E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultatet, rastet kur cuditerisht PS-ja nuk ka marrë asnjë votë në zgjedhje

Verifikohen të gjitha rastet në KQZ për qendrat e votimit në qarqe. Shkodra, Kukësi, Dibra, por edhe Tirana, shënojnë rezultate me 0 vota për PS-në

Albert Gjoka

Teksa vëzhgon listat e shpallura nga KQZ-ja në sistemin e saj, sheh rezultate që duken të pabesueshme në pamje të parë: Një subjekt mund të ketë marrë mbi 300 vota, ndërsa subjekti tjetër asnjë votë. Një fenomen i tillë vihet re në shumë prej qarqeve të vendit. Rezultate me 0 vota ose shumë afër konstatohen edhe në Tiranë, jo vetëm në qarqet e Veriut të vendit apo në zonën e Jugut. Sipas monitorimit të rezultateve të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas zonave të administrimit zgjedhor (ZAZ), duke i marrë të gjitha qendrat e votimeve, numrin më të madh të rezultateve të tilla e kanë qarku i Shkodrës, i Kukësit, i Fierit, por edhe Tirana ka tri raste të tilla. Gazeta ka nxjerrë rastet për dy subjektet kryesore zgjedhore: Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, të cilat kanë marrë edhe përqindjen më të lartë të votave në zgjedhjet e 28 qershorit.
Shifrat
Ashtu siç është kontestuar edhe nga kandidatët e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, rezultatet e shpallura nga KQZ-ja flasin për shifra të pabesueshme. Në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 40, dhe konkretisht në Qendrën e Votimit Nr. 0257, partia më e madhe e maxhorancës ka marrë 143 vota, kundrejt 1 vote që kanë marrë socialistët. Statistikat e publikuara nga KQZ-ja flasin edhe për rezultate të tilla si 93 me 0 apo 116 me 2. Ndërsa në ZAZ-në Nr. 44 konstatohen rezultate të tilla si: 153 PD-ja kundrejt 0 votave të PS-së; 111 me 0 dhe kështu me radhë. Qarku i Shkodrës përfshin 5 zona të administrimit zgjedhor dhe vetëm në Zonën Nr. 41 dhe atë 43 shihen të dhëna që nuk kanë diferenca apo nivele kaq të ulëta të votave.
Thuajse në të njëjtën situatë është e qarku i Kukësit, i cili përfshin rrethet e Kukësit, të Hasit dhe Tropojës. Ndonëse qendrat e votimeve kanë numër të vogël votuesish, nuk mungojnë rastet kur PS-ja ka marrë 1, 2 apo 3 vota, ndërsa PD-ja ka një diferencë të konsiderueshme. Teksa analizohen të dhënat për qarkun e Dibrës sheh se forca kryesore e së djathtës ka marrë 130 vota kundrejt zero vota të PS-së. Shifra të tilla konstatohen edhe në qarkun e Fierit. Për shembull, në Qendrën e Votimit Nr. 2860 Partia Demokratike ka marrë 243 vota, ndërsa socialistët vetëm 2 vota.
Edhe në rastin e Tiranës janë konstatuar tri raste kur forca më e madhe e së djathtës ka fituar votat maksimale. Në Zonën Nr. 1968 ajo ka fituar 267 vota kundër zero votash të socialistëve. PS-ja nuk ka marrë asnjë votë as në qendrat e votimit 291 dhe 1598.
Në qarqet e Korçës, Gjirokastrës dhe Elbasanit ka shumë më pak raste të tilla kur njëri subjekt politik nuk merr asnjë votë.
Gjatë vëzhgimit të të dhënave të KQZ-së për Durrësin sheh se nuk ka asnjë rast kur PS-ja apo PD-ja të mos kenë marrë vota, apo kur dy subjektet kryesore politike kanë raporte të tilla votash.
Dyshimet
Socialistët dhe demokratët e kanë akuzuar njëri-tjetrin për manipulime të rezultateve. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e hapur dhe e ashpër për manipulime të të dhënave, sidomos në qarkun e Fierit. Akuzat më të forta janë bërë nga PS-ja për qarkun e Shkodrës. Kjo duket nga shifrat e çuditshme që dalin në tri prej 5 ZAZ-ve. Rastet kur një subjekt politik nuk ka marrë asnjë votë kanë ngjallur dyshime të forta për manipulime të kutive të votimit. Por, deri tani nuk ka asnjë rast të faktuar, por vetëm akuza dhe ankimime. Kur nuk ka përfunduar ende procesi i numërimit, socialistët kanë paralajmëruar se do të bëjnë ankim në KQZ dhe apelim në Kolegjin Zgjedhor për parregullsitë e konstatuara.
Edhe LZHK-ja, subjekt i koalicionit “Poli i lirisë”, kërkoi para pak ditësh anulimin e procesit të votimit për 4 KZAZ për shkak të manipulimeve, gjë që është hedhur poshtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më poshtë po japim rezultatet që ngjallin dyshime për ndonjë manipulim të mundshëm, të cilat janë nxjerrë nga tabelat e rezultateve të KQZ-së.

