E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bernd Shuster rrezikon largimin nga stoli i Realit

Eliminimi në Kupën e Mbretit, nga një skuadër e kategorisë së tretë, ka shokuar gjithë ambientin madrilen

Askush nuk besonte, por ja që ndodhi! Për herën e dytë në historinë e tij shekullore, Reali i Madrdit është eliminuar në raundin e parë të Kupës së Mbretit nga një skuadër e kategorisë së tretë, Real Uninon. Ky ekip e ka fituar Kupën e Mbretit për herë të fundit në vitin 1920 dhe në finale mundi pikërisht Realin. Kishte 88 vjet që Uninoni nuk arrinte ndonjë fitore kaq të rëndësishme.

Të martën në mbrëmje, në "Bernabeu", të besuarit e Shusterit fituan 4-3, rezultat që eliminon Realin, duke marrë në konsideratë humbjen 3-2, të pësuar në qytetin e vogël pranë kufirit me Francën. Për të pasur një ide më të qartë për diferencën mes dy Realeve, mjafton të shohësh buxhetin e tyre. Madridi shpenzon 400 milionë euro në vit, kundrejt 1,5 milionë eurove që nevojiten për të mbajtur Unionin.

Të hënën ky ekip udhëtoi 5 orë me autobus, duke parë një film, ku nuk kishte asnjë fjalë të vetme për Madridin. Të martën u stërvitën në "Veldebebas", pika stërvitore moderne e rivalëve, pastaj për një vizitë në muzen e "Bernabeu"-t, për të parë nga afër nëntë Kupat e Kampioneve, të fituar nga "merengesit". Futbollistët e Unionit lëviznin të habitur, duke bërë fotografi pranë trofeve; dukej si një ekskursion shkolle. Pastaj, nga muzeu në fushën e lojës, për të luajtur futboll. Një tjetër detaj: të martën në mbrëmje, trajneri i Real Uninonit, Injaki Alonso, ka ndyshuar nëntë nga 11 titullarët që fituan 3-2 në ndeshjen e parë. Këta futbollistë ishin ata që kanë fituar shtatë ndeshje radhazi në kategorinë e tretë. Imagjinoni, në ndeshjen e parë Reali nuk ishte i vetmi që luajti me formacionin e dytë.

Real Madridi ka qenë virtualisht i kualifikuar vetëm për katër minuta, nga e 86-a deri në të 90-n. Nga goli i tretë i Raulit deri te "mrekullia" historike e ardhur nga këmbët e Eneko Romo Arangoa, sulmuesi navarr pranë të 30-ave. Pas dështimit ka nisur një proces i vërtetë te kampionët e Spanjës. Të gjithë debatonin me të gjitha, por nga kjo nuk doli asgjë produktive. Pastaj ishte radha e Shusterit, që vazhdon me konferencat e tij "të heshura". "Si ka mundësi që skuadra juaj po pëson kaq shumë, 8 gola në javën e fundit?" Kjo ishte një nga pyetjet e gazetarëve, shumë e saktë dhe aspak kontradiktore. "Nuk e kam idenë," - ishte përgjigjja e thatë e trajnerit gjerman, e cila i shërbeu gazetës "El Pais" për të gjetur titullin e madh. Seria e pyetje-përgjigjeve vazhdoi: "Ndiheni në rrezik? Personalisht jo, për të tjerët ndoshta jam në dilemë, por është normale që të ndodhë kështu." Kujt i referoheni me 'të tjetërt'?" Kësaj pyetje nuk i erdhi përgjigjja. Pasi e pa gazetarin në sy për rreth 30 sekonda, ndërhyri zëdhënësi për shtyp, i cili e deklaroi të mbyllur konferencën, ku trajneri i Realit tha vetëm dy fjali, me 12 fjalë gjithsej...

Reali ka pësuar 21 gola në 12 ndeshjet e fundit dhe rrjeta e Kasiljasit duket e mbushur plot, ashtu si infermieria. Ndaj Uninon u dëmtuan edhe dy qendërmbrojtësit Fabio Kanavaro dhe Kristof Metzelder. Dje futbollistët e Realit kanë pasur ditën e tyre të pushimit, sot do të bëhet ballafaqimi para trajnerit. Pozitat e Shusterit ishin të lëkundura që javën e kaluar, dhe jo më tani. Në test vendimtar mund të jetë ndeshja e ardhshme në Valadolid për kampionatin spanjoll. Humbja mund të ishte fatale për "Engjëllin Bjod". Dy janë kandidatët kryesorë për të zënë vendin e tij. I pari është Huande Ramos, ish-trajneri i Seviljas, i cili ka mbetur pa punë, pasi e shkarkuan nga Totenhemi. Tjetri është Migel Angel Portugal, ish-trajneri i Santanderit, aktualisht i punësuar te Reali, si këshilltar merkatoje. Në Barcelonë kanë filluar të flasin për një alternativë sa sadiste aq fantastiko-shkencore: Frenk Rajkard.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›