Do ti them Bushit sesa afër është Shqipëria me Greqinë
22 qershor 1991, përgjigja e Xhejms Bejkerit për Ramiz Alinë pas kërkesës për vizitë në Tiranë
Mesditën e 22 qershorit 1991, pas rreth pesë dekadave, një udhëheqës komunist shqiptar priste njërin prej ministrave më të rëndësishëm të qeverisë amerikane. Takimi mes presidentit Ramiz Alia dhe Sekretarit Amerikan të Departamentit të Shtetit, Xhejms Bejker, u mbajt në Pallatin e Brigadave.
Presidenti Alia e pret me shumë ngrohtësi dhe superlativa ministrin amerikan. 16 vite më vonë, i pari President i SHBA-ve do të vinte në Tiranë, por do të kalonte në një shesh të zbrazur nga populli me urdhër të autoriteteve, në emër të sigurisë për jetën e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Ishte ai shesh ku, po në qershor, por të vitit 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, pritej në sheshin “Skënderbej”, prej mëse 300 mijë shqiptarëve. Ai ishte heroi përballë turmave të varfanjakëve shqiptarë, të cilët shenjën “Victory” të dy gishtave e morën si premtin të SHBA-ve për 6 milionë dollarë ndihmë, pra nga dy dollarë për kokë, të 3 milionë shqiptarëve.
Xhejms Bejker mahnitet nga pritja, që e cilëson të jashtëzakonshme. Përballë tij janë zyrtarë, të cilët deri në dhjetorin 1990, i kishin cilësuar SHBA-të xhandarë të botës, imperialistë dhe gjakpirës. Ramiz Alia, pasuesi i Enver Hoxhës, është aq i përulur përballë amerikanëve, saqë në emër të të gjithë komunistëve shqiptarë, lëpin ato parulla që për 45 vite kishin izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës, pra edhe nga SHBA-të, me të cilët nuk kishim as marrëdhënie diplomatike.
Dhe, për 45 vite, Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit e saj, as nuk ia kishin idenë se ku gjendej Shqipëria. Siç e thotë me gojën e tij sekretari Bejker në takimin me presidentin Alia, kur i premton se do t’i tregojë Bushit (të vjetrit) sesa afër Greqisë është Shqipëria, ku ai erdhi pa e shkelur, disa vite më vonë, por që e vizitoi djali, George W. Bush, më 10 qershor 2007.
Biseda e takimit Alia-Bejker
Ramiz Alia- Ardhja juaj në Shqipëri është një moment historik. Ju jeni i mirëpritur nga tërë populli shqiptar, siç e patë edhe vetë në pritjen që ju bëri sot. Në emrin tim dhe të popullit shqiptar ju uroj mirëseardhjen. Ju vini në Shqipëri mbas dy ngjarjeve të shënuara: vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-së dhe të pranimit të vendit tonë në KSBE. Në të dy këto evenimente ju dhe presidenti Bush keni dhënë një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme për Shqipërinë.
Xhejms Bejker- Ju falenderoj për konsideratat. Jamshumë i kënaqur nga pritja e ngrohtë dhe e jashtëzakonshme që m’u bë mua dhe kolegëve të mi nga populli shqiptar. Me këtë rast më lejoni t’ju transmetoj përshëndetjet e presidentit Bush për ju dhe për popullin shqiptar. Unë zhvillova një takim të dobishën me Kryeministrin shqiptar dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Patëm rastin të shqyrtojmë hollësitë e programit tuaj për reformën ekonomike e politike dhe i mirëpres bisedimet me ju.
Ramiz Alia- Në Shqipëri po realizohen transformime rrënjësore demokratike. Përpjekja jonë ka qenë dhe është që të gjitha këto procese demokratike të bëhen me maturi, pa ekcese. Sigurisht, krahas arritjeve, kemi shumë punë për të bërë, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, në kalimin në ekonominë e tregut etj. Vështirësi natyrisht që ka, por ne nuk jemi të dekurajuar. Ne jemi të vendosur që të ecim në këtë rrugë, sepse kjo është në interes të popullit tonë. Dhe duke ecur kështu, ne kemi besim se do të gjejmë përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanshme të SHBA-së, ashtu si dhe të komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë që të kapërcejmë vështirësitë dhe t’u hapim rrugë të gjithanshme zhvillimeve të mëtejshme demokratike.
Xhejms Bejker- Më lejoni t’ju them se jam dakord me të gjitha sa thatë ju dhe përshëndes zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe pranimin e saj në KSBE. Unë i kuptoj vështirësitë e kalimit nga një sistem në një sistem tjetër, po mendoj se hapat duhet të jenë më të shpejta. Unë e shikoj qartë se është bërë në drejtim të thellimit të lirive politike, të lirive fetare dhe të atyre ekonomike, etj. Ne dëshirojmë t’ju ndihmojmë në këtë rrugë të vështirë për kapërcimin e vështirësive, sepse unë kam besim në vazhdimësinë e reformave tuaja. Unë do t’i tregoj presidentit Bush për këtë pritje të jashtëzakonshme që m’u bë në Shqipëri dhe të cilën grupi ynë i xhirimit e ka filmuar.
