Veliaj: “Qeveria shkeli premtimin për furnizim pa ndërprerje me energji elektrike”
G99-a reagoi dje për mungesën e energjisë elektrike dhe problemet që lidhen me arkëtimin e faturave të dritave si dhe me remontet në rrjet. Erion Veliaj, pasi inspektoi një prej pikave të pagesës së energjisë elektrike dhe pasi foli me disa qytetarë që kishin ardhur për të paguar faturat, evidentoi disa nga problemet e lidhura me punën e KESH-it dhe të OSSH-së. Veliaj e akuzoi qeverinë “Berisha” se shkeli premtimin e saj për të siguruar energji elektrike pa ndërprerje që në vitin 2006. “Kjo qeveri ka premtuar që brenda vitit 2006 nuk do të kishte më mungesa energjie dhe sot bëhet i treti vit që kjo qeveri gënjen. Është e turpshme se si ndërprerjet e energjisë elektrike justifikohen pas gënjeshtrave të remonteve të pafundme. Nuk mund të ketë remonte 12 orë, nuk mund të ketë remonte çdo ditë në një orar, siç ka ndërprerje në disa rrethe të Shqipërisë. Këtu mund të shohim shumë qytetarë të ndershëm që e paguajnë energjinë dhe që përsëri ajo ose iu mungon ose iu faturohet aforfe. Rritja e çmimit të energjisë në një kohë kur vendosja e matësve nuk është përfunduar dhe nuk janë përmirësuar arkëtimet, nuk është e drejtë. Sot është një ditë kur firmosen marrëveshje energjetike të mëdha dhe e dimë se shumë prej tyre nuk sjellin asgjë për qytetarët shqiptarë. Në këtë ditë i bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit shqiptar që më parë të kujdeset dhe t’u sjellë energji qytetarëve të vet”, - tha Veliaj. Kreu i G99-s shtoi se ambiciet e qeverisë për ta futur vendin në NATO, në BE dhe për të sjellë një kompjuter të lidhur me internetin në çdo shtëpi janë absurde përballë mungesës së gjërave më të thjeshta dhe elementare si energjia. “Kohët e fundit, në vazhdën e spoteve propagandistike, është prodhuar dhe një spot i OSSH-së, por ironia qëndron në faktin se qytetarët që s’kanë drita nuk e shohin dot këtë spot”, - përfundoi Veliaj.
3 Dhjetor 2008