Bylis-Elbasani, lufta për “kampion dimri”
Elbasani i ka të gjitha mundësitë që ta mbyll sezonin si “kampion dimri” i Kategorisë së Parë, nëse skuadra e Muharrem Dostit do të rikthehet me tri pikë të plota nga Ballshi nga supersfida kundër Bylisit të vendit të parë. Takimi në Ballsh është i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Bylisi i Ilir Spahiut (11 F, 1 B, 2 H) kryeson kampionatin pas javësh me 34 pikë, dy më shumë se Elbasani i vendit të dytë dhe ka një rekord 100% pikësh në shtëpi, me 6 ndeshje, 6 fitore. Trajneri i Elbasanit, Dosti: “Duhet të luajmë njëlloj sikur të luajmë për trofeun e këtij kampionati, sepse vetëm kështu mund ta rimarim kreun e renditjes në mbyllje të ndeshjeve të këtij viti”. Renato Hyshmeri, 20 vjeç, një nga lojtarët titullarë të Elbasanit, thotë: “Objektivi ynë është të mos humbasim përballë Bylisit. Kjo do të jetë një ndeshje përcaktuese për ne, pasi duhet të tregojmë se sa të fortë jemi ndaj kundërshtarëve tanë direkt në këtë sezon”. Si Bylis ashtu dhe Elbasani janë dy skuadra të ardhura nga Kategoria Superiore, ashtu si Lushnja e Partizani i vendit të tetë. Nëse Elbasani në shtëpi ka arritur 8 fitore në 8 ndeshje, në transfertë bilanci i verdhebluve nuk është për tu pasur zili: 6 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.
KATEGORIA E PARË
JAVA 15
19.12.2009
Skrapari-Partizani
Bilisht Sport-Burreli
Sopoti-Memaliaj
Bylis-Elbasani
Luftëtari-Gramshi
Besëlidhja-Lushnja
Ada-Pogradeci
Turbina-Kamza
Brus: “Mungesa e Canës, humbje e madhe”
Trajneri i Sandërlendit, Stiv Brjus, pranoi se mungesa e kapitenit Lorik Cana në ndeshjen e së shtunës kundër Mançester Sitit do të jetë një “humbje e madhe”. “The Black Cats” (macet e zeza) mirëpritën rikthimin e mesfushorit Li Katermol pas dëmtimit në humbjen 2-0 me Aston Vilën, por në të njëjtën ndeshje humbën Canën, i ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli në dëm të Xhejms Milnerit. Brus tha: “Nëse ai nuk do të nxirrej jashtë, ai do të ishte në këtë ndeshje. Mendoj se performanca e gjyqtarit linte për të dëshiruar. Kurrë nuk i kam kritikuar ata, por në pjesën parë paraqitja e tij ishte shokuese. “Ai (Cana) nuk duhet të luante në fushë, kur ai kishte një karton të verdhë, por unë nuk mund ta largoj nga mënyra e lojë së tij. “Ai duhet të mësojë prej kësaj, dhe jam i sigurt se do ta bëjë, por sigurisht që ai nuk përbën asnjë problem. Tani ajo ka ndodhur dhe ai është i pezulluar dhe do të mungojnë në ndeshjen e fundjavës, çka do të jetë një humbje e madhe për ne”, - citohet Brus nga football365.com. Sanderlendi pas 17 javësh renditet në vendin e 10–të me 21 pikë.
18 Dhjetor 2009