E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bertina dhe Erioni sqarohen në dhomën e surprizës

Erioni dhe Bertina shkojnë në dhomën e bardhë, ku është përgatitur surpriza për ta. Ata qëndrojnë shtrirë në krevat dhe ndërkohë diskutojnë. Ata shprehen se ndiejnë shumë, një pëlqim të fortë dhe se bëhen xhelozë, por Bertina shprehet se shpesh nuk ndjehet e bindur për ndjenjat e Erionit ndaj saj. Ndërsa bisedojnë, ata puthen e përkëdhelen

Menjëherë pas spektaklit të “Big Brother” ditën e shtunë në “Top Channel”, banorët kanë nisur të diskutojnë mbi gjithë sa ka ndodhur e madje dikush prej tyre ka folur hapur edhe për mendimet që ka kundrejt ndonjë banori tjetër. Miri vazhdon të jetë shumë i mërzitur për eliminimin e Rrezartës, si dhe për reagimet e paragjykimet e njerëzve për lidhjen e tyre

Miri, i mërzitur për Rrezartën

Jetmiri vazhdon të qëndrojë i distancuar dhe i mërzitur për daljen e Rrezartës. Ai rri i menduar dhe herë pas here flet vetëm për të. Miri shprehet se i vjen keq për të, për prindërit e saj dhe për opinionin. Ai tregon se kur takoi mamanë e Rrezartës, iu krijua përshtypja sikur ajo nuk e aprovoi lidhjen e tyre e sikur donte të thoshte se përfitoi nga ajo, apo se i kishte shkatërruar vajzën. Bertina afrohet pranë tij dhe fillon të diskutojë për Oltën e së bashku me ta është edhe Hakiu me Erionin. Bertina shprehet se nuk i pëlqeu reagimi i Oltës kur mori vesh se asaj i kishin bërë një surprizë dhe shprehet se me të do përballet gjatë kësaj jave. Miri e kalon bisedën te grupimet e formuara dhe thotë se Kika dha një mesazh sensibilizues e pozitiv, që të mos ekzistojnë grupimet mes tyre, ndërsa ata ende vazhdojnë të qëndrojnë veç. Hakiu shprehet se si Olta edhe Klodi dhanë mesazhin e tyre, të kundërt me të tijin. Miri mendon se grupi tjetër e ka mirorganizuar nominimin e kësaj jave, por shton se publiku i sheh dhe i vlerëson.

Seldi, gjeste romantike për Domenikën

Domenika i thotë Seldit se po tregohet shumë xhentil e romantik me të dhe i jep një shembull ku asaj i ka pëlqyer mjaft, kur i solli filxhanin me kapuçino e të zbukuruar. Seldi ia kthen se ndonjëherë edhe është i tillë, por Domenika e pyet se përse ndonjëherë e jo gjithnjë. Seldi përgjigjet se nuk është vendi i përshtatshëm për t’u treguar gjithnjë romantik, sepse duke e bërë përditë, i humbet rëndësia dhe bukuria. Domenika tregon se një femër i vlerëson gjestet më të vogla e “gënjehet” me përkujdesjen e romantizmin që tregon mashkulli ndaj saj. Ajo këtë ia jep si këshillë për raportet me vajzat e tjera që do ketë dhe Seldi qesh. Ai tregon se ajo është e vetmja vajzë për të cilën ai ka bërë kaq shumë, që i ka shkuar nga pas, sepse gjithnjë kanë qenë vajzat që kanë ardhur tek ai. Domenika habitet dhe Seldi shton se nuk e ka pasur të nevojshme që t’u shkojë ai vajzave edhe pse kjo gjë është më se normale për një djalë. Seldi i shpreh edhe një herë dashurinë asaj, por Domi duket disi e bezdisur. Seldi shton se e kupton edhe sensin e lojës apo raportet me të tjerët e për këtë nuk do t’i bjerë më në qafë.

