E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ku do shkojmë o ba? dilemat e prindit me fëmijë “jo normalë”



alma mile

“Ashtu si Sirano dë Berzheraku që vendoste të tallej vetë me hundën e tij tmerrësisht të gjatë, unë tallem vetëm me fëmijët e mi. Ky është privilegji im si baba”. Jean-Louis Fournier, ndryshe nga shumë prindër, në të njëjtat kushte me të, që e ndrydhin dhimbjen brenda vetes, ka privilegjin të jetë shkrimtar dhe humorist. Atij i “lejohet” të thotë shumë gjëra pa e marrë shumë seriozisht. Të tallet me gjithë botën, të tallet me veten... Në një farë mënyre kjo mund të thuhet edhe për vetërrëfimin e tij “Ku do shkojmë, o ba?”, një libër i sapohedhur në tregun shqiptar nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”, të shqipëruar nga Edmond Tupja. Jeta, Zoti, apo kushdo qoftë që ka në duar fatet e njerëzve, nuk u tregua edhe aq bujar me Fournierin. I dhuroi dy djem handikapatë fizikë dhe mendorë, Mateon dhe Tomin. “Kur ke një fëmijë handikapat, këtë nuk e zbulon menjëherë. Kjo i ngjan një surprize. Ka që thonë: “Fëmija handikapat është dhuratë nga Perëndia”. Dhe nuk e thonë sa për humor. Rrallëherë qëllon që ata vetë të kenë fëmijë handikapatë. Kur të vjen një dhuratë e tillë, të vjen t’i thuash perëndisë: “Oh, pse jeni harxhuar... “, shpotit Fournier.
Për vite me radhë ai e mbajti brenda dhimbjen që ka ndjerë teksa i ka shoqëruar gjatë jetës së tyre, deri në momentin që vendosi të shfrejë. Nuk është një rrëfim i gjatë. Aq sa mjafton për të hequr nga vetja një peshë, për të ndarë me të tjerët, ndoshta një eksperiencë të ngjashme, për të cilën pak flitet. Por ai gjen forcë për të folur. Ai tregon se çdo të thotë të jetosh me dy fëmijë handikapatë, të kujdesesh për ta. “Tani që Mateoja ka ikur të kërkojë topin e vet në një vend ku nuk do të mund ta ndihmojmë që ta gjejë, tani që Tomi, ende mbi dhe, e ka kokën sa vjen e më shpesh në re, do t’ju dhuroj gjithsesi një libër. Një libër që e kam shkruar për ju. Që të mos ju lënë në harresë, që të mos jeni vetëm një fotografi në një librezë invaliditeti, që unë të shkruaj disa gjëra që kurrë nuk i kam thënë. Ndoshta brejtjet e ndërgjegjes”, shkruan ai qysh në krye të librit. Ai nuk ka nevojë të përshkruajë çdo veprim, apo çdo ditë të jetës së djemve të tij. Ndoshta, jo sepse ato janë monotone, ashtu si pyetja e pafund e Tomit “Po ku po shkojmë, o ba?”, por sepse mjaftojnë disa pjesëza, disa detaje për të dëshmuar, jo vetëm gjendjen e atyre krijesave të gjora, por edhe përjetimet e tij. Dhe këtë e bën në mënyrën që ai di. Herë të bën të qeshësh, herë të qash, herë të ngjethen mishtë. Herë nuk arrin të kontrollosh habinë se si një baba mund të flasë ashtu për fëmijët e tij, herë të bën të ndjesh keqardhje. Rrëfimi i tij është ai i një babai të dëshpëruar, një prindi që ndonjëherë ndihet fajtor pse lindi fëmijë të tillë, pse nuk ishin “normalë”, pse nuk mundi t’i shihte të lumtur. E në dëshpërim e sipër do të donte “ta merrte lumi bashkë me ta”. “Që kur kam hipur për herë të parë në veturën tonë “Camaro”, Tomi dhjetëvjeçar përsërit, siç bën vazhdimisht: “Ku do shkojmë, o ba”? Fillimisht i përgjigjem: “Do të shkojmë në shtëpi”. Një minutë më vonë, me të njëjtën pafajësi, më drejton të njëjtën pyetje, nuk mbush fare. Kur më thotë për të dhjetën herë: “Ku do shkojmë, o ba?”, nuk i përgjigjem më... Nuk e di më shumë mirë se ku po shkojmë, Tomi im i gjorë. Po shkojmë të na marrë lumi. Po shkojmë t’i biem murit me kokë. Një fëmijë handikapat, pastaj dy. Pse jo tre... Këtë nuk e prisja. “Ku do shkojmë o ba?”
