Grusht hekuri
Silvio Berluskoni goditet në fytyrë nga një manifestues
Pas fjalimit në Milano, një burrë e qëlloi në fytyrë ndërsa kryeministri italian u shtrëngonte duart simpatizantëve. Ndalohet agresori, kurohej nga psikiatri
Silvio Berluskoni është goditur dje në mbrëmje nga një manifestues, menjëherë pas fjalimit të tij në sheshin Duomo në Milano. Kryeministri italian u qëllua në fytyrë ndërsa kishte ndaluar pranë makinës së tij për të përshëndetur simpatizantët e mbledhur në podium. Por mes tyre kishte arritur të futej edhe agresori, një burrë rreth të 40-ave, i cili me tju afruar Berluskonit, arriti të shpërqëndrojë truprojet e kreut të qeverisë dhe policët për ta qëlluar më pas në fytyrë me një objekt që fillimisht mendohej se ishte një grusht hekuri, por më pas mediat italiane sqaruan se bëhej fjalë për një statujë të vogël e cila u thërmua e bë copash pasi goditi fytyrën e Berluskonit. Si pasojë ai u gjakos nga goditja e marrë. Menjëherë ndërhynë truprojet e tij të cilët siguruan kryeministrin duke e futur me shpejtësi në makinë, ndërsa një grup policësh ndaluan agresorin e tij. Fillimisht policët u alarmuan pasi njerëzit aty pranë folën edhe për hedhjen e një objekti, gjë që shkaktoi frikën e ndonjë sulmi me bombë kundër kryeministrit, por nuk më pas u tha se nuk ishte asgjë e tillë. Ministri italian i mbrojtjes Ignazio La Russa, i cili ndodhej pranë Berluskonit, në momentin që ndodhi ngjarja, tha se agresori kishte vënë një grusht hekuri, gjë që u konfirmua edhe nga disa dëshmitarë për “SkyTg24”. Ata madje thanë se autori i goditjes “nuk dukej dhe aq normal”. La Russa shpjegoi para gazetarëve se policia ndëhyri menjëherë dhe falë tyre, Berluskoni shpëtoi paq. “Po të mos ishin ata, do të kishin mbetur vetëm copat”-tha ministri. Menjëherë pas goditjes, Berluskoni, i filmuar dhe fotografuar nga kamerat televizive dhe fotografët, u gjakos në buzë. Kryeministri Italian u dërgua menjëherë në spitalin “San Raffaele” për tu vizituar nga një mjek i besuar, por përpara se të nisej, iu shfaq edhe një sekondë para simpatizantëve të tij, si për tu thënë se ishte mirë.
Ndalohet agresori
Pak minuta pas lajmit për goditjen ndaj kryeministrit italian, mediat e vendit njoftuan se agresori i tij quhet Massimo Tartaglia, është 42 vjeç dhe i padënuar më parë. I vetmi precedent që i rezultonte policisë ishte heqja e patentës nga policia rrugore. Menjëherë pas ngjarjes agresori u kap nga policët, të cilët e shpëtuan disa nga zemërimi i simpatizantëve që e mbërthyen menjëherë pas goditjes. Tartaglia po merret në pyetje nga policia, e cila ashtu si dhe kryeministri kërkon të mësojë arsyen e këtij veprimi. Sipas mediave italiane, Tartaglia prej gati 10 vjetësh kurohej për shqetësime psikologjike. Dëshmitarët e agresionit thanë se ishin të shokuar nga ngjarja e ndodhur. Kryeministri në fakt po përshëndeste disa prej simpatizantëve të tij, dukeiu shtrënguar duart kur u sulmua.
Reagimet
Di Pietro: Berluskoni nxit vetë dhunën
Menjëherë pas ngjarjes, pasuan reagimet e krerëve të insitutcioneve dhe partive politike italiane. Në një deklaratë për mediat, presidenti i vendit, Xhorxho Napolitano. “Shpreh dënimin më të vendosur ndaj xhestit të rëndë dhe të papranueshëm të sulmit kundër presidentit të Këshillit të Ministrave, të cilit i shpreh gjithashtu solidaritetin tim personal”-tha kreu i shtetit. “është një ditë me të vërtet e shëmtuar për Italinë, sepse bëhet fjalë për një xhest tepër të rëndë përballë të cilit të gjitha forcat politike kanë për detyrë që të manifestojnë një dënim të bindshëm duke shprehur solidaritet me kryeministrin”-tha nga ana tjetër, presidenti i Dhomës së Parlamentit Italian, Xhanfranko Fini. Por veç deklaratave të shumta kundër sulmit, pati edhe reagime që nxitën edhe më shumë polemikat si ajo e Antonio Di Pietro. “Unë nuk dua që të ketë dhunë, por Berluskoni me sjelljet dhe menefregizmin e tij nxit dhunë”-tha lideri i partisë “Italia e Vlerave”. Di Pietro shtoi se ndan me qytetarët zemërimin që ata kanë kundër kryeministrit të cilin e shohin çdo ditë ndërsa mban të bllokuar Parlamentin, për të bërë ligje që i shërbejnë atij dhe vetëm atij, ndërsa miliona qytetarë humbin punën dhe mezor ia dalin deri në fund të muajit.