Besa e Tirana, “ujë” në mullirin e Dinamos
Besa dhe Tirana ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të, një takim i mbyllur me dhjetë lojtarë për bardheblutë, pas largimit me të kuq pas dy të verdhave të mbrojtësit Ditmar Bici. Edhe në fazën e parë ndeshja midis tyre në Tiranë kishte përfunduar po 1-1. Një barazim që më shumë i shkoi për shtat Dinamos kryesuese (41 pikë), që tashmë e sheh veten me 14 pikë më shume se Besa e vendit të dytë, 17 se Apolonia (vendi i tretë) dhe 18 se Tirana (vendi i katërt).
INTELIGJENCA E BABAMUSTËS
Sulmuesi kryesor i Besës, Daniel Xhafaj, çeli ndeshjen me një gjuajtje tokazi në minutëne parë, por portieri i Tiranës, veterani 38-vjeça Blendi Nallbani reagoi mirë. Dy minuta më pas, mesfushori bardheblu, Jetmir Sefa vuri në provë kapitenin Orges Shehi, por durrsaku 32-vjeçar tregoi reflekset e tij. Në minutën 9-të, Bicaj gjuajti me të majtën, por topi përfundoi përmbi traun e portës së Besës. Në minutën e 16-të, Tirana bëri një ndërrim të detyruar, kur në vend të mbrojtësit Andi Lila, të dëmtua, trajneri Alban Tafaj hodhi në fushë Tefik Osmanit. Goli i Besës u realizua në minutën e 23-të, kur pas një harkimi nga Artion Poçi, topi mbërriti te Meglid Mihani, ky i fundit pasoi drejt Dritan Babamusta, dhe mesfushori i verdhezinjve shënoi me kokë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Goli i parë sezonal i durrsakut Dritan Babamusta.
KRYEVEPRA E AHMATAJT
Në pjesën e dytë, Daniel Xhafaj i pati të gjitha mundësitë për të dyfishuar rezultatin, por topi i goditur nga vlonjati 32-vjeçar ngeci në baltovinën e zonës së vogël të portës së Tiranës, duke u shndëruar lluca në një “lojtar të 12-të” bardhbelu. Kapiteni Orges Shehi priti gjuajtjet e Sefës, por jo atë goditje të lirë e të kalibruar të Jualian Ahmatajt në minutën e 88-të, një top i përfunduar në trekëndëshin e portës. Goli i dytë sezonal i elbasanasit Jualin Ahmataj. Kavajasit protestuan në mënyrë normale ndaj vendimit të gjyqtarit durrsak Erion Dobi për dhënien e goditjes së lirë. Dy minuta më pas, mbrojtësi Ditmar Bici, një nga lojtarët më të mirë të Tiranës në këtë takim u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq.
Kuzhe bekon barazimin
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndoqi takimin Besa-Tirana (1-1), ndeshja përmbyllesë e javës së 15-të e Kategorisë Superiore, për të ndjekur në aksion disa nga lojtarët kandidatë për zborin e Antalias (janar 2010). Në tribunën “VIP” të stadiumit “Besa” ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Sporteve në MTKRS, Dashnor Bajaziti (2 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me fanellën e Besës: 1980-1981, 12 gola; 1982-1983, 16 gola). I pranishëm ishte dhe këshilltari i sporteve të ministrit Ferdinad Xhaferri. legjenda e Tiranës, Indrit Fortuzi (2 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me fanellën e Tiranës: 2000-2001, 30 gola; 2001-2002, 24 gola) si dhe drejtori i Sportive në MTKRS, Vasil Bici (ish-trajneri i disa ekipeve në Shqipëri). Bici “shijoi” dhe daljen me karton të kuq të djalit të tij, Ditmar Bici, lojtari i Tiranës.
BESA-TIRANA
Ndeshje: 127
Fitore Besa: 16
Barazime: 42
Fitore Tirana: 69
Golat: 109-212
Faza e parë: Tirana-Besa 1-1
Faza e dytë: Besa-Tirana 1-1
KATEGORIA SUPERIORE
Dje, 17.12.2009
Besa-Tirana 1-1
Shënues: Dritan Babamusta 23’/ Julian Ahmataj 88’
Karton i kuq: Ditmar Bici 90’
1 Dinamo 15 41
2 Besa 15 27
3 Apolonia 15 24
4 Tirana 15 23
5 Teuta 15 22
6 Kastrioti 15 19
7 Shkumbini 15 18
8 Laçi 15 17
9 Vllaznia 15 15
10 Gramozi 15 15
11 Skënderbeu 15 14
12 Flamurtari 15 11
JAVA 16
19.12.2009
13:30 Flamurtari-Gramozi
13:30 Laci-Kastrioti
13:30 Shkumbini-Dinamo
20.12.2009
13:00 Skënderbeu-Besa
13:30 Tirana-Apolonia
13:30 Vllaznia-Teuta
18 Dhjetor 2009