Arsimi në 4 vjet qeverisje
Në spotin e shtrenjtë të Ministrisë së Arsimit në TV thuhet se fondet për arsimin janë rritur. Kryeministri thotë gjithkund se arsimi përbën një prioritet për qeverisjen e tij. Në terma realë fondet për arsimin kanë përbërë në të gjithë 12 vitet e fundit një shifër që ka qenë rreth 10% e buxhetit të shtetit. (shifër kjo e cila nuk ka lëvizur, pavarësisht ndërrimit të qeverisë).
Kjo e dhënë tregon qartë se arsimi, në fakt, nuk ka qenë një prioritet e që fjalët e bukura kanë qenë e vazhdojnë të mbeten demagogji. Gjatë 12 viteve të fundit financimi publik për arsimin ka mbetur në rreth 10 përqind të shpenzimeve buxhetore. Pesha e tyre ndaj PBB-së, megjithë disa luhatje, ka mbetur në nivele mes 3 dhe 3.5 %.
Në projektbuxhetin e fundit të kësaj qeverie, dërguar para pak ditësh në parlament, buxheti për arsimi zë vetëm 3.5% të PBB-së. E përkthyer në terma të thjeshtë kjo do të thotë që për çdo 100 lekë që ekonomia shqiptare prodhon, Shqipëria, në vitin që vjen do të shpenzoje vetëm 3 lekë e gjysmë për arsimin. Ndërkohë që vendet e rajonit harxhojnë më shumë se 5% . Vendet e OECD-së shpenzojnë më shumë se 6%.
Shkollat në të gjithë vendin vazhdojnë të mbeten të rrënuara. Me gjithë premtimet për një shtim të investimeve në terma realë, shpenzimet kapitale në arsim vazhdojnë të mbeten në nivele pothuaj të njëjta në secilin vit.
Por duke gjykuar nga dinamikat e tregut të punës, a ka ndonjë zë të vecantë brenda arsimit që qeveria shqiptare do të duhej të promovonte? Në një studim që kemi kryer me ekspertë të arsimit pranë G9-s, kemi dalë në përfundimin që hapi më i rëndësishëm në fushën e nxitjes së punësimit të të rinjve do të ishte investimi në fushën e arsimit profesional.
Mazhoranca e ka premtuar në fakt, se prioritet i veçantë do t'i jepet arsimit të mesëm profesional. Gjithnjë duke iu referuar programit të qeverisë, thuhet se "në arsimin parauniversitar do t'u jepet përparësi shkollave të mesme profesionale në përputhje me tendencat rajonale të zhvillimit ekonomik e të tregut të punës. Në zonat rurale do të hapen një numër i madh shkollash profesionale, kryesisht të profilit të agrobiznesit, ku do të synohet të tërhiqen më shumë se 40% e nxënësve të shkollave të mesme".
Këto janë fjalët. Por nuk përkthehen kurrë në shifra.Në Shqipëri funksionojnë rreth 40 shkolla të arsimit teknik e profesional, të shpërndara në 22 rrethe. Në të gjithë vendin gjenden 9 qendra publike të formimit profesional, në qytetet më të mëdha. Në zonat rurale ka 3 shkolla profesionale, të trija këto të drejtimit bujqësi apo agrobiznes. Që nga viti 2005, rritja absolute e fondeve për arsimin profesional ka qenë në nivele qesharake, madje si përqindje të vetë buxhetit ajo ka pasur ulje për vitin e tretë rresht këtë vit. Në buxhetin e këtij viti, fondi për arsimin e mesëm profesional është më i ulët se vjet dhe në vlerë absolute.
Nëse duam që Shqipëria të bëjë hapa para për të dalë nga gracka e prapambetjes dhe vrafërisë, e vetmja rrugë është investimi në arsim. Arsimi duhet të jetë prioritet i vërtetë dhe jo një prioritet virtual. Të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre 12 viteve të fundit e kanë trajtuar arsimin jo si një prioritet, por si një shpenzim luksi. G99-ta do të synojë të angazhojë sa më shumë aktorë të opinionit publik për të kërkuar rritjen e buxhetit të arsimit në nivelin 5% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ashtu siç kishte premtuar mazhoranca 4 vjet më parë.
*Autori është një nga drejtuesit e G99-s, e cila lançoi dje një fushatë nën siglën "5 %", përsa i përket rritjes së fondeve për arsimin.