerësisht nga mediat italiane pasi projekti i rigazifikimit ishte parashikuar të ndërtohej në zonën e të famshmit “Park Industrial të Vlorës” që u anulua nga qeveria “Berisha”, duke lejuar vetëm ndërtimin e Petroliferës. Mediat italiane e komentuan para dy vitesh gjatë këtë vendim të qeverisë “Berisha”, ndërsa theksonin se: “Kryeministri shqiptar i ka dhënë fund pjesës shqiptare të projektit “Ambo”, duke eliminuar përfundimisht opsionin e parkut energjetik në Vlorë. Zyrtarisht, qeveria shqiptare u shpreh se ky park dëmtonte interesat turistike të zonës. Në kuadër të këtij vendimi , u anulua edhe projekti i kompanisë italiane “Falcioni” për impiantin e rigazifikimit”, - komentonin gazetat italiane dy vite më parë.
3 Dhjetor 2008