Ramiz Alia- Ne do të ecim në këtë rrugë dhe ju falenderojmë për angazhimin tuaj për të ndihmuar Shqipërinë. Ne dëshirojmë zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në në çdo fushë. Në SHBA ka një komunitet të madh shqiptar dhe ata me siguri do të ndihmojnë për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. Ju lutem t’i transmetoni përshëndetjet e përzemërta presidentit Bush. Kam dëgjuar se së shpejti presidenti Bush do të shkojë në Greqi. Me këtë rast kam kënaqësinë ta ftoj për një vizitë në Shqipëri.
Xhejms Bejker- Do t’i tregoj presidentit Bush për mikpritjen e jashtëzakonshme në Shqipëri dhe do t’i them sesa afër është Shqipëria me Greqinë.
Konferenca e shtypit e Presidentit Alia me gazetarët vendas dhe të huaj
Imperializmi amerikan? SHBA-të kanë qenë dhe janë vend demokratik
Para takimit me Xhejms Bejker, presidenti Ramiz Alia zhvillon një bisedë me gazetarët vendas dhe shumë gazetarë të huaj, kryesisht amerikanë, që kishin ardhur të pasqyronin vizitën e parë të një qeveritari të lartë amerikan në Shqipëri, disa dekada pas prishjes së marrëdhënieve me SHBA-të. Alia thotë se vizita e Bejkerit është një ngjarje e madhe për popullin shqiptar. “Është personaliteti i parë amerikan që vjen në Shqipëri dhe kjo ka përparësi. Kjo është me rëndësi të madhe, sepse vjen pas dy ngjarjeve të mëdha: vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në dhe pranimit të Shqipërisë në KSBE (Këshilli për Siguri dhe Bashkëpunim Europian). Kjo i përket aspektit të jashtëm. Në aspektin e brendshëm ka rëndësi, se zoti Bejker vjen në një kohë kur në Shqipëri po ndodhin zhvillime demokratike, ndryshime rrënjësore në fushën politike, ekonomike e sociale. Prandaj dhe populli ynë e priti me shumë kënaqësi këtë vizitë. Dhe këtu ju kam parasysh edhe ju gazetarëve, shumica e të cilëve vini për herë të parë në vendin tonë.
Një gazetare- A është e vërtetë se zoti Bejker vjen në Shqipëri me premtimin për 6 milionë dollarë ndihmë nga ana e SHBA-ve?
Ramiz Alia- Unë akoma nuk jam takuar me Bejkerin, kështu që nuk e di. Ne llogarisim që SHBA-të me siguri do ta ndihmojnë Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik, demokratik etj. Në SHBA ka një komunitet të madh shqiptar. Jam i sigurt që ky komunitet është i interesuar shumë për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë, të atdheut të tyre. Në këtë kuadër, besoj se SHBA-ja do të jetë e dispozuar pozitivisht për të ndihmuar Shqipërinë. 6, 60 apo 600 milionë dollarë, këtë nuk e di.
Një gazetar- Dikur Shqipëria e ka quajtur SHBA-në një vend imperialist, ndërsa tani një vend demokratik…
Ramiz Alia- Shumë emërtime ka patur përpara për të kualifikuar një vend apo një tjetër. Ka ekzistuar lufta e ftohtë, kanë ekzistuar blloqet ushtarake e komunitete ekonomike kundërshtare dhe mbi këtë bazë kanë ekzistuar ato emërtime të ndryshme. Unë mendoj që SHBA-të kanë qenë dhe janë një vend demokratik që e zhvillon demokracinë dhe përkrah zhvillimin demokratik të çdo vendi. Në këtë kuadër unë besoj se SHBA-të do të përkrahin edhe transfomimet demokratike në Shqipëri.
Një gazetar- A mendoni për kthim prapa në rrugën që keni nisur?
Ramiz Alia- Jo. Zhvillimi i Shqipërisë në këtë rrugë dhe tërë procesi i demokratizimit të vendit është i pakthyeshëm, sepse kjo është një kërkesë objektive e zhvillimit të vendit. Nuk është çështje subjektive që e dëshiroj unë apo një tjetër. Pra është nevojë e zhvillimit dhe e përparimit të vendit, të popullit dhe të ekonomisë sonë. Vizita e zotit Bejker ndikon në zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë së vendit tonë e për konseguencë edhe në moskthimin prapa të këtyre proceseve.