E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadik Bejko, poeti shqiptar merr spektrin letrar të Maqedonisë



Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë me rastin e festës së blirit, nderoi me çmimin vjetor “Skeptri i letërsisë 2010” poetin shqiptar Sadik Bejko dhe atë maqedonas Risto Lazarov. Në sallën e rezidencës së shoqatës së shkrimtarëve në Shkup, më datë 9 Korrik 2010, u zhvillua një ceremoni e veçantë ku morën pjesë shkrimtarë, artistë, përfaqësues nga bota akademike, kulturore, universitarë, etj. Merrte pjesë gjithashtu ambasadori shqiptar në Maqedoni Arben Çeku, kryebashkiaku i Shkupit Koce Trojanov, kryetari i shoqatës së shkrimtarëve Rade Silijan, shkrimtarët e njohur Ali Aliu, Resul Shabani dhe Nihas Sopaj. Ceremoninë e hapi Hristo Petrevski, shkrimtar, kryetar i festës së blirit. Në këtë veprimtari u paraqitën librat me poezi në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht. Secili autor përfaqësohej me 30 krijime poetike. Përkthimi maqedonisht për poetin Sadik Bejko u bë nga poeti Resul Shabani. Kryetari i bashkisë së Shkupit nderoi poetin shqiptar me medaljen "Sadik Bejko, poet - nderi i Shkupit", kryetari i shkrimtarëve u dorëzoi poetëve Bejko dhe Lazarov “Skeptri i letërsisë 2010”, që ishte një shkop druri me zbukurime. Pjesëmarrësit në takim dhanë konsiderata dhe vlerësime për dy poetët fitues të çmimit vjetor. Akademik Ali Aliu mbajti një ligjëratë për poezinë e Bejkos, e cila u botua në gazetën shqip “Koha” që del në Maqedoni, ndërsa një akademike maqedonase foli për poezinë e Lazarovit. Poetët Bejko dhe Lazarov recituan secili nga një poezi prej librit të promovuar si dhe mbajtën nga një ese, përgatitur enkas me rastin e dhënies së çmimit. Dreka vazhdoi me recitime nga poetët pjesëmarrës. Më poshtë eseja e poetit Sadik Bejko.
Duke medituar për një skeptër nga Sadik Bejko
Kur më propozuat këtë skeptër, siç është e udhës në raste të tilla, rashë në mendime. Mendime që do t‘i parashtroj më poshtë. Jo se nuk e pëlqeja gjestin tuajin në dhënien e këtij çmimi letrar. Përkundrazi. E pëlqej dhe më duhet që t‘u falënderoj përzemërsisht. Dhe të shtoj se është vërtetë e hollë, është shumë delikate nga ana juaj dhënia e një çmimi që mban si shenjë skeptrin. Po. Një simbol për princa, mbretër dhe peshkopë. Simbol autoriteti, pushteti dhe force. Shqipërinë si shtet e krijuan intelektualët shqiptarë. Ata vunë formalisht parimet e para kushtetuese, simbolet, flamurin. Ndërkombëtarët, që siç e shohim ende në Ballkan, po monitoronin shtetin e ri, i dhanë Shqipërisë statusin e një mbretërie. Erdhi dhe një mbret gjerman. Pastaj erdhi një mbret vendas. Po edhe ky vendasi, megjithëse i suksesshëm për kohën, qe prapë i pafat si dhe monarku gjerman dhjetë vjet para tij. Shqipërisë, si duket, nuk i ngjiste një monark me skeptër.
Ndryshe ka qenë me skeptrin e peshkopit. Nga trojet shqiptare ky skeptër dëshmohet që herët. Kronikat e historisë së krishterë dëshmojnë se në këshillat ekumenike që në shekujt IV dhe V përcaktuan doktrinën ortodokse të krishterë, kanë marrë pjesë peshkopë nga Durrësi e nga troje të tjera ku sot jetojnë shqiptarë. Një peshkop, Pal Ëngjëlli, ka shkruar në shqip dhe formulën e pagëzimit, i pari dokument shkrimor i gjuhës shqip. Një prift shkodran, Marin Barleti, luftëtar në rrethimin e Shkodrës nga otomanët, shkroi latinisht në Venedik historinë më të famshme dhe më të njohur botërisht mbi Skënderbeun. Disa peshkopë si Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi në shekujt XVII e XVIII kanë lënë veprat e tyre të vyera për kulturën e gjuhën shqip. Po një prift katolik, një nga emrat më të shquar të poezisë shqipe, Gjergj Fishta, përcaktoi në Kongresin e Manastirit, 1908, alfabetin që shqipja vazhdon ta ketë edhe sot. Më tej do të vinte një peshkop ortodoks, Fan Noli, që duke qenë fare i pasuksesshëm si politikan, megjithëse qe dhe kryeministër i Shqipërisë për gjashtë muaj, do ta merrte skeptrin dhe mitrën e peshkopit, po dhe të misionarit, të poetit dhe të savanit në kulturën shqiptare dhe nuk do t`i lëshonte nga dora deri ditën që vdiq. Edhe nga sa thashë më lart, del se Shqipërisë i kanë ngjitur më shumë ata që kanë marrë në dorën e tyre skeptrin e atij që në greqishten bizantine i thonë Pimin tu llau, udhëheqës shpirtëror, se sa skeptrat princërorë a mbretërorë. Të nderuar e të ndritshëm kolegë, deri këtu unë kam përse të shprehem me krenarinë e një historie që është fare e shkoqur. Por këtu vjen pjesa që, siç thashë në fillim të kësaj fjale, më vë veçanërisht në mendime. Kjo lidhet me mua, me një skeptër që po e vini në dorën time. Ky është një vlerësim që më bën nder dhe që duhet t‘i blatohem me përulje dhe venerim për aq sa i përket domethënies së tij të lartë simbolike e historike në kulturën time. Duke e lidhur me rolin e letërsisë, të poezisë në rastin tim, në shoqëri, ka pasur një kohë romantike kur shkrimtarët, përkatësisht poetët, (këta ca më shumë) ishin vërtetë mësues e frymëzues të kombeve e të shoqërive të tyre. Me kohë, kjo mendësi u quajt e vjetruar. Në Shqipëri ne mburremi se Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë më shumë se sa shkrimtarë. Ata janë misionarë, udhëheqësit më të shkëlqyer të popullit në kohën e tyre. Në vitet tridhjetë të shekullit që shkoi, në Shqipëri dolën poetë dhe prozatorë që nuk e donin mbi supe mantelin e misionarit. Ata iu përkushtuan poezisë, letërsisë si e tillë. Poezisë që i mjafton vetvetja, pa e ngarkuar me misione përtej letrare. Poeti par excellence i një tipi të tillë është Lasgush Poradeci. Por dilemat mbeten: poeti apo misionari kanë më shumë shanse historike? Edhe në një vend si Franca si poetë, vetëm si poetë, vlerësohen botërisht Bodler, Rembo, Verlen, por dafinat e poetit kombëtar i ka të pavyshkura mbi flokë edhe sot e përgjithmonë vetëm Viktor Hygoi. Popujt e Ballkanit, për rrethanat e tyre historike, dhe dje dhe sot do të kërkojnë nga poeti jo vetëm poetin... madje ca më shumë do të duan prej tij misionarin. Edhe pse tashmë jemi në erën e globalizmit. Këtë argument që lë shteg për shtjellime të mëtejshme, po e mbyll me kaq.
Tani të nderuar kolegë më thoni ju, e meritoj unë një skeptër poetik...? Ju jeni treguar shumë bujarë me mua dhe unë po e pranoj atë. Po e marr si shenjë respekti dhe kujtimi për gjyshin tim. Mbase jo në lartësinë e dinjitetit të tij para syve të mi sot e përgjithmonë. Por me mesazhin: një poet duhet të jetë gati t‘i paguajë të gjitha në shërbim të artit të tij.
Ç. Loloci

