Jeni brilantë. Na jepni edhe 1 miliard
Jo për të gjitha institucionet e kulturës, të shkencës dhe të hartimit të politikave që paraqitën për diskutim dje në kuvend projektbuxhetet për vitin 2009, vlen ky titull. Ai është shkëputur nga ditirambet e kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike, në adresë të Komisionit të Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit Publik. Një ditë e ngjeshur për ata anëtarë që ndjenjën deri në fund, nga një takim në tjetrin Komisioni tkurrej, për diskutimin e projektbuxhetit të RTSH, e ATSH, Akademisë së Shkencave apo Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
“Brilant”, e quan Feri komunikimin me Komisionin gjatë 2008-ës. “Përkrahjen tuaj e kemi mirëpërligjur me efektivitetin më të lartë të fondeve publike”. Eh, antarësimi në Euroimage është një vonesë e vogël, (sa për syrin e keq), një hiç gjë në krahasim me arritjet e QKK. Të tilla përmend përfundimin dhe shfaqjen në publik të premierave për 5 filma me metrazh të plotë, 5 dokumentarëve artistikë, 6 filma të animuar, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, Festivali Giffoni –Albania, Manifestime Promovuese të Filmit shqiptar brenda dhe jashtë vendit, botime,
8 filma artistikë me metrazh të mesëm e të shkurtër të autorëve të rinj - “Po investojmë shumë tek të rinjtë”, tha Feri.
Prandaj, për vitin që vjen ai ka kërkuar minimumi një buxhet prej 250 milionë lekësh, që do me thënë, 100 milionë më shumë – kaq qenë në 2005 buxheti i QKK.
“Nevojat dhe garancitë e realizimit të projekteve të kontratuara e të parashikura në aktivitetin e QKK, do të kërkonin minimalisht akordimin në buxhetin e vitit 2009 të shumës prej 250 milionë lekësh.” Feri shton se qendra e tij nuk ia harron ndërhyrjen e vjetshme Komisionit për vlerën 2 miliardë lekë (të vjetra). “S’do t’ju zhgënjejmë”, këmbëngul kryetari.
Për Marko Bellon, deputet i të majtës, buxheti që kërkon Feri nuk është gjëkafshë, por dyfish i duket në krahasim me 2008.
Kryetari i QKK nuk harron projektin 8-12 milionë dollarë që përfshin sipas tij “Hollivudin dhe Stan Dragotin, fatin e hebrejve në Shqipëri”. Anëtarët tundin kokën tek dëgjojnë Hollivud, Dragot, hebrej të shpëtuar, e barabartë me “imazh të Shqipërisë në botë”.
Aty për aty, milionat apo miliardat duken vërtet shifra të papërfillshme, pako gjë për punë kaq të mëdha të artit.
Për kryetaren Valentina Leskaj QKK e meriton plotësisht mbështetjen e Komisionit të Edukimit dhe po e desh puna, do të kërkojë një seancë plenare në kuvend që administrata e prodhimit kinematografik të marrë buxhetin që i duhet 2.5 miliardë lekë (të vjetra). “QKK e meriton”, tha Leskaj, sepse: ka nevojë, është serioze dhe ka kapacitete që investimet që thith t’i zbatojë, është një nga të metat e kësaj qeverie, shtoi ajo duke iu drejtuar anëtarëve të djathtë të komisionit.
Takimi 20 minutësh u mbyll me batutën e Edi Palokës “ne t’i japim, po a t’i jep Ridvani”, dhe me “përunjësinë” e Ferit: “Unë vazhdoj t’ju jem mirënjohës”.
Kështu kryetari kërkoi ndikim në përmirësimin e buxhetit të parashikuar nga Ministria e Financave për QKK në vitin 2009.
Një diskutim i dhjamur i deputetëve anëtarë të Komisionit. Ndërmjet seancave dëgjohej se problemet që i shqetësojnë vërtet janë ato familjare dhe private, për naftën e shtrenjtë dhe Mitsubishin, për kafenetë dhe fundjavat, shqetësim që nuk u duk kur flitej për paratë e qytetarëve. Një indiferentizëm në formën e gjoja mirëkuptimit dhe solidaritetit të atij lloji që premton garanci se po ra Feri një ditë nga ajo karrige do ta presë, fjala vjen, Bisha, regjisori deputet, anëtar i Komisionit të Edukimit.
Është thjesht një nga qindra komisionet e padijshme dhe të paangazhuar me realitetin kulturor në Shqipëri që nuk i njohin zhvillimet dhe për pasojë as problemet. Janë deputetë që nuk i sheh në ndonjë premierë filmi, sepse ndryshe nga ç’raportoi dje Feri, ka ndodhur që dhe ai vetë dhe asnjë nga stafi i tij me “kapacitet”, nuk ka qenë i pranishëm në ndonjë premierë apo paraqitje tjetër të rëndësishme zyrtare.
