Ekspertët shqiptarë, dyshues për marrëveshjet energjetike
Ekspertët shqiptarë Sazan Guri dhe Gjergj Simaku kanë shprehur dyshime për marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për zhvillimin e energjisë. Ata kanë kërkuar zbardhjen e këtyre marrëveshjeve në mënyrë që publiku të dijë se çfarë përfiton Shqipëria nga këto investime. “Projektet kanë defekte në transparencë. Nuk janë politikanët ata që vendosin për fatet e një vendi, por është shoqëria ajo që zgjedh”, - është shprehur eksperti i mjedisit, Sazan Guri. Specialistët janë skeptikë edhe për detajet teknike të këtyre projekteve. Guri është shprehur se kjo marrëveshje ka një kosto të madhe në mjedis, por edhe në turizëm. “250 turbina me erë vendosen në distancë që shkelin rregullin minimal të ndërtimit. Të huajt nuk dëmtojnë peizazhet e bukura të vendeve të tyre dhe respektojnë standardet. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se kaq”, - sqaron Guri. Specialisti i energjetikës, Gjergji Simaku, është shprehur se kjo marrëveshje nuk dihet sesa do të ndikojë në zgjidhjen e krizës energjetike në vend. Madje, ai e shikon të pamundur ndërtimin e centraleve me erë dhe aludon se me këto projekte mbulohen të tjera qëllime.
3 Dhjetor 2008