“Zoti nuk e ka lexuar Kafkën”
Ekspozita e përbërë nga dhjetëra piktura dhe instilacione është vendosur në një nga galeritë e Pragës. Posaçërisht për këtë ekspozitë, Jose Saramago, rreth 20 ditë para se të vdiste, ka shkruar një tekst kuratorial. Siç dihet, Saramago jo vetëm që ka shkruar për artin, por ishte edhe vetë një artist i njohur për ndjeshmërinë e tij. Mjafton të kujtojmë ekspozitën e madhe, e hapur një vit më parë në Pallatin e Ajudas në Lisbonë, në të cilën ishin ekspozuar në gjininë e skulpturës dhe arkitekturës. “Zoti nuk është këtu”, është një prej punëve të Sofia Gandarias dedikuar Kafkës, që është ekspozuar atje. Pyetjen plot ankth, por të mbushur me retorikë, që Papa lëshoi në Auzhvic, “Ku ishte Zoti?”, e pason kjo ekspozitë e rëndësishme e Gandarias.

Kolonat zanore në Festivalin e Orkestrave
Nata e parë e Festivalit të Orkestrave Frymore, që ka nisur mbrëmjen e së shtunës në Sarandë iu kushtua melodive më të njohura, të përpunuara për filmat e kinematografisë botërore. Ky koncert është çelur e vetmja trupë profesioniste në Shqipëri, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura. Nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Halim Teqja, kjo trupë performoi një koncert interesant. Krahas pjesëve të bukura: “Ëine, blu, ëine”, “Virgjëresha Makarena”, “Boosa Nova”, “Gladiatore”, “Karnavalet e Venecias”, “Tiko-Tiko” etj., kjo orkestër ka ekzekutuar kolonat zanore të disa prej filmave më të njohur. Një prej tyre ka qenë muzika e filmit “San Trope”, e përshtatur për bandë muzikore. Edicion i pestë ka nisurpara pak ditësh në kuadër të Akademisë Muzikore Verore, brenda formatit të festivalit.

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›