Feri nuk mund t’i hapte punë vetes dje që hem të kërkonte para, hem të thoshte se këta producenta shqiptarë njëherësh, regjisorë, skenaristë, e marrin filmin për të cilin QKK ka derdhur miliona, e fusin në sqetull dhe e shfaqin kur të duan e si të duan, me apo pa Qendrën.
Rrethi i autorëve që konkurojnë në QKK është ngushtuar aq shumë sa emrin e një regjisori e gjen në proces me dy projekte, hem në një film të shkurtër, hem në një tjetër të gjatë; ndërsa një shtëpi filmike të marrë përsipër prodhimin e më shumë se dy projekteve, duke monopolizuar të drejtat që konkurrenca e lirë ia rezervon të talentuarve dhe jo “të shkathtëve”. Kjo klimë është dekurajuese edhe për atë që s’ka ndërmend të bëjë ndonjëherë një film, e spektatorit të kinemasë dhe qytetarit.
Politika që po ndjek QKK ndaj brezit të ri nuk është mbështetëse, por diskriminuese.
Mund të thotë kryetari i QKK një emër nën 35 vjeç që është në proces pune për një film të shkurtër, apo ndonjë tjetër tek të dyzetat që ia ka ndjerë erën një filmi të gjatë?
Po ashtu botimet: vetëm ortodoksi mund të dëshmojë fakti që çfarë prodhohet në fushën e kulturës, zhvillimet, reaksionet, refleksionet dhe analizat, nuk dokumentohen. Shqipëria nuk ka asnjë revistë kinemaje dhe vetë QKK nuk ka botuar kurrë në historinë e saj 11-vjeçare qoftë edhe një katalog reklamash të filmave shqiptarë.
Vetëm një qendër regresive e kinemasë kombëtare mund të bëjë festival filmi shqiptar pa artistë shqiptarë siç ndodhi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.
Prandaj ky autoritet i lartë i kinemasë komunikoi si deshi me një komision shurdh memec ndaj zhvillimeve apo regreseve të kinemasë.
Po rojet?
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2009 do të ketë prioritet Turizmin, tha dje zëvendësministri i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ekrem Spahia, ndërsa lexonte në mungesë të tij, fjalën e ministrit Ylli Pango.
Projektbuxheti i 2009-s është hartuar në 6 programe. Një ndër ta, Programi i projekteve specifike kulturore është shkrirë në programin e artit, trashëgimisë dhe turizmit. Sipas raportit të Pangos në këtë projekt buxhet, janë ruajtur kufijtë maksimalë të parashikuara në programin buxhetor afatmesëm 2009-2011, “mbi baza objektivash dhe produktesh pavarësisht se kërkesa jonë ka qenë më e madhe.
Programi i buxhetit i vitit 2009 është 2.157 milionë, ndërsa për vitin 2008 ka qenë 2.403 milionë. Ministri e quan buxhet me rritje në të gjithë zërat, me përjashtim të zërit të investimeve i cili rezulton me ulje 10% ose 246 milionë lekë më pak se viti 2008.
Në programin “Arti dhe kultura” fondet rezultojnë me ulje sepse projekti për rikonstruksionin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori” në buxhetin e vitit 2009 është 260 milionë lekë, ndësa në buxhetin e vitit të shkuar ishte 380 milionë lekë kohë kur rikonstrusioni i Bibliotekës së vjetër mori 80 milionë lekë.
Në këtë program peshën më të madhe e zënë rikonstruksioni në fjalë, Pallati i Kulturës, Teatri kombëtar, TOB, Qendra Kombëtare e Fëmijëve, Galeria e arteve.
Në programin e trashgëimisë kulturore fondet e investimeve rezultojnë me ulje prej 123,1 milionë lekë. Fondet për restaurimin e monumenteve të kulturës nuk kanë pësuar ulje, madje janë rritur me 26.9 milionë lekë ose 17%. Në këtë program investimet do të përdoren për restaurime të monumenteve të kulturës në Gjirokastër dhe Berat si dhe do të mbështetet agjencia e shërbimeve arkeologjike për blerje pajisjesh logjistike si institucion i ri i krijuar në vitin 2008.
Janë llogaritur fonde edhe për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë siç janë: Muzeu Historik Kombëtar, GKA, Muzeu Onufri Berat, Muzeu i artit mesjetar korçë dhe arkivi qendror shtetëror i filmit të cilat zënë një peshë të konsiderueshme të shpenzimeve korrente.
Krejt papritur, diskutimi i një ministrie të tërë u zhvendos tek “roja”. Janë rojet e qendrave apo monumenteve të trashëgimisë kulturore. Nuk u fol as se muzetë nuk kanë drita, as për kushtet e sigurisë dhe ruajtjes në kompleksitet, por për ata burra me uniformë oficerash privatë që nuk mund të ruajnë nga keqbërësit veç portës hyrëse të monumentit. Ja për shembull, kishat e Voskopojës vidhen se nuk ka roje!
Komisioni i Edukimit dhe MTKRS do të shohin në të ardhmen se çfarë mund të bëjnë në këtë drejtim.