Ulen lindjet, shtohen fëmijët e paushqyer, me anemi
Numri i lindjeve në vend nga viti në vit po ulet. Numri ideal i fëmijëve që duan të lindin shqiptarët është mesatarisht dy. Mosha mesatare e marrëdhënies së parë seksuale nis nga 21 në 32 vjeç, ndërsa mosha e martesës për gratë kryesisht është 22-23 dhe për burra 26-28. Gratë shqiptare e lindin fëmijën e parë rreth moshës 23 vjeç, ndërkohë që 3-4 për qind e grave shtatzënë janë nga 15 deri në 19 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Statistikave shpall rezultatet e Studimit të Parë Demografik dhe Shëndetësor, realizuar gjatë periudhës 2008-‘09 në vend.
Treguesit demografikëSipas studimit, vdekshmëria foshnjore është minimizuar në kryeqytet, ndërkohë që mbetet shifra e lartë në zonat malore, respektivisht 38 vdekje për 1 mijë lindje, ndërkohë që shifrat mbeten të larta edhe për vdekjet e fëmijëve nën 5 vjeç.
Përdorimi i metodave kontraceptive është më i gjerë në zonat urbane, ndërkohë që mbetet i ulët numri i shqiptarëve që përdorin metoda moderne për t’u ruajtur nga shtatzënitë e padëshiruara.
Shumica e grave shqiptare marrin kujdes shëndetësor para lindjes dhe kryejnë lindjen në maternitete nga 95-100 për qind të rasteve, në varësi të zonës ku jetojnë. Po ashtu shumica e fëmijëve kryejnë “ritualin” e vaksinimit nga 93 deri në 100 për qind të rasteve. Rreth 71 për qind e fëmijëve të cilët kanë pasur ethe janë drejtuar te mjeku për ndihmë të specializuar.
Sipas studimit rreth 17 për qind e fëmijëve nga 6-59 muaj vuajnë nga anemia. Rreth 19 për qind e fëmijëve shqiptarë në moshën 5 vjeç janë më të shkurtër se normalja e gjatësisë që kanë bashkëmoshatarët e tyre. Ndërkohë që 9 për qind e fëmijëve janë më të dobët krahasuar kjo me gjatësinë që kanë. Plot 22 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç vuajnë nga mbipesha.
StudimiStudimi i parë demografik dhe shëndetësor jep informacion të plotë mbi shëndetin, situatën demografike të popullsisë shqiptare dhe tregon fushat ku duhet ndërhyrë për përmirësimin e situatës.
Ky studim mbledh të dhëna mbi modelet demografike të popullsisë, lindshmërinë, shëndetin e nënës dhe të fëmijës, infeksionet HIV, gjendjen e ushqyerjes, migrimin dhe fuqizimin e grave.
Sipas të dhënave të prezantuara në Studimin Demografik Shëndetësor, lindshmëria në vend është ulur. Gjatë pesë vjetëve të fundit vdekshmëria foshnjore dhe amtare ka pësuar një ulje të ndjeshme. Teksa kemi një rënie të përdorimit të metodave tradicionale kontraceptive. Ndërkohë që gjendja e ushqyerjes te fëmijët vazhdon të mbetet një shqetësim për shëndetin publik.
ADHS 2008-09 mbështetet në të dhënat e mbledhura nga një kampion familjesh, përfaqësues i të gjithë popullatës. Në studimin e kryer gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh janë intervistuar 8994 familje, 7584 femra dhe 3013 meshkuj të moshës 14-49 vjeç. Studimi ofron një bazë të mirë të të dhënave dhe vlerësimeve statistikore të treguesve socialë, të cilët do të përdoren nga politikëbërësit, kërkuesit, organizatat joqeveritare dhe akademikët. Sipas ADHS, pabarazitë në shëndet, gjendja e të ushqyerit, qasja në shërbimet shëndetësore dhe niveli i njohurive për metodat e planifikimit familjar, HIV/AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme janë identifikuar si fusha për përmirësim. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e cilësoi studimin “një fotografim objektiv të realitetit”.
#