E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa, dy firo 24 orë para sfidës me Olimpiakosin



Një ditë para ndeshjes me Olimpiakosin, skuadra e Besës do të jetë e detyruar të bëjë pa dy titullarë, Bledi Shkëmbin dhe Alban Dragushën. Gjatë drekës së djeshme, lojtarët kanë zyrtarizuar largimin e tyre nga kavajasit, pasi nuk kanë rënë dakord me presidentin Nexhat Bizhdili për rinovimin e kontratës. Si mbrojtësi edhe mesfushori, tashmë mund të quhen lojtarë të Skënderbeut, ashtu si edhe Orges Shehi, që ka firmosur për korçarët. Megjithatë për portierin ndryshon puna, sepse ai do të luajë për Besën edhe në dy ndeshjet e Ligës së Evropës, e më pas do t'i bashkohet ekipit të ri. Në këto kushte, trajneri Shpëtim Duro do të duhet të mendojë lojtarë të tjerë, për të zëvendësuar dy titullarë të padiskutueshëm si Dragusha në mbrojtje dhe Shkëmbi në mesfushë. Gjysma e së keqes nga këto firo është garancia për aktivizimin në Evropë të Shehit. "Pas një mbledhjeje që u bë dje (sot) me drejtuesit e klubit, u vendos që në ndeshjet e Ligës së Evropës të luajnë ata lojtarë, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Në këto kushte, Dragusha dhe Shkëmbi u larguan. Ishte një zgjidhje me mirëkuptim mes palëve. Mund të them se Dragushës i kishte përfunduar kontrata, ndërsa Shkëmbi, për shkak të disa arsyeve personale, zgjodhi ta vazhdojë karrierën te Skënderbeu". Kështu është shprehur trajneri i Besës, Shpëtim Duro, i cili sqaroi kështu edhe largimin e dy lojtarëve. Ai konfirmoi gjithashtu se Shehi do të jetë në portë kundër Olimpiakosit, paçka se për sezonin tjetër ka firmosur me klubin e Skënderbeut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›