E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i FMN: Problem serioz borxhi



nertila maho

Për FMN, problemi më serioz i Shqipërisë, është kthimi i buxhetit në kushtet e parakrizës dhe parashikimi e mbrojtja nga krizat e vendeve fqinje si, Greqia. Kjo, jo nga burime apo deputetë të vecantë, por e shkruar në raportin final që i bëhet Shqipërisë nga Fondi Monetar. Gazeta e boton të plotë raportin, dhe parashikimet e FMN. Pse i rezistuam krizës vjet, dhe cfarë e pret ekonominë shqiptare për muajt në vijim.
FMN
Misioni i parë i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri për vitin 2010 ishte i pranishëm gjatë muajit maj. Në fund të këtij muaji ata mbyllën edhe vlerësimin e tyre për situatën ekonomike të Shqipërisë. Në një dokument të publikuar këto ditë FMN bën publike edhe këshillat që i ka dhënë Qeverisë shqiptare.
Pasqyrë e situatës
Pavarësisht integrimit të kufizuar të Shqipërisë në tregjet globale, kriza financiare globale u transmetua përmes një sërë rrugësh. Si kudo në rajon, bankat shqiptare vuajtën një tërheqje të theksuar të depozitave në vjeshtën e vitit 2008. Recensioni i partnerëve tregtarë, në veçanti i Greqisë dhe Italisë, çoi në ulje të eksporteve. Në fund remitancat dhe të ardhurat e papërcaktuara nuk u matën saktësisht, por vlerësohen të kenë rënë në mënyrë drastike.
Autoritetet u treguan të afta të përdornin hapësirën e lirë në politikat e tyre për të zbutur "shpërthimin" e menjëhershëm të krizës dhe Shqipëria performoi më mirë se ekonomitë e tjera rajonale dhe europiane. Në veçanti amortizatorë të mjaftueshëm likuiditeti u përdorën për të balancuar tërheqjen e depozitave, kushtet monetare u lehtësuan, fillimisht përmes injektimit direkt të likuiditetit, duke u ndjekur nga ulja e normave të interesit, dhe u siguruan stimuj të konsiderueshëm fiskalë. Rritja vijoi me një nivel 2.8 për qind në 2009-ën dhe inflacioni më së shumti ka qenë nën kontroll sipas objektivit 3±1 për qind, ndërkohë që rritja e çmimit të energjisë e ngjiti inflacionin mbi 4 për qind.
Gjithsesi amortizatorët tashmë janë të konsumuar dhe kanë nevojë për rindërtim. Kjo, duke marrë parasysh risqet seriozë që lindin nga ambienti i jashtëm sfidues dhe nga dobësitë e brendshme në masë të konsiderueshme, progresi i shpejtë është themelor në zbutjen e imbalancave të brendshme dhe të jashtme. Me rregullimet për sektorin privat që janë duke u kryer, buxheti duhet të arrijë një rishikim të veçantë, në mënyrë që të ulet deficiti aktual dhe t'i lirohet hapësirë kreditimit të sektorit privat.
Vlerësimi i Bordit Ekzekutiv
Drejtorët ekzekutivë ranë dakord me vlerësimet e stafit. Ata vunë re se hapësira monetare dhe fiskale e akumuluar e Shqipërisë siguroi amortizatorë që kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit të krizës globale. Drejtorët vunë në dukje se veprimet vendimtare të autoriteteve kishin mbështetur ekonominë dhe parandaluan një dallgë të rrezikshme të risqeve financiare. Gjithsesi tashmë amortizatorët janë shterur dhe lind nevoja e rindërtimit, në mënyrë që të ruhet stabiliteti makroekonomik, që rrezikohet nga risqet e ambientit të jashtëm dhe nga dobësitë e brendshme. Drejtorët në përgjithësi vunë theksin për tkurrje decizive fiskale gjatë 2010-ës, në mënyrë që të ulen risqet e financimit, të rriten investimet private dhe të ndihmohet edhe mbajtja e imbalancave të jashtme. Ata rekomanduan marrjen e masave që lidhen me shpenzimet dhe të ardhurat njëherë e mirë dhe këshilluan kursimin e kontigjencës së rezervave në buxhetin e vitit 2010. Gjithashtu inkurajuan autoritetet të ndjekin reformën e shërbimit civil, të mbajnë pagat dhe pensionet në kontroll dhe të forcojnë zbatimin e investimeve publike.
Drejtorët nënvizuan rëndësinë e uljes së borxhit publik në nivele të qëndrueshme në një periudhë afatmesme dhe mirëpritën zotimin autoriteteve për ulur borxhin publik në nivele domethënëse. Në mbështetje të këtij synimi ata vlerësuan panoramën e politikës fiskale afatmesme, e cila duhet të udhëhiqet nga një rregull fiskal i besueshëm dhe i monitorueshëm. Drejtorët aprovuan përpjekjet e autoriteteve për të diversifikuar burimet e financimit, duke rekomanduar që ato të mbajnë parasysh gjithë mundësitë, sidomos në kuadër të rritjes së pasigurisë në tregjet ndërkombëtare.
Drejtorët përgëzuan masat e hershme dhe të suksesshme makroprudente të aplikuara nga autoritetet. Ata nënvizuan nevojën e vazhdimit të një vëzhgimi vigjilent në rast të përkeqësimit të cilësisë së kreditimit të brendshëm dhe rritjen e risqeve të jashtme, në veçanti risqeve të mëdhenj, që lidhen me zhvillimet në Greqi. Drejtorët gjithashtu rekomanduan zhvillimin e planeve të kontigjencës, në mënyrë që të përballen me risqet në vijim, dhe gjithashtu zhvillimin e masave supervizuese dhe makroprudente në adresë të sfidave të zhvillimit.
Drejtorët konsideruan se struktura e politikës monetare dhe kursi i ndjeshëm i këmbimit i kanë shërbyer mirë Shqipërisë, duke e mbajtur inflacionin në kontroll dhe duke ndihmuar ekonominë nga tronditjet e jashtme. Ata inkurajuan autoritetet të vazhdojnë të mbajnë pozicionin e kujdesshëm mbrojtës dhe të fokusohen në mbajtjen e inflacionit në kontroll, duke qëndruar të vëmendshëm ndaj synimeve të stabilitetit financiar dhe nevojave makroprudente.
Drejtorët mirëpritën progresin në reformat strukturore, ndërkohë që nënvizuan rëndësinë e përmirësimeve të mëtejshme në klimën e biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve për të përmirësuar konkurrencën dhe burimet e rritjes. Ata rekomanduan masa të kujdesshme për operacionet e privatizimit të industrisë, vendosjen e një sistemi të qartë mbi të drejtën e pronës, forcimin e fuqisë së ligjit dhe adresimin e dobësive tek statistikat ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›