E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bertina përgatit sherrin me Oltën në spektakël



Bertina Mehmeti, e eliminuara e fundit nga “Big Brother 3”, ka përgatitur një sherr të vërtetë me Oltën, rivalen më të fortë në lojën e eliminimit dhe po ashtu në lidhjen e saj me Erion Zeqiraj, lojtarin tjetër. Bertina, e cila siç e pohoi dhe vetë, kishte mbetur e zhgënjyer nga kjo garë, edhe për faktin se doli e humbur ndaj kundërshtares tjetër Oltës, me të cilën nuk i kishte punët fare mirë brenda shtëpisë. Arsyeja ishte Erioni, të cilit i afrohej për të krijuar intimitet dhe Olta. Por pas daljes nga shtëpia, Bertina duket se nuk po mendon më për humbjen në lojë, por është duke menduar strategjitë e saj sesi të arrijë të vazhdojë ta ketë Erionin për vete dhe si të injorojë Oltën në spektaklin e kësaj të shtune, ku ajo do të jetë e pranishme në studion e “Big Brother 3” në “Top Channel”. Kështu, sipas burimeve tona, Bertina pasi ka ndjekur lojën brenda shtëpisë gjatë kësaj jave, që është jashtë, dhe lojën e tyre në mungese të saj, thuhet se ka përgatitur një përballje të egër me Oltën, që ka shumë mundësi të përfundojë me sherr, pasi Bertina do të tregohet e pamëshirshme me disa deklarata të forta që do t’i thotë hapur në publik. Gjatë qëndrimit të saj në shtëpi ,Bertina nuk arriti të bënte asnjë shoqe, ndërkohë që u lidh me Erionin dhe kalonte shumë kohë me djemtë e tjerë të shtëpisë. Tentativa e Oltës për të joshur Erionin, ndërkohë që dihej brenda shtëpisë se Erioni dhe Bertina ishin lidhur, e acaroi jashtë mase Bertinën. E nëse do të flitej për pozicionin e Erionit, ai shpeshherë linte përshtypjen se i pëlqente të dyja vajzat, pasi Bertina i dukej e lezetshme ndërsa Olta vajzë seksi.

Eliminimi i Bertinës, fansat të irrituar
Eliminimi i Bertinës nga gara e “Big Brother 3” ka shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjim te fansat e këtij spektakli. Forumistët në faqen e “Top Channel” e kanë cilësuar me komentet e tyre një vendim të padrejtë atë të eliminimit të vajzës 25-vjeçare nga Delvina, të shtunën e kaluar, duke pohuar se kanë humbur kështu besimin te ky “reality show”. Në komentet e tyre të shumta thuhet se ata i kanë shkruar një letër anglisht drejtuesve të patentës Endemol-it, për faktin se në këtë rast nuk janë marrë parasysh votat e publikut për nxjerrjen e parakohshme nga shtëpia të Bertinës. Fansat të irrituar janë shprehur se të shtunën do të mblidhen në orën 20:30 para shtëpisë së “Big Brother”, dhe do të kërkojnë rikthimin në shtëpi të Bertinës.

“Big Brother 3”, “reality show” i protestave
Do të mbahet mend si spektakli që nxiti protesta ky “Big Brother” që është në momentet më kulminante të garës së banorëve brenda shtëpisë. Deklarata e Klodit, duke shprehur homoseksualizmin e tij, ngjalli reagime në Lezhë, vendlindjen e tij. Një grup djemsh dolën në rrugë duke protestuar ndaj Klodit, dhe duke mohuar origjinën e tij prej lezhiani. Nëse fansat e Bertinës do të protestojnë të shtunën para shtëpisë së “Big Brother” për rikthimin e saj në shtëpi, kjo do të ishte protesta e dytë për banorët e “Big Brother 3”. Por nëse në rastin e Klodit protestuesit ishin kundër, në rastin e Bertinës fansat do të dalin në mbështetje të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›