E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa e Teuta, sfidë tre serbëve

Nëse një nga skuadrat shqiptare kalon dy turet kualifikuese nuk është cudi që shorti të na vendosë përballë Bajernit.Teuta për herë të pestë dhe Besa për herë të parë, janë dy skuadrat shqiptare pjesëmarrëse të Kupës UEFA për edicionin 2007-2008, janë midis 74 skuadrave në turin e parë eliminator, ndeshjet e të cilave zhvillohen, më 19 korrik 2007 (vajtjes) dhe 2 gusht 2007 (ardhjes).
Koeficient i ulët
Rruga nuk do të jetë e lehtë për dy ekipet shqiptare (Teuta nuk është kualifikuar asnjëherë për në turin e dytë) që bëjnë pjesë në grupin e Mesdheut Jugor (grupi i tretë i Kupës UEFA në raundin e parë eliminator) së bashku me 22 ekipe të tjera, të ndara në dy vazo me nga 12 ekipe. Koeficienti i skuadrave shqiptare është i ulët (1.265), por gjithsesi ato renditen në pesë skuadrat më të forta të Vazos "2", ku bëjnë pjesë 12 ekipet e ashtuquajtura "unseeding teams", ekipe me koeficient të ulët.
Tre skuadra sërbe
Në 12 ekipet kundërshtare janë tri ekipe serbe: Partizani i Beogradit, Vojvodina e Novi Sadit dhe FK Bezanjina, emri më pak i njohu sllav. Shorti mund t'i vendosë Besën ( fituese të Kupës së Shqipërisë ) dhe Teutën (nënkampione) me emra të tillë të frikshëm si Partizani i Beogradit (për t'u kujtuar është kualifikimi historik i Flamurtarit të Vlorës në sezonin 1987-1988) apo dhe Liteks i Lovecit të Bullgarisë. Një tjetër emër potent në Vazon 1 (ekipet me koeficient të lartë) është dhe Makabi Tel Aviv (14.338), skuadra e njohur izraelite.
Kujtimet me Sirokin
Lista vazhdon, dhe kurioziteti bëhet më i madh. Skuadra e portierit të Kombëtares sonë, Arjan Beqaj, Anorthosis Famagusta e Qipros (5.492 koeficienti) është një tjetër kundërshtar i mundshëm. Emri tjetër i njohur nga kundërshtarët është skuadra boshnjake Siroki Brijeg, që eliminoi durrsakët në turin e parë eliminator të sezonit 2005-2006. Edhe pse durrsakët fituan ndeshjen e parë në "Niko Dovana" 3-1 humbën dy javë më pas në Bosnjë me rezultatin e pastër 3-0. Edhe sllovenët e Nova Goricës kanë luajtur në Shqipëri, por për Ligën e Kampioneve ku eliminuan nga Tirana (0-2, 3-0) në sezonin 2005-2006.
"Ëndrra Bajern"
Nëse gjithcka do të ecte vaj (një ëndërr kjo) deri në raundin e parë kualifikues (pas dy tureve eliminatore) Besa ose Teuta, mund të përballej me një ndër emrat më të spikatur që marrin pjesë në Kupën UEFA në këtë raund me 32 ekipe, Bajernin e Munihut, që sa për kujtesë historike është ndeshur për Kupën e Kampioneve me Tiranën tonë, në dy takime të vlefshme për të tetat e finaleve te sezonit 1989-1990, ku i humbëm dy takimet 3-1 (gol i Arben Mingës) në Tiranë dhe 3-0 në Munih. Në turin e parë merr pjesë direkt edhe skuadra e Sotir Ninit, Panathinaikos.

Teuta në Kupën UEFA
Sezoni 1994-1995
09.08.1994, Tiranë
Teuta-Apolon Lemesos 1-4
23.08.1994, Qipro
Apolon Lemesos 4-2

Sezoni 1996-1997
17.07.1996, Tiranë
Teuta-Kosice 1-4
24.07.1996, Sllovaki
Kosice-Teuta 2-1

Sezoni 2000-2001
10.08.2000, Vienë
Rapid V.-Teuta 2-0
24.08.2000, Tiranë
Teuta-Rapid V. 0-4

Sezoni 2005-2006
14.07.2005, Durrës
Teuta-Siroki Brijeg 3-1
28.07.2005, Bosnjë
Siroki Brijeg-Teuta 3-0
Bilanci: 8 ndeshje;
1 F, 0 B, 7H. Golat: 10-24
Shorti
Shorti i turit të parë eliminator do të hidhet në Nion të Zvicrës, më 29 qershor. Ai i turit të dytë do të hidhet po në selinë e UEFA-s, më 3 gusht. Shorti i turit të parë do të hidhet në Monako, më 31 gusht. Finalja e Kupës UEFA do të luhet, më 14 maj 2008 në stadiumin e Mancester Sitit në Mancester.
Vazo 1
Partizani i Beogradit (Serbi), Liteks Lovec (Bullgari), Makabi Tel-Aviv (Izrael), Hajduk i Splitit (Kroaci), Novi Sad (Serbi), FK Bezanija (Serbi), Anorthosis Famagusta (Qipro), Nova Gorica (Slloveni), Slaven Belupo (Kroaci), Omonia Nikosia (Qipro), NK Koper (Slloveni) dhe Siroki Brijeg (Bosnjë).
Vazo 2
Zrincki Mostar (Bosnjë), Vardar i Shkupit (Maqedoni), Rabotincki (Maqedoni), Besa (Shqipëri), Teuta (Shqipëri), Hibernians (Maltë), Sliema Uonderers (Maltë), UN Kaerjeng (Luksemburg), Santa Kolona (Andora), Libertas (San Marino), Rudar Pljevlja (Mali i Zi) dhe Buducnost Podgorica (Mali i Zi).
Salihi
Po në turin e parë, luan edhe skuadra austriake SV Ried, me të cilën aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Riedi, që u shpall nënkampion i Austrisë (Salihi shënoi 6 gola në fazën e dytë) bën pjesë në Grupin e Lindjes Qendrore ku marrin pjesë 22 ekipe. Në Grupin Verior bëjnë pjesë 28 skuadra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›