E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Ballkani në BE brenda 2014-ës

Kryeministri grek Jorgos Papandreu deklaroi se vendet e Ballkanit duhet te anëtarësohen në Unionin Europian brenda vitit 2014. Një anoncim të tillë ai e ka zyrtarizuar me një kërkesë gjatë samitit të Brukselit. Pas qëndrimit në Bruksel, Papandreu tha se Greqia prezantoi në samit iniciativën e saj për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. "Kishim rastin të paraqisnim një iniciativë të re, një vizion të ri për integrimin europian të rajonit", ka thënë Papandreu duke ndërmarrë një objektiv simbolik, por edhe të guximshëm, për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2014, domethënë 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore në Sarajevë". Sipas kryeministrit grek, ky propozim i tanishëm do të ndihmojë, pa u reduktuar kriteret, që t'i jepet fund, sipas tij, amullisë së proceseve teknokratike që në thelb kanë ngrirë ecurinë integruese të këtyre vendeve. Ai shtoi se zhvillimet e reja do të japin edhe një dinamizëm të ri në zgjidhjen e problemeve dypalëshe, dhe përmendi si shembull mosmarrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit kushtetues të vendit fqinj. Duke folur për takimin e shkurtër me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski, Papandreu tha se ishte një rast për t'i theksuar drejtpërdrejtë vijën e kuqe të Greqisë, që shprehet në qëndrimin e njohur për një emër me përcaktim gjeografik që të përdoret kundrejt të gjithëve. Pavarësisht se askush nuk priste ndonjë rezultat nga ky takim, kryeministri grek tha se i theksoi Gruevskit që Greqia është e para që dëshiron ta shohë vendin fqinj në NATO dhe në BE, si partnerë të mirë dhe aleat të mirë, por që të arrihet kjo, presupozon zgjidhjen e çështjes së emrit. I pyetur nga gazetarët nëse Greqia është e prirë të vendosë një veto tjetër ndaj Maqedonisë në samitin e dhjetorit, Papandreu u përgjigj: "Besoj se jam shprehur qartë dhe ia thashë edhe Gruevski, se që të ketë fillim të negociatave anëtarësuese, duhet të gjendet zgjidhje në çështjen e emrit".
Pala greke, edhe pas samitit në Bruksel e përjashtoi mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta në çështjen e emrit, dhe theksoi se ato do të vazhdojnë nën kujdestarinë e OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›