Gara e fortë mes PD-së dhe PS-së për mandate

Këto zgjedhje shënuan garën më të fortë mes dy partive kryesore politike, e cila u reflektua edhe me numrin e barabartë të mandateve në disa prej qarqeve kryesore të vendit. Beteja është zhvilluar deri në kutitë e fundit, gjë që u duk me reagimet që mbajtën subjektet kryesore politike për shpalljen e rezultateve në qarqe të tilla si Fieri, Berati apo Shkodra. Konkretisht, në Tiranë, Elbasan dhe Korçë, beteja u nda me rezultat të barabartë, si dhe me një diferencë shumë të vogël votash. Diferencat më të mëdha u shënuan në Shkodër dhe Kukës, ku ishte në avantazh PD-ja, si dhe në Fier apo Berat, ku është në avantazh PS-ja.
Duke iu referuar qoftë të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qoftë edhe të ECA-KRIIK, diferencat në vota qoftë mes dy subjekteve kryesore politike, qoftë mes dy koalicioneve që morën numrin më të madh të mandateve janë shumë të vogla. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, LSI-ja shërbeu si “kingmaker” – (mbretbërës), e cila mori 83 mijë vota, ose e konvertuar në mandate, katër deputetë.

REZULTATET E ÇUDITSHME

Qarku i Shkodrës

ZAZ Nr. 40 PD PS
Qendra e Votimit Nr. 0257 143 1

ZAZ Nr. 42
Qendra e Votimit 0186 93 0
Qendra e Votimit 0187 17 0
Qendra e Votimit 0188 211 9
Qendra e Votimit 0191 116 2

ZAZ Nr. 44
Qendra e votimit Nr. 0038 153 0
Qendra e votimit Nr. 0046 26 1
Qendra e votimit Nr. 0070 64 4
Qendra e votimit Nr. 0075 111 0

QARKU I KUKËSIT
ZAZ Nr. 34
Qendra e votimit Nr. 0592 25 2
Qendra e votimit Nr. 0658 64 5
Qendra e votimit Nr. 0670 65 3

ZAZ Nr. 35
Qendra e votimit Nr. 0537 31 1

ZAZ Nr. 36
Qendra e Votimit Nr. 0457 32 3
Qendra e Votimit Nr. 0458 41 0
Qendra e Votimit Nr. 0459 20 1
Qendra e Votimit Nr. 0463 21 1
Qendra e Votimit Nr. 0492 44 2
Qendra e Votimit Nr. 0517 119 3

QARKU I DIBRËS
ZAZ Nr. 5
Qendra e Votimit Nr. 1231 51 4
Qendra e Votimit Nr. 1241 35 2

ZAZ Nr. 7
Qendra e Votimit Nr. 1048 130 0
Qendra e Votimit Nr. 1088 107 5

QARKU I FIERIT
ZAZ Nr. 21
Qendra e Votimit 2860 243 2

QARKU I VLORËS
ZAZ Nr. 62
Qendra e Votimit Nr. 4578 31 1

ZAZ Nr. 65
Qendra e Votimit Nr. 4725 134 0

QARKU I GJIROKASTRËS
ZAZ Nr. 26
Qendra e Votimit Nr. 3406 26 1

QARKU I KORÇËS
ZAZ Nr. 29
Qendra e Votimit Nr. 4013 38 0

QARKU I ELBASANIT
ZAZ Nr. 17
Qendra e Votimit Nr. 2756 46 4

QARKU I TIRANËS
ZAZ Nr. 53
Qendra e Votimit Nr. 1968 267 0

ZAZ Nr. 54
Qendra e Votimit Nr. 1987 291 0

ZAZ Nr. 56
Qendra e Votimit Nr. 1598 398 0

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›