Koncerti “Zërat rinor në tingujt popullor” sjellin një natë plot emocion në TOB
Izaura Ndoj
Mbrëmë në Teatrin e Operës dhe Baletit ka dhënë jehonë koncerti “Zërat rinor në tingujt popullor” ku interpretuan, Artistët e Rinj, Orkestrina, dhe Grupi Polifonik i Ansamblit Popullor. Për TOB ditët e dhjetorit kanë shënuar një larmi aktivitetesh në skenë, duke sjellë një repertor të pasur për publikun kryeqytetas. Pothuajse të gjithë institucionet kulturore janë në përgatitjet e fundit për të sjellë dhe më shumë ngjyrime kulturore në javët e fundit të vitit 2009. Janë një sërë koncertesh që do vazhdojnë të shfaqen në këto ditë dhjetori në Teatrin e Operës dhe Baletit. Mbrëmë dha start koncerti “Zërat rinor në tingujt popullor” ku interpretuan, Artistët e Rinj, Orkestrina, dhe Grupi Polifonik i Ansamblit Popullor. Ky koncert solli një emocion dhe një atmosferë për publikun. Gjatë kësaj shfaqje erdhën tinguj të kompozuar nga i madhi Çesk Zadeja. Grupi Polifonik i Ansamblit popullor ka ekzekutuar një repertor të pasur ku përmban këngë të trevave të ndryshme të popullit shqiptar, por pa dalë nga kornizat e origjinalitetit të tyre. Ky origjinalitet erdhi si meritë e Artistëve të Rinj, pasi ata sollën një freski dhe gjallëri në sallën e TOB-ës. “Koncerti “Zërat rinor në tingujt popullor”, është një risi që sjellin të rinjtë nën tingujt e muzikës popullore e cila ndërthur traditën dhe kulturën popullore” kështu është shprehur Drejtorja Artistike, Lajla Agolli. Disa nga këngët që përcollën emocion ishin “ N`at zaman t`asaj furie” dhe “Kolazh i Shqipërisë së Mesme”me muzikë të Çesk Zadejës (Artist i Popullit), erdhën nën interpretimin e Rudina Delia, ndërsa këngët “Ma fal at` buzëqeshje” dhe “O moj bukuroshe”, u përcollën për publikun nga Fatbardh Karaj. Ndërkohë vallet “Trio e Shupalit” dhe “ Vallja e Skraparit” erdhën me koreografi të Gëzim Kacelit dhe Andrea Kokeri, nga Lorena Isaku, Elton Cefa, Klaudio Jucja, Holta Ahmetaj, Vjera Çurçia, Ledi Bajraktari, Besmir Aga. Ndërsa këngët “Ndën një portokalle” dhe “ Thëllëza” u interpretuan nga Merita Qeramixhi, Bledi Hoxha, Genci Vozga. Nga TOB bëhet e ditur se po punohet dhe për programe speciale, të cilat do të vijnë në skenë gjatë ditëve të fundit të muajit dhjetor. Një prej institucioneve, i cili ka dhe më shumë shfaqje këto ditë është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, i cili për këtë sezon ka pasur një kalendar të pasur artistik gjatë këtij viti, sërish në kalendarin e tij ka përgatitur net të veçanta artistike vetëm për të sjellë një atmosferë festive në kryeqytet. Kështu në datën 25 dhjetor do të startojë “Koncerti i Krishtlindjeve”, i cili do të ngjisë në skenë disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare. Tingujt muzikorë do të jenë të ndërthurur me zërat e mrekullueshëm të artistëve të operës, të cilët premtojnë për një natë të veçantë. E ndërkohë vetëm disa ditë pas këtij koncerti madhështor në datën 30 dhjetor do të jetë “Grand Ballo”. E cilësuar si një prej aktiviteteve më të rëndësishme të fundvitit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ajo pritet të sjellë një atmosferë të veçantë në skenë për publikun, i cili në këtë mbrëmje do të ngjitet dhe vetë të vallëzojë në skenë, përkrah kërcimtarëve të njohur. “Grand Ballo”, kjo mbrëmje e veçantë muzikore mbyll dhe sezonin artistik të këtij institucioni, e cila ka vite që zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Është bërë traditë tani që në TKOB prej vitesh në këtë mbrëmje të bazuar në traditën vjeneze, mbizotërojnë valset e Shtrausit. Këtë vit “Grand Ballo” vjen në një mënyrë të veçantë për publikun dhe të ftuarit, që do të jenë pjesëmarrës në të.
18 Dhjetor 2009