Jetmiri dhe Hakiu flasin për mentalitetin shqiptar

Miri diskuton me Hakiun për Rrezartën dhe veprimet që ajo ka bërë, të cilat janë paragjykuar nga të tjerët apo publiku. Ai tregon për marrëdhënien e dashurisë mes të dyve, që është diskutuar e paragjykuar shumë nga të tjerët, ndërkohë që çdo njeri e bën. Miri mendon se njeriu duhet të jetë i lirë të bëjë atë që ndjen dhe se ajo këtë gjë ka bërë. Hakiu shprehet se këta lloj njerëzish, sado që të përpiqen të ndryshojnë mentalitet, sërish po të njëjtët mbeten. Ai mendon se veprimet e tyre kanë qenë të nxituara, ndërsa Miri mendon se Rrezarta është një karakter mjaft i hapur dhe vërtet do të bëjë ato që ndjen. Hakiu ndërhyn dhe thotë se mentaliteti shqiptar nuk ka arritur ende në atë pikë sa të pranojë këto lloj veprimesh dhe shprehet se dhe ai vetë e ka parë si një hap të nxituar këtë gjë. “Ne jemi këta që jemi e nuk i ndryshojmë dot mendimet me një ‘reality show’ apo brenda natës”, shprehet ai. Miri duket shumë i prekur nga opinioni i të tjerëve dhe shprehet se nesër do shpërthejë. Miri flet edhe me Seldin, i irrituar për fjalët që i tha dhe shprehet se dhe me atë do sqarohet. Seldi e pyet nëse do sqarohen brenda apo jashtë, me brinjë apo pa brinjë, duke ironizuar fjalët e Mirit. Ai i thotë se i ka vënë një kryq të madh, duke shtuar se nuk e konsideron më asgjë. Miri i thotë se që nesër do fillojë të merret dhe me të, sepse deri tani nuk e kishte parë në këtë mënyrë. Ai thotë se Seldi i ka tejkaluar të gjithë kufijtë me të.

Hakiu i tregon Domenikës mendimet për të

Gjatë festës, Domenika dhe Hakiu gjejnë mundësinë për të folur e për të sqaruar disa momente që kanë parë në klipet e transmetuara gjatë spektaklit dhe kryesisht për fjalët e Domenikës për ndarjen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Domenika e sqaron se asaj nuk i erdhi mirë që u përfol për këtë ndarje dhe ky ishte thelbi i asaj që kishte thënë. Ajo shton se gjithë keqkuptimi ka ardhur nga Jetmiri, i cili ishte shprehur i pari kundër tij dhe dy të rinjve të tjerë nga Kosova, ndërsa tani ai rri me ta, sepse i leverdis. Hakiu mendon se nuk duhet të ndahen dhe vetë Domenika ka folur kundër kësaj ndarjeje të tre banorëve kosovarë nga pjesa tjetër e banorëve. Sipas saj, ai duhet ta sqarojë me Mirin e jo me të këtë gjë. Për Rrezin, Domi shprehet se i vjen keq që ajo doli dhe se e humbi lojën që në momentin që u lidh me Mirin, ndërsa Hakiu mendon se ndikimi i një personi te një tjetër është një fenomen që ka ndodhur që prej fillimit në këtë shtëpi. Domi shton se ka të tjerë banorë që vazhdojnë të influencohen, duke mos treguar veten e tyre se si janë. Ata diskutojnë edhe për mesazhin që dhuroi Kika përmes poezisë. Domenika shprehet se nga dymbëdhjetë veta që janë, ajo në shtëpi konsideron veç dhjetë, duke përjashtuar Mirin, sepse edhe ai i ka thënë se ajo nuk ekziston për të. Domenika betohet se nuk është kështu dhe se nuk po luan me të. Hakiu shprehet se ka disa gjëra që nuk i pëlqejnë tek ajo dhe njëra ishte marrëdhënia e tanishme me Seldin dhe pjesa tjetër është se tek ajo ai ka vlerësuar shpirtin artist, ndërsa tani po sheh që ajo këto i ka lënë mënjanë dhe energjia e saj është kanalizuar në një tjetër drejtim, duke u kthyer në një katalizator të thashethemeve, të intrigave, ku shumë njerëz e kanë pësuar dhe do e pësojnë e të tjerë. Domi mendon se ai është ndikuar nga mendimet e të tjerëve, por Hakiu shprehet se nuk ia lejon vetes që të ndikohet.

