AKEP: Celulari i 4-t, në treg brenda korrikut
Brenda muajit korrik pritet të startojë kompania e katërt celulare në Shqipëri. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ky zhvillim do të rrisë konkurrencën dhe për pasojë do të ndikojë në uljen e tarifave. “Nga kontaktet e vazhdueshme që kemi pasur me drejtuesit e operatorit të katërt celular, “Mobile 4 Al”, pritet që hyrja në treg të kryhet në javën e parë të muajit korrik. Pas kësaj, presin që tregu të ketë një rritje të konkurrencës, shërbime më të mira, ulje tarifash dhe teknologji të përparuar”, tha Pirro Xhixho, kreu i AKEP. Pas futjes në treg të operatorit të tretë, në raportin e AKEP, janë dyfishuar përdoruesit e telefonisë së lëvizshme, krahasuar me një vit më parë dhe po ashtu është dyfishuar koha e bisedës. “Me hyrjen e operatorit të katërt ne shpresojmë se do të ketë një element plus në rritjen e konkurrencës”, u shpreh Pirro Xhixho, kryetar i AKEP-së. Aktualisht, në Shqipëri janë mbi 4 milionë përdorues të telefonisë së lëvizshme. “Krahas futjes së operatorit të katërt do të jetë edhe shërbimi i probabilitetit të numrit. Me të gjitha llogaritjet dhe parashikimet tona mendojmë që brenda vitit 2010 ne të implementojmë këtë shërbim”, tha Xhixho. “Ashtu sikurse celulari sot është harruar se sa transformim të madh bëri do shikojmë që dhe 3G do të bëjë një transformim akoma edhe më të madh. Kemi mbaruar studimin për brezin. Kemi marrë vendimet përkatëse për mënyrën se si do të procedojmë dhe jemi në momentin e vendimmarrjes që lidhet me dokumentin e politikave që është në proces miratimi në Këshillin e Ministrave. Mendojmë që brenda këtij viti të shfaqim edhe operatorë që shfrytëzojnë brezin e OMTS”, theksoi Xhixho. Ulja e tarifave që raportohet të ketë krijuar përfitim rreth 30 milionë euro për konsumatorin, zgjerimi i shërbimeve të ardhura këto nga konkurrenca në rritje janë dy veçoritë më kryesore të këtij tregu.
#