Po shkojmë të futemi në autostradë, në drejtim të ndaluar. Po shkojmë në Alaska. Po shkojmë të përkëdhelim arinjtë. Që të na shqyejnë. Po shkojmë për kërpudha. Do të mbledhim kërpudha gjarpri dhe do të bëjmë një omëletë të mirë. Po shkojmë në pishinë. Do të hidhemi nga trampolina e madhe drejt e në gropën pa ujë... “.
Cinizëm?
Mënyra se si ai e shpreh dashurinë për fëmijët e tij është tërësisht e ndryshme nga ajo e prindërve të tjerë dhe kjo jo thjesht për faktin se ata nuk janë “si gjithë të tjerët”. Ndërsa i krahason me ca zogj të parritur ngjyrë lejla, jo rrallëherë ai bëhet hidhur. Nuk e fsheh se teksa i shihte, ashtu tërësisht të përhumbur, pa lidhje me botën që i rrethonte, ku i shihte të vuanin fizikisht, të ngjanin si ca pleq të kërrusur me ca korse, si parzmore gladiatorësh, ka menduar se do të kishte qenë shumë më mirë për të gjithë, që ata të largoheshin nga kjo botë, madje-madje mendja i ka prodhuar edhe skena makabre. Pas daljes së këtij libri në vitin 2008, me të cilin fitoi edhe çmimin “Femina”, në Francë, e akuzuan për cinizëm. Të shumtë qenë ata që nuk e pranonin dot stilin e tij therës. Por çfarë është “e lejuar” dhe çfarë jo, për një prind që kur nuk ka më se kujt t’i hakërrehet për fatin e tij, fillon e tallet me veten. Mendja e tij fluturon në mënyrë marramendëse, krijon situata që nuk janë, që do të donte të ishin: “Mbaj mend që, një herë, tek udhëtonim, u tundova t’u flisja si një baba, i cili u drejtohet fëmijëve të vet që ka shkuar t’i marrë në shkollë me të mbaruar ora e fundit e mësimit. Sajova disa pyetje lidhur me mësimet. “Atëherë, Mateo, si dole me atë detyrën për Montenjin? çfarë note more në hartim? Po ti, Tomi sa gabime bëre në përkthimin nga frëngjishtja në latinisht. Po trigonometria, ç’thotë?”. Gjatë kohës që u flisja për mësimet, vështroja në pasqyrë kokat e tyre të pakrehura me atë vështrimin e përhumbur, ndoshta shpresoja se pas pak do të më përgjigjeshin seriozisht, se do të mbaronte komedia e fëmijëve handikapatë, se kjo lojë nuk ishte zbavitëse, se më në fund do të bëheshim prapë seriozë si të gjithë njerëzit, se fëmijët e mi do të bëheshin si të tjerët... “. Herë-herë si për të ngushëlluar veten, numëron “favoret” që të jep një fëmijë (dy) handikapat, madje thotë se normal nuk ka qenë as Ainshtaini, Moxarti, e të tjerë koka, si ata. Por fëmijët e tij nuk hynin në këtë kategori. Ata po shkonin drejt fundit të pashmangshëm. Mateo iku më parë dhe sipas tij dhimbja e vdekjes së atij fëmije jonormal është po aq e madhe sa ç’mund të ishte largimi nga jeta i një fëmije si gjithë të tjerët. Tani ai sheh se si edhe Tomi është në atë rrugë dhe gjen forcën të qeshë me fatin. “Ku do shkojmë, o ba”? nuk është një rrëfim shpresëdhënës, por ndoshta një mënyrë për t’iu gjendur pranë e për të treguar kuptueshmëri ndaj gjithë atyre prindërve, që ndodhen në të njëjtat situata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›