Vrasja, Franc Konomi konflikte nga 2005
Etleva Delia
Franc Konomi, i ekzekutuar me armë më 8 korrik në afërsi të qendrës së Tiranës, rezulton "i pastër" nga precedentët penalë jashtë Shqipërisë, të paktën vitet e fundit. Verifikimet e para të kryera nga Interpoli pas vrasjes së 42-vjeçarit më 8 korrik 2010 në Tiranë, kanë treguar se Franc Konomi nuk ishte ndaluar dhe as ishte skeduar nga policia, edhe pse gjatë viteve të fundit ka jetuar për shumicën e kohës në Gjermani, ndërsa ka kryer udhëtime të shpeshta në Itali, Spanjë dhe në Greqi. Pas atentatit të ndodhur javën e kaluar, policia është gjendur para hetimit të një ngjarjeje të vështirë, nga mënyra profesioniste të veprimit të vrasësve që nuk lanë gjurmë, por edhe për faktin se viktima ishte një personazh kompleks i lakuar për shumë ngjarje në Tiranë. Shkaqet e ngjarjes po hetohen në tri pista kryesore, që kanë të bëjnë me konflikte të vjetra të viteve 1990-1992, me mosmarrëveshje për çështje gjobëvënie si dhe me konflikte të ardhura nga trafiku i drogës. Burime nga grupi hetimor thanë se nga deklarimet e miqve të Franc Konomit, rezulton se konfliktet e tij me disa persona kanë filluar prej vitit 2005, pas një vrasjeje të ndodhur pranë shtëpisë së tij, tek "Shkolla e Kuqe". Këto konflikte Konomi nuk i ka pasur vetëm me një apo dy persona, por me disa njerëz të ndryshëm, që në fakt për policinë nuk rezulton të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Paralelisht me këtë dyshim të ngritur nga vetë miqtë e Franc Konomit, me të njëjtën rëndësi po hetohet edhe në lidhje me dyshimet e ngritura prej 18 vitesh për implikimin e Konomit në vrasjen e Gazmend Muçës, e cila kurrë nuk iu faturua zyrtarisht 42-vjeçarit. Ditët e fundit policia ka administruar informacione që hedhin dyshime tek implikimi i Franc Konomit në disa gjobëvënie. E gjithë zona rreth banesës së Franc Konomit po mbahet në vëzhgim nga policia së bashku me një kompleks biznesi në pronësi të 42-vjeçarit pranë liqenit Artificial në Tiranë.
Hetimet e INTERPOLIT
Verifikimi i veprimtarisë së Franc Konomit jashtë Shqipërisë është konsideruar mundësia më e mirë për të gjetur një motiv konkret për ekzekutimin e tij. Ditën e ngjarjes, burime nga Policia e Tiranës pohuan se Konomi mbahej në vëzhgim nga Antidroga, pasi dyshohej të ishte i përfshirë në një rrjet trafiku nga Shqipëria, në drejtim të Italisë dhe Spanjës. Pas këtyre verifikimeve të kryera me anë të Interpolit, paraprakisht sipas policisë, ka rezultuar se Franc Konomi nuk kishte dosje penale, apo të ishte në ndjekje nga polici të vendeve në të cilat ka lëvizur. Interpol Tirana ka kërkuar informacion nga policia e Gjermanisë, Spanjës dhe Greqisë, por përgjigjet kanë qenë se në këto autoritete Franc Konomi (Pojana) nuk kishte asnjë akuzë të dokumentuar.
ANALIZA në polici për hetimin
Grupi hetimor i ngritur pas vrasjes së Franc Konomit paraditen e datës 8 gusht, pranë sheshit "Avni Rustemi", ka analizuar dje punën e kryer prej gjashtë ditësh. Ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, nga seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, Antidroga dhe ekspertë kriminalistë, bënë dje një analizë të të gjitha provave, dëshmive, pistave dhe dyshimeve që janë ngritur deri tani rreth ngjarjes.