Erioni dhe Bertina, te dhoma e surprizës

Erioni dhe Bertina shkojnë në dhomën ku është përgatitur surpriza për ta. Ata qëndrojnë shtrirë në krevat dhe ndërkohë diskutojnë. Erioni shprehet se në momentin kur e thirrën Bertinën, i shkoi mendja se mund të ishte realizuar surpriza e tij, por nuk e priste kaq shpejt. Bertina shprehet se ndoshta e kanë bërë kaq shpejt, sepse nuk i dihet, ndoshta ajo nuk do të jetë më javën tjetër. Për surprizën e saj, ajo tregon se nuk e ka përcaktuar, por thjesht ka shkruar se donte diçka për Erionin. Bertina mendon se ndoshta i organizojnë diçka në lidhje me skuadrën e tij të volejbollit, ndoshta një ndeshje. Ata diskutojnë edhe për mosmarrëveshjet e krijuara mes tyre e përpiqen që të sqarohen. Të dy mendojnë se tjetri bën sjellje jo të duhura dhe secili tregon se ku i ka mbetur qejfi. Bertina i kërkon të sqarohen edhe për situatën e një dite më parë, ku të dy nuk u sollën mirë, por sipas saj, ai më shumë se ajo. Bertina shprehet se vendosi që të mos i flasë më atij, pasi vuri re një sjellje të çuditshme, largësi nga ai drejt saj. Bertina i thotë se nuk i pëlqeu që ai, për ta bërë atë të ndjehej keq, shkoi të rrinte me shoqet e t’i puthte me radhë ato. “Ti mendon se e bëra për inatin tënd? Unë e ndjeva pa e bëra”, thotë Erioni, kurse Bertina përgjigjet se e mendoi kështu ngaqë më parë ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Ata diskutojnë dhe për ndarjen e krevateve dhe Erioni rrëfen se e bëri për të parë reagimin e saj. Ai ankohet se ajo asnjëherë nuk vjen ta puthë e ta përqafojë, por Bertina ia kthen se kështu i shijon më shumë. Ai e pyet se përse ajo nuk erdhi e t’i kërkonte sqarime për ndarjen e krevateve, por ajo shprehet se iu duk sikur ai po luante. Erioni shprehet se nuk i pëlqen mënyra se si komunikon ajo, ndërsa Bertina se nuk i pëlqen kur ai e kritikon vend e pavend, ku shpesh ndjehet e poshtëruar. Ajo ia kërkon që t’ia thotë më vete dhe ashtu nuk ia merr për ters, por kur janë me të tjerët, ai u jep materiale që ata t’i përdorin kundër tyre. Erioni thotë se shpesh nuk i sheh si kundërshtarë, por si miq. Më pas, ata ndryshojnë atmosferën, duke folur për ndjenjat e tyre e duke i rrëfyer njëri-tjetrit se në çfarë pike kanë arritur. Ata shprehen se ndjejnë shumë, një pëlqim të fortë dhe se bëhen xhelozë, por Bertina shprehet se shpesh nuk ndjehet e bindur për ndjenjat e Erionit ndaj saj. Ndërsa bisedojnë, ata puthen e përkëdhelen.

Hakiu debaton me Klodin

Banorët kanë dalë në kopsht të veshur me rroba banje për të shijuar bukurinë e kësaj dite, ngrohtësinë dhe rrezet e diellit. Ndërsa pushojnë, ata diskutojnë për tema të ndryshme, ku kryesisht në qendër të vëmendjes janë Bertina me Erionin, të cilët tregojnë detaje për dhomën e bardhë dhe surprizën që ju bë atyre. Eduardi ngacmon Hakiun, duke thënë se ai çfarë nuk tha për të tjerët nën efektin e alkoolit, ndërsa ai shprehet se e kishte veten nën kontroll dhe Bertina e konfirmon këtë gjë. Hakiu shprehet se ende ka shumë për të thënë e ato që tha ishin veç fillimi. Klodi ndërhyn, duke uruar që të jenë ende në shtëpi e të dëgjojnë ato që ka për të thënë ai e t’i japin kënaqësinë që ta dëgjojnë kur ai të flasë. Duke vazhduar bisedën, Hakiu shprehet se çdo mëngjes do përkulen për t’i uruar “mirë mëngjes” Klodit, që kështu ta kuptojë se ata kanë respekt për të. “Edhe të shtrihesh në tapet nuk më jep kënaqësi”, ia kthen ai, duke shtuar se as do që t’i përkulen e as t’i përkulet kurrkujt. Ai thotë se Kika duhet të mundohet ta njohë më shumë, ndërsa Hakiu shprehet se e njeh mirë. Sipas Klodit, ai nuk e njeh, sepse nuk kanë biseduar asnjëherë, por Hakiu shprehet se ai e ka refuzuar gjithnjë dhe se vetë nuk do që të njihet. Klodi thotë se ka qenë i pari që ka kërkuar të flasë me të, por Hakiu nuk i është përgjigjur.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›